Fushata ndal tenderët. Asnjë shpenzim deri në fund të zgjedhjeve
Qeveria ka pezulluar të gjithë tenderët dhe prokurimet publike deri në ditën e zgjedhjeve. Vendimi, i marrë në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, është pjesë e marrëveshjes politike Rama-Basha.
Ai lejon vetëm blerjet emergjente, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin e aparatit shtetëror. Fillimisht vendimi shkaktoi konfuzion për administratën dhe institucionet publike, për shkak të një lapsusi të rëndë në formulim.
Në vend që të shkruajë ‘titullarët e institucioneve marrin masa që të mos iniciojnë procedura prokurimi’, vendimi thotë të kundërtën, pra ‘që titullarët e institucioneve marrin masa të iniciojnë procedura prokurimi’.
Por pavarësisht lapsusit në formulim, vendimi ka filluar të zbatohet. Të gjitha institucionet publike kanë pezulluar plotësisht tenderët dhe prokurimet duke kryer vetëm shpenzimet emergjente, ndërkohë që vendimi i zbardhur është tërhequr për korrigjim.
Bllokimi i shpenzimeve është urdhëruar për të mos lejuar përdorimin e buxhetit për zgjedhjet. Por ky vendim ka shqetësuar jo pak ekspertët e Ministrisë së Financave.
Burime nga ky institucion thonë për Top Channel se vendimi mund të krijojë vështirësi në realizimin e shpenzimeve buxhetore, veçanërisht investimeve publike, një zë i cili vitet e fundit ka qenë gjithmonë problematik.