Gara për mjekësinë, një neurologe, një kardiolog dhe një kirurg
Gara për postin e rektorit në Univeristetin e Mjekësisë pritet të jetë shumë e fortë. Garojnë ndërmjet tyre një neurologe, një kardiolog dhe një kirurg por që vitet e fundit janë përfshirë në drejtimin e strukturave universitare.
Mira Rakacolli, aktualisht dekane e fakultetit të Mjekësisë dhe prej 25 vitesh pedagoge synon konsolidimine e arritjeve të deritanishme si dhe përfshirjen e të rinjve në drejtimin e shërbimeve dhe departamenteve.
“Si sfidë e parë është akreditimi. Duhet që studentët tanë të dalin me një diplomë që atyre u njihet, dhe të ingranohen me këtë universitet që kanë bërë në Komunitetin Europian. Ligji për arsimin e lartë të jep hapësira të reja dhe një nga hapësirat është zgjerimi i partneritetit Publik Privat. Ajo që dua të bëj është të ndërthur mençurinë që kanë brezat e vjetër me energjinë që kanë brezat e rinj. Ka mjaft të rinj të talentuar që kanë bërë dhe edukime të plota në shkolla europiane që të jenë ata tashmë, të fillojnë të marrin drejtimin e shërbimeve, dhe të departamenteve”, thotë znj. Rakacolli.
Petrit Bare, aktualisht dekan i Shkencave Mjekësore dhe 20 vjet pedagog thotë se me vizionin e tij synon të përmirësojë jetën akademike.
“Vizioni im do të jetë të kthehet në normalitet jeta akademike në Universitetin Mjekësor publik, të përkrahim dhe të vëmë në punë shkencore, administrative të QSUT dhe fakultetit të mjekësisë dhe fakulteteve përkatëse, inteligjencën bashkëkohore. Një unifikim shumë i mirë i fakulteteve mes njëri-tjetrit, krijimin e fakultetit të farmacisë që është me pak pedagogë në strukturat organizative, vendosja e buxhetit dhe të ardhurave dytësore të studentëve në funksion të studentëve”, thotë Petrit Bare.
Arben Gjata kirurg ,që prej 6 muajsh rektor i komanduar në Universitetin e Mjekësisë me sportivitet tregon se është nxitur nga kolegët për të garuar.
“E para e punës është cilësia e studentëve që nxjerrim. E dyta, mundësia për të krijuar projekte dhe për të marrë të ardhura nga projektet për të mbajtur universitetin. Problemi i tretë shumë i rëndësishëm është formimi dhe edukimi në vazhdim i mjekëve. Unë kam menduar që të krijohet një qendër e edukimit në vazhdim që të ofrojë programe të edukimit në vazhdim. Unë besoj që duhet ta zgjerojmë shumë numrin e pedagogëve part time, që kur të shkojnë në praktikë studentët të mos kenë një pedagog 15 studentë, dhe të mos kenë se çfarë të shohin”, thotë Arben Gjata.
Deri më 30 prill kur do të votohet, kandidatët do të prezantojnë vizionine tyre para studenteve dhe pedagogëve. Ndryshe nga vitet e mëparshme këtë vit nuk voton administrata e fakulteteve dhe rektoratit.