Ekonomia

Gaiani: Zhvilloni parqet industriale, nëse doni investitorë

Intervistë me z.Massimo Gaiani, ambassador i italise në Shqipëri.

masiomoPër ambasadorin italian në Shqipëri, z. Massimo Gaiani, siguria e rregullave dhe trajtimi i barabartë mes investitorëve, janë elemente më domethënëse se sa niveli i taksave, që pavarësisht rritjes së kohëve të fundit, vijon të mbetet i favorshëm. E rëndësishme është gjithashtu që investitorëve të huaj t’u ofrohet infrastruktura e nevojshme në kuadrin e parqeve industriale. Kjo është një ide për të cilin z. Gaiani ngul këmbë, ndërsa shprehet se ende nuk vërehen rezultate konkrete. Në këte intervistë, z. Gaiani pohon se konkurrenca në rajon për të tërhequr investime të huaja është rritur dhe Shqipëria duhet të luajë fort për të fituar përballë vendeve që po ofrojnë nxitje të shumta. Përparësitë kryesore të vendit mbeten afërsia gjeografike dhe njohja e gjuhës italiane, ndërsa nevojiten përparime në regjimin e pronësisë dhe të sistemit gjyqësor. Sigurisht që klima e tensionuar politike nuk është aspak e dobishme.

Si e vlerësoni ecurinë e investimeve italiane në Shqipëri dhe sektorët ku kanë investuar më shumë?

Që nga rënia e komunizmit, në vitet e para ‘90, Shqipëria ka qenë një fushë me interes të lartë për investitorët italianë, që e kanë gjetur tërheqës këtë treg të afërt, ku flitet italisht dhe ku ka një forcë pune të disponueshme dhe të mirëkualifikuar me kosto konkurruese. Ky interes, që unë vlerësoj se duhet konsideruar relativisht i qëndrueshëm në kohë, ka mbizotëruar kryesisht në sektorin përpunues dhe më së fundmi dhe në atë të shërbimeve, ku i referohem kryesisht call center dhe atij të energjisë. Në këtë tendencë, relativisht stabël, që ka parë një prani të rreth 400 kompanive që veprojnë në territorin e Shqipërisë, mund të themi se kriza ekonomike që ka prekur Italinë dhe nevoja për të rregulluar baraspeshën ekonomike, ka çuar në një interes të mëtejshëm ndaj Shqipërisë. Ky fenomen i fundit ka prekur të gjithë sektorët. Për momentin mund të themi që ka shprehje të shumta interesi nga sipërmarrje të ndryshme italiane, por që gjithsesi ende nuk janë përkthyer në investime konkrete.

Pas viteve ‘90, ndonëse investimet italiane kanë zënë një peshë të konsiderueshme, janë sipërmarrjet e vogla dhe të mesme që kanë dominuar, ndërsa kanë munguar sipërmarrjet e mëdha, ndryshe nga shtete si Greqia apo Turqia. Si e shpjegoni këtë tendencë?

Bie dakord me faktin që prania italiane është shumë e fortë për sa i përket ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla, ndërsa kjo nuk është në të njëjtin nivel për sa u përket sipërmarrjeve të mëdha, të grupeve industriale të mëdha italiane, qoftë për nga numri, qoftë dhe për nga investimi. Nuk kam një përgjigje të vetme për këtë pyetje se përse janë të pranishëm më shumë të vegjlit dhe më pak të mëdhenjtë. Para së gjithash, përbërja industriale italiane dominohet kryesisht nga ndërmarrje të vogla e të mesme. Edhe në Shqipëri, në mënyrë të ngjashme, gjejmë shumë ndërmarrje të vogla e të mesme. Si rrjedhojë, është evidente që kjo sinergji e pranisë së fortë të sipërmarrjeve të vogla nga të dy vendet lehtëson zhvillimin e bashkëpunimit mes ndërmarrjeve të mesme e të vogla. Besoj se sipërmarrjet e pakta të mëdha italiane, që përbëjnë panoramën industriale italiane, për një sërë arsyesh, edhe rastësore, nuk i janë afruar tregut shqiptar, ose kur e kanë bërë këtë, nuk kanë gjetur një akord. P.sh., Enel që është pa dyshim një sipërmarrje e madhe dhe kishte të gjithë potencialin dhe interesin për të punuar në tregun shqiptar, ka provuar, bëri një kërkesë konkrete, nuk eci mirë dhe u tërhoq nga ky treg. Në rast se Enel do të kishte gjetur këtë akord, le të themi se sot do të kishim ndoshta një prani shumë domethënëse të Italisë në sektorin energjetik. Siç e theksoni dhe ju, ndërsa shtete të tjera si Turqia, Greqia, apo dhe Austria kanë përfituar në një masë të madhe nga privatizimet, grupet e mëdha industriale italiane nuk kanë përfituar shumë, ndoshta sepse në ato momente ishin të ekspozuar në tregjet të tjera dhe si rrjedhojë nuk ishin në gjendje të realizonin këto investime në momentin e duhur. Nuk besoj se ka ndonjë arsye specifike. Interesi për Shqipërinë është dhe ka qenë gjithmonë, por duhet të jesh dy për të vallëzuar. Ndonjëherë dikush është i shpërqendruar nga një tjetër balerin dhe si rrjedhojë humb ai moment dhe nuk është gjithmonë e lehtë të rikuperosh.

Aktualisht cilët janë sektorët kryesorë ku ka interes për të investuar dhe a mund të na përmendni kompani të mëdha, që kanë interes për të hyrë në Shqipëri?

Në përgjithësi, nuk dëshiroj të përmend emra specifikë ndërmarrjesh, për shkak se mund të duket si një favor për njërin apo tjetrin. Përveç sektorëve tradicionalë, që janë industria përpunuese, shërbimet dhe energjia, që vazhdojnë të tërheqin interes, mund të them që ka një vëmendje të fortë për sektorë të rinj si IT, telekomunikacione, bashkëpunim industrial në sektorë me nivel të lartë teknologjik dhe do të përmendja dhe turizmin, që ka interes. Edhe bujqësia është një sektor i ri që po tërheq shumë interes për Italinë.

Nga kontaktet tuaja me sipërmarrësit, si e vlerësoni ambientin për të bërë biznes në Shqipëri dhe prirjen në dy vitet e fundit (p.sh. përmirësim, përkeqësim etj.) dhe pse?

Kemi vënë re përmirësim të klimës sipërmarrëse në Shqipëri, veçanërisht pas një viti që ka qenë veçanërisht i vështirë, e kam fjalën për 2013-n, që u karakterizua dhe nga një vit elektoral, siç ndodh gjithnjë në këto raste. Nuk mund të mos vë në pah faktin se krahas përmirësimeve të ndjeshme në disa sektorë, mbetet gjithsesi domosdoshmëria për të punuar për klimën e biznesit dhe për të krijuar kushtet për një trajtim që të jetë i sigurt dhe i qëndrueshëm në kohë, sepse investitorët kanë nevojë për siguri. Ata mund edhe të pranojnë një kosto që mund të jetë më e lartë apo më e ulët, por duan të dinë, kur hartojnë një plan biznesi, se me çfarë do të përballen. Një pikë e nxehtë është natyrisht ajo e funksionimit të sistemit të drejtësisë. Një drejtësi që nuk funksionon i jep një sens negativ klimës sipërmarrëse dhe është diçka së cilës sipërmarrësit i druhen shumë. Pra theksoj se janë të domosdoshme përpjekjet që po bëhen për një reformë komplekse në sistemin gjyqësor, që do të krijojnë një klimë më të mirë biznesi. Ky është një faktor kryesor që ndikon në mjedisin sipërmarrës dhe në aftësinë e këtij vendi për të përthithur investime të huaja.

Cilët janë faktorët kryesorë që marrin në konsideratë investitorët e huaj kur vendosin të hyjnë në Shqipëri (nëse mund të bëni një renditje sipas rëndësisë, p.sh. ambienti për biznes, niveli i taksave, korrupsioni, pozicioni gjeografik etj.)

Pjesërisht e prekëm këtë çështje në pyetjet e mësipërme. Pa dyshim, siguria e investimeve është e rëndësishme dhe këtu p.sh., e dimë mirë se për sa i përket regjimit të pronësisë, kjo është një pikë e dobët për Shqipërinë, për të cilën duhet punuar. Ndër faktorët që janë shumë pozitivë dhe që e bëjnë Shqipërinë një vend shumë tërheqës për investimet tona, do të rendisja pozicionin gjeografik, që është qendror dhe ndërlidhës me Ballkanin Perëndimor si dhe i lidhur shumë mirë me Italinë. Një tjetër faktor është njohja e mirë e gjuhës italiane, si dhe një regjim i taksave relativisht i favorshëm (edhe pse ka pasur rritje të taksave mendoj se ai mbetet gjithsesi i favorshëm). Do të shtoja një pikë, ku unë në përgjithësi këmbëngul. Nga kontaktet që kam pasur me sipërmarrësit, kam krijuar bindjen se për të tërhequr investime duhen dhe vende fizike, kushte të qarta që u duhen ofruar atyre që duan të vijnë në Shqipëri. Nuk mund të pretendosh që një investitor i vetëm, që ndoshta e di mirë zanatin e tij dhe prodhon një produkt të caktuar, duhet të kërkojë ai vetë se ku duhet të shkojë të pozicionojë industrinë e tij, të verifikojë nëse është e thjeshtë të sigurojë energjinë elektrike, ujin, transportin urban, në gjendje që të transportojë punonjësit në fabrikë. Për të gjitha këto, nëse duhet realisht të jeni konkurrues në treg dhe të tërhiqni investime, duhet të keni një paketë të qartë, që t’u prezantohet në një mënyrë shumë të thjeshtë investitorëve të huaj. Kjo është ideja e parkut industrial dhe është një element për të cilin unë ngul këmbë, por ende nuk vërehen rezultate konkrete.

Sa konkurrente e vlerësoni sot Shqipërinë për të tërhequr investime në raport me vendet e tjera të rajonit si Serbia, Maqedonia, Mali i Zi, etj.?

Besoj se ka një konkurrencë mjaft të fortë mes këtyre vendeve dhe kushtet janë relativisht të ngjashme. Pra do të thosha se, duke përdorur një metaforë futbolli, të gjithë këto vende kanë mundësinë të fitojnë garën, por është e nevojshme të angazhohesh sa më shumë. Kushtet gjeografike p.sh., janë më të favorshme në Shqipëri, sidomos për Italinë, vendi juaj është porta më e lehtë hyrëse. Shqipëria ka dhe avantazhin e gjuhës që nuk ekziston në vendet e tjera. Ndoshta pjesa tjetër e Ballkanit përfiton ende nga njëfarë avantazhi për sa i përket mirëfunksionimit të administratës publike, që është trashëgimi dhe nga qenia pjesë e ish-Jugosllavisë, që ishte më e organizuar. Këto vende kanë dhe paketa më interesante për sa u përket nxitjeve. Por, pyetja është shumë e drejtë dhe Shqipëria duhet të ketë parasysh edhe kushtet që ofrojnë vendet fqinjë, sepse, në rast se nuk luftohet në terma konkurrues me konkurrentët e tjerë, rrezikohet të humbet ndeshja dhe në disa raste, investitorët që kishin marrë në konsideratë edhe Shqipërinë kanë parë gjetkë dhe në shumë raste kanë gjetur kushte më interesante në vende të tjera të rajonit. Pra gara është pa dyshim e hapur, por duhet luajtur mirë.

Cilat vlerësoni se janë avantazhet kryesore të Shqipërisë në tërheqjen e investimeve të huaja dhe cilat janë rekomandimet tuaja për qeverinë shqiptare, për t’i shfrytëzuar më shumë këto avantazhe?

Besoj se është tepër e rëndësishme që investimet e huaja të përballen me rregulla serioze, të thjeshta dhe të qëndrueshme në kohë, që të mos ketë ndryshime për ata që bëjnë investime. Është hedhur një hap i rëndësishëm me rregullat që janë vendosur për investimet mbi 50 milionë euro, apo të ashtuquajturat investime strategjike. E njëjta gjë shërben dhe për investimet me peshë më të vogël, edhe pse nuk mund të gjejnë zbatim rregullat e vlefshme për investimet strategjike. Duhen parashikuar rregulla të caktuara dhe të qarta që t’i ruajnë investitorët nga disa tendenca burokratike, që mund të krijojnë probleme përmes interpretimeve ligjore. Është shumë e rëndësishme që të jetë një interpretim unik për investitorët, që përqafojnë të gjitha fushat e kompetencës së shtetit, me të cilat mund të përballen investitorët e huaj.

Aktualisht ka një tërheqje të investimeve italiane, por jo vetëm nga Lindja e Mesme dhe Kina dhe rikthim i tyre në Europën në zhvillim. Si mund të shfrytëzohet kjo?

Jam dakord që ka një prirje të investitorëve që ishin nxitur më parë të bënin investime në vende të largëta si Kina, India, Vietnami, të shohin me më shumë interes oborrin pranë shtëpisë, sepse është më pranë, është më i thjeshtë, flitet e njëjta gjuhë. Besoj se ekziston vullneti për të zhvendosur disa prodhime industriale në vende si Shqipëria, duhet përfituar nga ky moment duke iu rikthyer masave që përmendëm më lart.

Si kanë ndikuar konfliktet e fundit politike në klimën e investimeve të huaja?

Pa dyshim që nuk i bëjnë mirë klimës së biznesit dhe aftësisë për të tërhequr investime nga jashtë. Kur janë shqiptarët që flasin keq për vendin e tyre dhe funksionimin e institucioneve, kjo nuk është një gjë pozitive. Mund të them se është shumë e rëndësishme që të ketë një klimë dialogu dhe bashkëpunimi mes institucioneve të ndryshme të vendit dhe që, mbi të gjitha, është edhe më e rëndësishme që Shqipëria të vazhdojë me angazhimin, siç po bën, në rrugëtimin europian, sepse është rruga europiane që mund të krijojë vërtet ato kushte të përhershme sigurie që investitorët kërkojnë me përparësi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button