Gazetarët Pa Kufij: Shqipëria rritje në indeksin e lirisë së shtypit, por sërish problematike
E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën. Në treguesin që përfshin 180 vende, Shqipëria radhitet në vendin e 96-të, duke shënuar një rritje prej 7 vendesh krahasuar me një vit më parë kur radhitej e 103-a. Në vitin 2021, Shqipëria radhitej në vendin e 83-të.
Në raport thuhet se Prokuroria vendosi kufizime disproporcionale për mbulimin e sulmit kibernetik nga Irani. Raporti thekson se gazetarët që mbulojnë demonstratat dhe operacionet policore ndonjëherë janë viktima të dhunës policore, por megjithatë krimi i organizuar konsiderohet si një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e tyre.
Aty përmendet dhe fakti që në muajin mars, selia e Top Channel u kthye në shënjestrën e një sulmi të paprecedentë me armë automatike që i mori jetën njërën prej rojeve të sigurisë. Kosova radhitet në vendin e 56-të, një rritje prej 5 vendesh në krahasim me vitin e kaluar kur radhitej në vendin e 61-të, ndërsa një vit më herët ishte në vendin e 78-të.
Rënien më të thellë në rajonin që përfshin BE-në dhe Ballkanin e ka Serbia, e 91-ta në renditje, ku sipas raportit mediat pro-qeveritare përhapin propagandën ruse. Maqedonia e Veriut (e radhitur në vendin e 38-të) dhe Mali i Zi (në vendin e 39) janë në grupin e vendeve me gjendje “pak a shumë të mirë”, ose të kënaqshme. Maqedonia e Veriut ka pasur një rritje me 19 vende nga viti i kaluar, ndërsa Mali i Zi një përmirësim me 24 vende.
Në Greqi (vendi i 107-të), përgjimi i gazetarëve nga agjencitë e zbulimit solli në shkeljen më të rëndë të lirisë së shtypit në Bashkimin Evropian në vitin 2022 dhe është kjo arsyeja që Greqia ka renditjen më të ulët të mes vendeve të BE-së në Indeksin e vitit 2023. Gjithsesi Evropa, veçanërisht Bashkimi Evropian, është rajoni i botës ku është më e lehtë të jesh gazetar. Norvegjia renditet e para për të shtatin vit radhazi.
Indeksi i vitit 2023 nxjerr në pah efektet e shpejta që ka pasur në lirinë e shtypit, industria e përmbajtjeve të rreme në ekosistemin digjital. Në 118 vende (dy të tretat e 180 vendet e përfshira në Indeks), shumica e të anketuarve pohon se aktorët politikë në vendet e tyre ishin përfshirë shpesh ose sistematikisht në fushata masive dezinformuese ose propaganduese.
Raporti i organizatës Gazetarët Pa Kufij vë në dukjes se zbehja e dallimit mes së vërtetës dhe të rremes, reales apo artificiales, fakteve dhe të pavërtetave, po rrezikon të drejtën e informimit, duke dobësuar gazetarinë cilësore.