GAP: Heqja e tarifave të romingut, hap drejt integrimit ekonomik Kosovë-Shqipëri
Pas shumë marrëveshjeve të arritura mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, pas disa takimeve të përbashkëta të të dyja qeverive dhe pas deklaratave pothuajse të përditshme të zyrtarëve të të dyja vendeve për thellim të bashkëpunimit ekonomik, në praktikë edhe më tutje nuk është bërë mjaft në arritjen e këtyre qëllimeve. Kështu vlerësohet në një analizë të publikuar nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), bëri të ditur sot KosovaPress.
GAP sot ka publikuar analizën e shkurtër me titull “Heqja e tarifave të romingut si hap drejt integrimit ekonomik Kosovë-Shqipëri”.
Sipas GAP-it vetëm gjatë muajve qershor-gusht 2014 mbi 760 mijë shtetas kosovarë kanë hynë në Shqipëri.
“Në përgjithësi numri i kosovarëve që vizitojnë Shqipërinë gjatë vitit është edhe më i madh. Por, me gjithë këtë lëvizje të madhe, qytetarët e Kosovës vazhdojnë të paguajnë një kosto të lartë të komunikimit. Në këtë analizë Instituti GAP ka ofruar disa argumente se përse Kosova dhe Shqipëria do duhej të hiqnin shpenzimet e romingut mes tyre”, thuhet në një komunikatë për media nga GAP.
“E para, dy qeveritë janë zotuar se do të angazhohen për uljen e tarifave të romingut kur kanë nënshkruar marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e TIK në mars 2013. Andaj, GAP kërkon nga të dy qeveritë që ta zbatojnë sa më parë këtë marrëveshje. Së dyti, GAP argumenton se ulja/heqja e tarifave të romingut është në përputhje me direktivat evropiane dhe se një model i tillë është praktikuar mes shteteve të BE-së që nga viti 2007, kur Komisioni Evropian ka filluar me aplikimin e ‘Eurotarifave’. Që atëherë Komisioni Evropian jo vetëm që ka zbritur në mbi 80% tarifat e romingut, por së fundmi ka ndërmarrë edhe një hap drejt heqjes totale të tarifave të romingut. Së treti, tarifat shumë të larta të romingun që aplikohen aktualisht nga të dy shtetet janë një barrë e rëndë për konsumatorët e telefonisë mobile”, thuhet më tej në analizë.
Instituti GAP kërkon që rregullatorët e dy shteteve të ndërmarrin hapa konkret, fillimisht drejt uljes së tarifave dhe përfundimisht drejt heqjes së tarifave të romingut për arsye se tarifat e romingut janë shumë të larta në krahasim me ato të BE-së.
Në analizën e GAP-it thuhet se ndërhyrja për uljen e tarifave është një praktikë e BE-së që ka për qëllim mbrojtjen e konsumatorit. “Ulja e kostos së komunikimit rrit edhe më tej bashkëpunimin tregtar dhe rrit komunikimin mes dy vende. Kjo rritje e komunikimit sigurisht që do të kompensonte humbjet që mund të kenë operatorët telefonik nga ulja e tarifave të romingut”, thuhet në analizë.
GAP mbështet idenë për heqjen e tarifave të romingut në nivel të përgjithshëm rajonal, por sugjeron që kjo më parë të bëhet në mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Në vitin 2011 përmes analizës me titull “Ngritja e bashkëpunimit rajonal: ulja e tarifave të romingut në Ballkanin Perëndimor”, GAP ka hedhur idenë për krijimin e zonës ‘Ballkantarif’, gjë e cila së fundmi ka nisur të mendohet seriozisht nga shtetet e Ballkanit Perëndimor. Por, derisa të arrihet një marrëveshje e tillë rajonale, GAP rekomandon që të paktën Shqipëria dhe Kosova të heqin romingun mes vete