Ekonomia

Gazi Metan në minierën e Bulqizës dhe çfarë duhet bërë

Morëm nismën për të shkruar lidhur me gazin e shfaqur në galeritë e nivelit 14 dhe 21, të minierës së kromit në Bulqizë, thjesht se nuk pamë asnjë angazhim të institucioneve shtetërore apo shkencore të ngarkuara  me studimet gjeologjike si Shërbimi Gjeologjik Shqiptar, Instituti i Gjeoshkencave dhe Fakulteti i Gjeologjisë dhe Minierave të Universitetit Politeknik. Për fat të keq, me një vendim absurd, prej dhjetë vitesh, është “zhdukur” edhe Instituti i Naftës në Fier. Por ky, është tjetër problem madhor.
Deri më sot, ne, kemi dëgjuar veç emërtime të medias për gazin e shpërthyer herë me termin“Gaz Hidrogjen” dhe herë gaz “Metan”.Nga media gjithashtu, kemi dëgjuar se Ministri Gjiknuri, ka shkuar për të parë situatën në vënd, dhe se një zëvendës Ministër,pohoi rrezikun për punëtorët e shpëtimit të minierave, në se hyninnë nivelin 21, duke parathënë kështu edhe pamundësinë e shpëtimit tëjetës së minatorëve të bllokuar, që siç e kemi kuptuar, ka të bëjë me thellësitë rreth 2000 metër nën sipërfaqen e Tokës. Duket që nuk ka pasur asnjë specialist me përvojë për të parashikuar ndodhitë dhe për të marrë masat paraprake. E njëjta situatëme ndodhitë e shpërthimeve në Marinëz, më 1 Prill 2015.
Ne që po shkruajmë, jemi dy gjeologë pensionistë, ish pedagogë të Fakultetit të Gjeologjisë dhe Minierave dhe për ta ditur, njeri 82 vjeç dhe tjetri 74.
Unë, si më i riu, pasi dëgjova lajmin në TV në mëngjes, menjëherë mendova se është një ngjarje e përsëritur dhe lidhur me të, kam bërë komentet e rastit me studentët e kursit, se si u gjend gazi metan në galeritë e Bulqizës, çfarë rëndësie të posaçme ka dhe ç’duhej bërë më tej. Në ato shpjegime, pata parasysh edhe përfundimet e studimeve dhe interpretimet e bëra nga ish pedagogu im, specialist gjeologo-gjeofizik, me një aktivitet të jashtëzakonshëm, teorik dhe praktik në fushën e gjeologjisë dhe gjeofizikës, i njohur gjerësisht edhe jashtë vendit.
Njëherësh, m’u kujtua se duhej të takoja ish bashkëstudentët e mi të specialitetit të Minierave, me të cilët u lidha atëhere kur ndodhi shpërthimi i parë i gazit Metan në galeritë e Bulqizës, sot, pensionistë; inxhinier Sotiraq Markollari, specialist i Repartit të Shpëtimit të Minierave, i angazhuar në rastin e parë të shpërthimit dhe Inxhinierin e minierës Vangjel Demiri, edhe ky bashkëstudenti im, i cili ka qenë një nga “manovratorët” e guximshëm, gjatë punës dhe përpjekjeve për të vënë në kontroll fontanën tepër të rrezikshme dhe të fuqishme si asnjëherë në vendin tonë, në Pusin Cakrani-37, gjatë fillimviteve ’80. Nuk arrita të takohem me ta nga një telefonatë herët në mëngjes nga Profesori, që më ndërroi planet. Ideja e tij, ishte se të dy, mund të propozonim një studim gjeologo-gjeofizik i cili në përfundim, do të rezultonte një mundësi për zbulimin e një grumbullimi nafte apo gazi. Siç edhe kuptohet, ky mendim fisnik ashtu si edhe më parë, dallohet për shqetësimin intelektual të profesorit për të ardhmen e vëndit, veçori që gjeologët e kanë pasur tërë jetën, parimin bazë të veprimtarisë së tyre dhe i a kanë dalë mrekullisht, duke i “falur” vendit burime shumë të pasura energjitike si nafte e gazi, qymyre, minerale të rralla, hekur, krom dhe bakër, materiale ndërtimi, burime ujërash të pijshëm dhe termale etj etj.
Dhe ramë dakord që sëbashku të shkruajmë, që informacioninlidhur me gazin në galeritë e Bulqizës, për aq sa mundim, të bëjmë pronë të publikut të gjerë, i cili do të jetë në gjendje të kontrollojë dhe nxisë veprimet e mëtejshme që këto burime të vihen në shërbim të tij.

Së pari, duhet të theksojmë se gazi është Metan, gaz që përfaqëson produktin e parë që del nga “guzhina” ku “gatuhet” nafta. Është produkt si “balli i kazanit”.  Në vendin tonë, gaz të tillë ka pasur në Divjakë, Frakull etj.  Është i përbërë nga Karboni dhe Hidrogjeni. Është lëndë e parë, përveç si lëndë djegëse energjitike edhe për industrinë e plehrave kimike, apo ushtarake. Uzina e plehrave kimike në Fier, (sot, nuk ekziston më), kish Metanin si lëndë të parë.Duke shtuar pak përbërësa të tjerë më të rëndë, përdoret si gaz i lëngshëm për djegie, në shtëpitë ose në automobilat. Është një gaz më i lehtë se ajri, pra, në krahasim me të, është sa rreth 60% e peshës së ajrit. Kjo peshë, relative do kuptuar se shpërndahet shpejt në ajër dhe tenton të ngjitet sa më sipër kur mundet.

Si krijohet?
Ka dy rrugë që gjeologët mendojnë se mund të formohet gazi metan. E para, është mënyra biogjenike, që nënkupton formimin e gazit metan nga “kalbëzimi” i lëndës organike të vdekur apo varrosur, në trajtën e  gjallesave apo bimëve. Por, duhet theksuar se burimet e vlefshme të gazit, krijohen në thellësi deri edhe disa kilometrike dhe grumbullohen atje ku lëvizja e tyre bllokohet. Në nëntokë, mundësitë e bllokimit të lëvizjes së tij për lart dhe grumbullimi në sasira të vlefshme, ndodh përgjithësisht rrallë dhe është e vështirë të zbulohen që nga sipërfaqja e Tokës.

E dyta, është rruga jobiogjenike ose kimike. Në këtë rast, është provuar me reaksione, formimi i gazit metan nga produkte të thellësive të mëdha të cipës së Tokës, nga bashkimi i Hidrogjenit të ujërave të thellësisë, qoftë edhe në gjendje avulli, dhe karbonit që gjendet në sasinë më të madhe të mundshme si përbërës i shumë lëndëve.

Cili do të ishte rasti ynë? Nuk e dimë dhe as e përjashtojmë që të jetë njeri apo tjetri rast dhe mundësitë janë për tê dy rastet.Por duhet thënë se deri sot, nevojat e popullsisë për gaz, i ka plotësuar gazi i formuar nga lënda organike, i cili është relativisht më i lehtë për t’u zbuluar se në rastin e dytë, përshkak të njohjes më të mirë të kushteve dhe vëndeve të formimit të tij.
Si të gjitha lëndët më të lehta se uji që gjendet përherë në shkëmbinjtë e nëntokëspor edhe më i lehtë se ajri që gjendet në atmosferë, gazi lëviz gjithmonë për më lart, nëpër rrugë që është e vështirë të mësohen se cilat janë. Ne në gjeologji, duke parë daljet e gazit në sipërfaqe, përpiqemi të gjejmë vendin e grumbullimit të tij, duke përdorur veç të tjerash edhe sizmikën.
Shfaqja e gazit në galeritë e Bulqizës, na tregon se pranë atij vendi, duhet të jetë ainjë vend kurth gazmbajtës ose edhe naftëmbajtës. E rëndësishme është të evidentohet pozicioni i këtij kurthi, edhe për vetë shfrytëzimin efektiv të kromit në galeritë e minierës së Bulqizës edhe për faktin që të mos kemi shfaqje të tilla deri vdekjeprurëse.
Dhe për të parashikuar se si dhe ku mund të jetë grumbulluar ai gaz, na vijnë një ndihmë një sërë studimesh të kryera prej kohësh, midis të cilëve, studimet dhe interpretimet e Prof. Alfred Frashërit dhe shumë gjeologëve të tjerë, vendas apo edhe të huaj.
Studimet gravimetrike dhe magnetometrike krahinore të kryera në Shqipëri,kanë treguar se shkëmbinjtë magmatikë që shtrihen në rajonin e Bulqizës përfaqesojnë një masiv me trashësi maksimalë 5.5 km në qendrën e tij (shih profilin gjeologo gjeofizik krahinor Albanide 1 (AlfredFrasheri etj. 1996, 2009]. Nën masivin ultrabazik, shtrihen shkëmbinj flishore dhe gëlqerorë, të ngjashëm me ata të zbuluar  më parë si naftëmbajtës në vendin tonë.


Por me studimet e deritanishme nuk ka patur mundësi të studiohej forma e “enës kurth” nën masivin magmatik ultrabazik. Në vitet nëntëdhjetë, u hartua një projekt ndërkombëtar me Institutin Gjeofizik (OGS) të Triestes dhe Departamentin e Gjeologjisë të Universitetit të Barit në Itali, për të vrojtuar dy profile krahinore nga Apeninet, nëpër Shqipëri-Maqedoni-Bullgari deri në Detin e Zi.  Njëri nga ta, kalonte mbi Bulqizë. Projekti financohej nga Brukseli. Nga vendi ynë, u pengua kryerja e këtyre dy profileve, të cilat OGS i zhvendosi më në Jugë, në detin Jon në territorin Grek. Këto profile do të hidhnin dritë për praninë e mundëshme të strukturave naftë-gazmbajtëse nën masivin magmatik ultrabazik të Bulqizës, duke hapur edhe perspektivën e kërkimeve të suksesshme të naftës e gazit nën zonën e shkëmbinjve magmatikë në vendin tonë.
Në një fshat të Gollobordës një burim uji, nxjerr bulëza gazi metan, që normalisht vjen nga nga strukturat gëlqerore të thellësisë nën të shkëmbinjtë magmatikë. Kjo shfaqje gazi, u bë shkak për disa vrojtime gjeofizike, madje edhe projektimin e një pusi në fund të viteve tetëdhjetë, i cili nuk u shpua, për mungësë të vrojtimeve sizmike.

Masivët e shkëmbinjve magmatikë shtrihen në një territor të gjerë në Shqipëri. Do të ishte me rëndësi jo vetëm për gjeologjinë krahinore, por edhe të zgjerimit të fushës së kërkimeve të naftës dhe të gazit në Shqipëri në të ardhmën. Në këtë drejtim, studimi i gazit të fontanuar në minierën e Bulqizës ka rëndësi të madhe, për rritjen e perspektivës naftêgazmbajtëse në njê sipërfaqe të konsiderueshme.
Po kështu, evidentohet perspektiva e lartë e kësaj zone edhe në disa studime të tjera të gjeologëve me përvojë (Vangjel Kici, 2001,2003, 2013). Në to, ndryshe nga shumë autorë të tjerë gjeologë arrihet në përfundim se  “Shfaqje hidrokarburesh (naftë dhe gaz sh.im), ka edhe në gëlqerorët në anë të ofioliteve dhe kjo tregon se hidrokarburët kanë qenë të pranishëm edhe në Lindje të zonës tektonike të Krastës. Prandaj, në kushte të favorshme strukturore dhe mbulesore, në lindje të kësaj zone, duhet të ketë vendburime të ruajtura nafte dhe sidomos gazi”. Dhe më tej, autori në fjalë, thotë: “Nga krahasimi i zonës Jonike (aty ku gjenden terë vendburimet e zbuluara të naftës me Brezin ofiolitik të Mirditës, rezulton se ky i fundit, që shtrihet në Lindje të zonës tektonike të Krastës, ka perspektivën më të madhe për naftë dhe gaz në Shqipëri” (fq. 15).

Një studim i hollësishëm gjeologo-gjeofizik për evidentimin e kësaj pasurie, do të ishte i domosdoshëm. Por problemi sot shtrohet se nuk ka kush ta kryejë atë studim! Instituti i naftës dhe i gazit, që pretendohet të ngrihet, nuk ka për t’i gjetur profesionistët U bënë 10 vite që ai është mbyllur me vendim të veçantë të Këshillit të Ministrave! Gjithashtu, dega e Gjeologjisë së Naftës dhe e Gjeofizikës në Fakultetin e Gjeologjisë, është mbyllur qysh në vitin 1995. Veç kësaj, cilësia e përgatitjes së gjeologëve të rinj, pas reduktimit të punëve praktike dhe praktikës prodhuese e profesionale është e dikutueshme.

Nuk mund të themi se këto informacione, të rëndësishme janë pasur parasysh nga ata që kanë marrë me konçesion këto pasuri dhe aq më pak t’i u jenë rekomanduar nga specialistët tanë,  atyre që i shfrytëzojnë ato. Të huajt,  nuk e njohin situatën gjeologjike dhe përvojën tonë. Në hierarkinë e institucioneve shtetërore por edhe në ato shkencorenuk ka profesionistë të mirëfilltë.

Prof. Dr. Alfred  Frashëri
Prof. Dr. Gjergji Foto

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button