Gati disiplinimi i turizmit
Përgatitjet për sezonin e ri turistik kanë nisur më herët këtë vit, ndërsa problemet janë sërish ato që mbarten e mbarten nga viti në vit. Për ministrinë, me miratimin e kuadrit ligjor, do të nisë edhe disiplinimi i sektorit, edhe pse do të na duhet të presim të paktën dy vjet për të parë rezultate konkrete. Këto janë edhe një pjesë e argumenteve që mbajnë larg investimet në këtë sektor, qofshin të huaja apo vendase, edhe pse flitet për shfaqje interesi. Pritshmëritë për ecurinë e industrisë për këtë vit janë më se pozitive
Sezoni më pozitiv
Flet Sonia Popa, drejtore e përgjithshme e Turizmit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes
Turizmi ka shënuar një ecuri pozitive gjatë këtij viti dhe shifrat flasin për një rritje të numrit të vizitorëve.
Por, pavarësisht kësaj, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit vlerëson se ashtu sikurse ka pasur faktorë që kanë ndikuar pozitivisht, ka pasur edhe aspekte të tjera që kanë frenuar këtë rritje.
Energjia elektrike, pastrimi i ambientit dhe sinjalistika do të jenë disa nga aspektet ku do të përqendrohet puna për hartimin e masave për sezonin e ri.
Tashmë pritet të përfundojë hartimi i akteve nënligjore që lidhen me ligjin “Për turizmin” që hyri në fuqi në tetor të vitit të kaluar që parashikon standardizimin e guidave turistike që tashmë është në proces, si dhe klasifikimi i strukturave akomoduese duke vendosur njëherë e mirë standardin e yjeve.
Si do ta vlerësonit ecurinë e turizmit gjatë vitit të kaluar?
Ajo që mund të themi për ecurinë e turizmit shqiptar gjatë vitit të kaluar është se ka pasur një tendencë pozitive, ku rritja e numrit të vizitorëve u llogarit në rreth 12% në krahasim me vitin paraardhës. Kjo tregon se Shqipëria dalëngadalë po shndërrohet në një destinacion të kërkuar dhe ne parashikojmë që kjo tendencë do të vazhdojë edhe gjatë këtij viti. Megjithatë mund të themi se në ritmet e një ecurie më të lartë se ajo e zakonshmja mund të ndikojnë edhe faktorë të jashtëm, që kanë të bëjnë me tregjet klasike. Turizmi shqiptar mund të përfitojë nga situata të ndryshme që janë shfaqur në arenën gjeopolitike, si rasti i konfliktit mes Turqisë dhe Rusisë, gjendja në Egjipt, etj., të cilat bëjnë që turistët të kërkojnë destinacione të tjera. Në këto kushte, vendi ynë mund të jetë një prej tyre.
Natyrisht, përtej ecurisë së shifrave të vizitorëve ka pasur edhe probleme, siç ka qenë mungesa e energjisë elektrike në disa zona apo furnizimi me ujë të pijshëm dhe pastrimi i plazheve. Për këto arsye, ne kemi filluar më herët përgatitjet për sezonin e ri. Janë bërë mbledhjet e para me ministritë e ndryshme, ku ne kemi qenë koordinatorë dhe kemi marrë planet. Ndërkohë jemi në pritje të daljes së një vendimi të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton edhe detyrat konkrete për çdo institucion.
Ndërkaq, promovimi i turizmit shqiptar është ndihmuar ndjeshëm nga media të huaja, prestigjioze, si e vlerësoni ju këtë faktor?
Shpesh, ne vetë tregohemi më negativë për të vlerësuar potencialet që ka vendi ynë. Mendoj që të huajt e vlerësojnë më me objektivitet dhe për situatën reale në të cilën gjendet. Nuk është e thënë që në turizëm, çdo gjë duhet të jetë e përsosur. Nga ana tjetër, është e vërtetë se ka shumë aspekte që duhen përmirësuar, si për shembull: që nga trajnimi i burimeve njerëzore që punojnë në fushën e turizmit, ndërgjegjësimi për rolin që ata kanë qoftë edhe si imazh përballë turistëve të huaj. Kjo kërkon një punë të madhe ndërgjegjësuese.
Çfarë masash do të mund të merren për rritjen e sigurisë veçanërisht në bregdet, për përmirësimin e dhënies së informacionit apo sinjalistikës?
Përveç përmirësimit të shërbimeve të atyre që ne i quajmë Info Point dhe që janë të ngritura në disa qytete, do të ketë një program të detajuar që do të zbatohet nga Agjencia Kombëtare e Turizmit me informacione që do të vihen në dispozicion të vizitorëve që në pikat kufitare. Do të jenë informacione të natyrave të ndryshme dhe utilitare, për destinacionet, oraret e hapjeve të bankave etj., që ndihmojnë orientimin e turistëve.
Do të merren masa edhe për shtimin e sigurisë në plazhe. Në bashkëpunim edhe me Ministrinë e Shëndetit dhe atë të Mjedisit do të bëhen plane të detajuara për analizimin e ujërave, për higjienën në mjedise të ndryshme, por edhe për lidhjen e shpejtë të strukturave akomoduese me shërbimet e ndihmës së parë.
Çfarë po bëhet për miratimin e akteve nënligjore?
Aktualisht jemi duke përfunduar përgatitjen e akteve nënligjore. Jemi në momentin kur do t’i shpërndajmë për mendim në ministritë e tjera dhe besojmë se nga fundi i marsit ato do të jenë miratuar.
A do t’i shtrijë efektet ligji gjatë këtij sezoni?
Po, ligji do të fillojë të japë efektet e para që në këtë sezon, por të plota do të mund të ndihen pas dy vitesh. Me daljen e akteve nënligjore do të nisë puna për trajnimin dhe certifikimin e guidave turistike, që është një pjesë e rëndësishme e këtij dokumenti. Gjithashtu do të nisë edhe puna për klasifikimin e njësive akomoduese. Këtyre subjekteve do t’iu lihet një afat tranzitor që do të shërbejë si njohës për procedurat e reja që do të nevojiten. Klasifikimi do të bëhet nga një komision i ngritur pranë ministrisë. Në fund të muajit mars do të nisë edhe përgatitja e vlerësuesve, të cilët do të jenë pjesë e procesit të vlerësimit, pasi do të prodhojnë raporte bazuar edhe në vizitat që do të realizojnë në terren. Ndërsa monitorimi do të bëhet përmes Inspektoratit, do të kontrollohet puna e bërë.
Gjatë periudhës mars-prill do të realizojmë një fushatë ndërgjegjësimi në të gjithë vendin për nisjen e aplikimeve në të gjithë vendin. Besojmë se do t’i jepet prioritet për fillimin e tij pjesës së bregdetit, për shkak të fillimit të sezonit.
Por, kur do të mund të flasim për strategjinë?
Ne jemi duke ripunuar për strategjinë mbi të cilën do të zhvillohet turizmi deri në vitin 2020. Kemi pritur dhënien e disa mendimeve nga drejtoria përkatëse pranë Kryeministrisë, të cilët kanë kërkuar që formati të jetë disi më i ndryshëm nga ai që patëm paraqitur. Ne do të punojmë përgjatë këtyre dy muaj në bashkëpunim edhe me GIZ, për të pasur së shpejti draftin final.
Në lidhje me investimet e huaja në turizëm, nisur edhe nga hyrja në fuqi e akteve për investimet strategjike, a ka shfaqje interesi
Po, mund të themi se ka shfaqje të interesit për të investuar në fushën e turizmit dhe ato mbështeten si nga ligji për investimet strategjike, ashtu edhe nga ai i turizmit.
Ne kemi një kapitull të dedikuar që flet për investimet në turizëm. Natyrisht ato që janë strategjike do t’i nënshtrohen ligjit përkatës. I gjithë ky kuadër do të ndihmojë në lehtësimin e investimeve. Ligji mundëson dhënien për 99 vjet të tokave shtetërore për ngritjen e resorteve, etj.
Ministria është duke punuar për plotësimin e dosjeve të plota për promovimin e këtyre investimeve me të gjitha elementet që ne duam të zhvillojmë, siç janë resortet, marinat etj.
Kryesisht ka pasur interes nga vende që nuk kanë dalje në det apo që kanë ose temperatura të larta ose të ulëta.
Një nga fushat me interes kanë qenë ujërat termale dhe vendi ynë njihet për këto burime natyrore që mbeten të pashfrytëzuara. Ne synojmë nxitjen e këtyre investimeve, në mënyrë që të kthehemi në një destinacion për turizmin e mirëqenies (wellness&spa). Qëllimi ynë është që në Shqipëri të ketë turizëm gjithëvjetor.
Por, një nga pikat e dobëta mbeten padyshim statistikat. Çfarë po bëhet për këtë problem?
Në kuadër të programit e-Turizmi, ne do të nisim punën për krijimin e një softueri elektronik, që do të bëjë të mundur përmirësimin dhe përpunimin e të dhënave që vijnë nga kufiri në lidhje me vizitorët, për të parë vendin nga vijnë, qëllimin e vizitës, moshën etj., kjo do të na shërbejë për studimin e tregjeve të ndryshëm.
Hapat për zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe investimeve
Synimi kryesor është zhvillimi i turizmit gjithëvjetor dhe vendi ynë ofron të gjitha kushtet, për zhvillimin e infrastrukturës turistike, sa i takon nautikës, marinës, atij malor dhe kulturor. Një nga gjërat, që deri më sot i ka munguar zhvillimit të sektorit të turizmit, ka qenë koordinimi mes politikave shtetërore dhe nevojave të sektorit privat.
Turizmi shqiptar është në një fazë ridimensionimi. Masat që po merren aktualisht, synojnë ta shndërrojnë atë në një sektor konkurrues në rajon, përballë vendeve me traditë në këtë drejtim, siç janë Mali i Zi, Kroacia, Greqia, apo Italia.
Për t’iu përgjigjur nevojave dhe dinamikave të zhvillimit të turizmit në Shqipëri, u miratua ligji i ri i turizmit i cili do të garantojë standardizimin dhe klasifikimin e shërbimeve turistike, me qëllim uljen e informalitetit dhe rritjen e shërbimeve cilësore në industrinë e turizmit. Ky ligj ka si qëllim ta kthejë turizmin në një sektor të drejtpërdrejtë prioritar të zhvillimit ekomomik, të mbështesë zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm, të promovojë Shqipërinë si një destinacion turistik, si dhe të tërheqë investitorë vendas dhe të huaj.
Ligji rregullon veprimtarinë e sipërmarrjeve turistike për investitorët vendas dhe të huaj, duke siguruar që ofruesit e shërbimeve turistike të përmbushin kërkesat e turistëve në një mjedis të shëndetshëm dhe të sigurt.
Ai është i organizuar në 14 kapituj dhe 72 nene. Ligji parashikon futjen e Regjistrit Qendror Turistik (RQT), si dokumenti që unifikon të gjitha subjektet që operojnë në fushën e turizmit. RQT do të përbëjë një bazë të vetme elektronike të të dhënave për sipërmarrjet turistike.
Kapituj të veçantë përcaktojnë funksionet dhe përgjegjësitë e Ministrisë përgjegjëse për Turizmin, Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Komitetit Këshillimor të Sektorit Privat të Turizmit, Inspektoratit Shtetëror për Turizmin. Ky i fundit do të jetë struktura e re që do të sigurojë zbatimin e ligjit për turizmin, nga ana e sipërmarrjeve turistike.
Kreu IV përcakton planifikimin e zhvillimit të qëndrueshëm turistik, përmes hartimit të Planit Kombëtar të Turizmit, i cili parashikon një përdorim të rregulluar e të disiplinuar të territorit dhe minimizon mundësitë e hapësirat për ndërhyrje të pakontrolluara në këtë territor.
Sa i takon mbështetjes dhe investimeve në turizëm, pushteti qendror kërkon të nxisë iniciativën private, sidomos në zonat me rëndësi kombëtare për turizmin. Ndihma shtetërore për këto programe mund të jepet në formë granti, huaje ose lehtësie fiskale apo si një kombinim i tyre.
Për investimet në fushën e sipërmarrjeve turistike, me vlerë nga 50-100 milionë euro, Këshilli i Ministrave, pasi të ketë bërë vlerësimet dhe verifikimet përkatëse, mund të ofrojë dhënien me qira të pasurive të paluajtshme me tarifën simbolike 1 euro. Ndërsa për investimet në turizëm me vlerë mbi 100 milionë euro, qeveria, përveç mundësisë së aplikimit të tarifës simbolike 1 euro, aplikon edhe zgjatjen e periudhës kohore të kontratës deri në 99 vjet.
Në nenet 36-40 parashikohet klasifikimi dhe kategorizimi i strukturave akomoduese, nga komisioni i klasifikimit dhe kategorizimit të strukturave akomoduese, i cili do të jetë i detyrueshëm për ushtrimin e veprimtarisë turistike. Kjo synon të godasë fenomenin e përdorimit të standardeve pa pasur një certifikatë për zotërimin e tyre.
Kapitulli VII vendos rregullat e detyrueshme për t’u zbatuar nga sipërmarrjet tregtare turistike që ushtrojnë veprimtari si agjenci udhëtimi dhe operatorë turistikë. Pra vendos procesin e licencimit. Nene të veçanta përcaktojnë detyrimin e certifikimit të veprimtarisë së udhërrëfyesit turistik sipas kategorisë, i cili do të jetë një proces i unifikuar dhe transparent.
Një risi e ligjit është përfshirja e aktiviteteve sportivo-rekreative dhe të aventurës, për të cilat ministri përgjegjës për turizmin, në bashkëpunim me institucionet e tjera që mbulojnë këtë fushë, përcakton kushtet minimale teknike.
Objektivat e drejtpërdrejta janë:
-Krijimi i një turizmi të qëndrueshëm dhe miqësor për mjedisin dhe një turizëm gjithëvjetor;
-Përgatitja e një plani kombëtar për sektorin e turizmit, i cili mungon;
– Planifikimi i zhvillimit të turizmit nëpërmjet përcaktimit të zonave me përparësi të zhvillimit të turizmit që është një risi e këtij ligji.
-Rritja e numrit të turistëve, net-qëndrimeve dhe të ardhurave prej tyre.
-Rritja e cilësisë së shërbimeve.
-Reduktimi i informalitetit.
-Nxitja e investimeve strategjike në turizëm.
-Rritja e cilësisë së jetës së komunitetit që preket, për mirë kuptohet, nga sektori, krijimi i bazës së të dhënave.
Ligji afron për herë të parë një gamë shumë të plotë dhe të detajuar të definicioneve. Janë 52 definicione që kanë të bëjnë me standardet, cilësinë, nominimin e proceseve, procedurave e subjekteve.
Është rikonceptuar Fondi i Zhvillimit të Turizmit, dhe për herë të parë vendosen rregullat për ushtrimin e veprimtarive turistike.
Ligji trajton në një kapitull tjetër çështjet e standardizimit dhe klasifikimit të hoteleve dhe strukturave akomoduese, që është një definicion i gjerë në ligj.
Kapitulli lidhur me çështjet e mbështetjes dhe nxitjes së investimeve në sektorin e turizmit, detajon gjithë procedurën në parim, të mbështetjes së investimeve në këtë fushë. Ajo është e harmonizuar me ligjin e investimeve strategjike.
Ligji vendos një platformë të drejtpërdrejtë, të qartë dhe shumë lehtësuese për industrinë e turizmit që të kalojë në hapin tjetër dhe merr parasysh, në parim, edhe konkurrencën që kemi me tregun rajonal, qoftë nga Mali i Zi, Kroacia, Greqia, Turqia.
Ndërsa strategjia e Zhvillimit të Turizmit deri në 2020-n do të adresojë nevojën për të siguruar një pozicion të konsoliduar në tregun kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar. Strategjia shërben si një mekanizëm rregullues dhe gjithëpërfshirës për industrinë e turizmit, institucionet publike dhe aktorë të tjerë, të interesuar për t’u bërë pjesë e tregut të turizmit. Ajo synon që Shqipëria të shndërrohet në një destinacion turistik rajonal, e konkretizuar me 30 destinacione në të gjithë vendin, respektivisht nga dhjetë në tre drejtime bazë në turizmin natyror, kulturor e bregdetar.
Ndarja e re territoriale, masat
Sektori i turizmit, gjatë vitit 2016, do të karakterizohet nga trajtimi i tij si një fushë prioritare e zhvillimit të qëndrueshëm në vend, me një qasje të integruar dhe plotësuese ndërsektoriale, që menaxhon burimet në mënyrë të balancuar, gjeneron zhvillim ekonomik dhe garanton punësim. Reforma territoriale dhe rritja e kompetencave për 61 bashkitë do të jenë të bashkërenduara me zhvillimin e këtij sektori, ku parashikohet që të ardhurat dhe punësimi në këtë sektor të rriten ndjeshëm gjatë vitit 2016.
Me qëllim që aktiviteti i bizneseve të turizmit të mos ushtrohet vetëm përgjatë sezonit veror, do të ndiqen politika për të prodhuar produkte të reja turistike me shtrirje vjetore.
Një prej tyre është edhe zhvillimi i politikës së menaxhimit të integruar të destinacioneve dhe menaxhimit të integruar të Rivierës Joniane. Ky projekti parashikon të krijojë një model për zhvillimin ekonomik të zonës nëpërmjet zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm. Modeli ka fokus ndërveprimin ekonomik të zonave (fshatrave) bregdetare me zonat (fshatrat) malore të rajonit:
-Mbrojtja, zhvillimi dhe monitorimi i zonës turistike bregdetare
-Pajisja me kulla vrojtimi e 40 qendrave në plazhe.
-Pajisja me sinjalistikë turistike e vijës bregdetare
-Restaurimi i qendrës së vizitorëve në Sazan
-Pajisja me infrastrukturën turistike e zonës Himarë, Borsh, Kuç etj.
-Hartimi i rregullores për administrimin e hapësirave publike në vijën bregdetare.
– Rritja e aksesit në informacionin turistik për Shqipërinë
– Ngritja e 10 pikave të informacionit turistik.
– Çdo person/turist, i cili zotëron një telefon celular, do të ketë mundësinë e aksesit në informacionin turistik, për zonën në të cilën ndodhet, apo për atë zonë që dëshiron. Për realizimin e këtij aksesi do të mblidhet dhe përgatitet informacioni i nevojshëm për publikim si dhe do të mundësohet teknikisht kryerja e aplikacionit.
Intervistoi: E.Bedalli