Gascoigne, foto “shock”
Vetëm pak javë më parë kishte deklaruar publikisht se alkooli ishte një kujtim i largët për të, por faktet tregojnë se Paul Gascoigne është më shumë se kurrë brenda tunelit të errët të vesit që po merr jetën.
Ish-futbollisti i kombëtares angleze, një ikonë e tifozëve ishullorë për aq kohë sa iu dedikua lojës me top, duket se ka prekur sërish fundin për shkak të varësisë nga pijet alkoolike.
Tabloidi britanik “The Sun” që gjahun e preferuar ka skandalet me VIP-at, e ka fiksuar ish-mesfushorin në gjendje të rëndë, me plagë në fytyrë dhe kraharor për shkak të një rënieje të keqe nga një taksi.
Dëshmitarët e përshkruan Paul Gascoigne, si një njeri që nuk rrinte të mbahej në këmbë, ndërsa u rrëzua duke mbajtur në dorë një shishe pijesh alkoolike.
Fqinjët e ish-futbollistit të alarmuar thirrën policinë, e cila pasi mori dëshmitë, nuk e ndaloi protagonistin, por regjistroi çështjen në gjykatë.
I njohur me pseudonimin Gazza, ish-mesfushori i Anglisë ka luajtur për shumë ekipe të njohura, mes të cilëve Tottenhem, Lazio dhe Glasgow Rangers.