Ekonomia

Gazi natyror, perspektivat që sjell TAP-i

Ndërsa investimi i projektit të gazsjellësit TAP në Shqipëri llogaritet në 1.5 miliardë usd, punimet do të nisin vitin tjetër me përgatitjen e infrastrukturës së nevojshme në territorin e vendit tonë në rreth 210 km gjatësi.
Me futjen e gazit natyror në vend, sipas studimeve të kryera nga TAP, kërkesa për gaz natyror për tregun shqiptar në vitin 2030 parashikohet të arrijë në rreth 1.6 miliardë m3, ndërsa vlerësohet se kontributi i gazit natyror në konsumin final të energjisë në Shqipëri, do të arrijë në 37%.

Gazi natyror, energji ende e munguar në Shqipëri

Mbahet në Tiranë takimi i 10-të i Komitetit Ndërshtetëror për Gazsjellësin IAP 2Kontributi i nënprodukteve të hidrokarbureve zuri 53.1 % të totalit të burimeve energjetike në vitin 2012, kur sigurimi i burimeve primare të energjisë arriti në nivelin 2014.15 ktoe. Përdorimi në masë i energjisë elektrike për konsum, ndikoi në uljen e përdorimit të nënprodukteve hidrokarbure, kryesisht gazi i lëngët, që zunë vetëm 53,1% në vitin 2012, nga 57,2% që ishte në vitin 1999.
Prodhimi dhe përdorimi i gazit natyror në Shqipëri që prej vitit 1971, u rrit ndjeshëm deri në vitin 1980, me prodhimin 0.4 billion m3, vijoi deri në vitin 1990 për t’u ndërprerë si burim energjetik. Pas vitit 1990 deri sot, gazi natyror është përdorur vetëm për rafinerinë e Ballshit dhe në vendburimet për prodhimin e gazit dhe naftës. Në vitin 2012, prodhimi lokal i gazit natyror dhe gazit shoqërues të naftës ka qenë në vlerat e 17 milion m3.
Sot kapacitetet prodhuese të gazit janë zvogëluar ndjeshëm edhe pse totali i rezervave të gazit natyror në vend llogariten 57 milion m3.
Zhvillimet për sektorin e gazit natyror në përdorim në të ardhmen në Shqipëri lidhen me realizimin e projekteve të gazsjellësave TAP dhe IAP, ku konsumi i gazit natyror vlerësohet të rritet në nivelet 1.6 miliardë m3 gaz deri në vitin 2030. Rreth 70% e gazit natyror në konsum parashikohet të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike në vitin 2030.
Fillimisht, gazi natyror parashikohet të përdoret nga industritë e mëdha dhe prodhuesit e energjisë termike për prodhimin e energjisë elektrike. Pas vitit 2020 parashikohet që gazi natyror të nisë të përdoret nga konsumatorët familjarë dhe në sektorin e shërbimit duke u rritur çdo vit. Vlerësohet nga ekspertët që kontributi i gazit natyror në konsumin final të energjisë të arrijë deri në 37% në vitin 2030.

210 km rrugëtim i TAP nëpër Shqipëri

tap3Gazsjellësi Trans Adriatik (TAP) është një projekt i ri ndërshtetëror dhe do të transportojë gazin natyror të prodhuar nga fusha “Shah Deniz II” në Azerbajxhan tranzit drejt Greqisë dhe Shqipërisë, Detit Adriatik në Leçe (Italia Jugore), ku do të lidhet me rrjetin e transportit të gazit në Itali e për t’u shpërndarë në vendet e tjera të Evropës. Projekti TAP parashikon që të përfshijë dhe “rrjedhjen fizike të gazit në drejtimin e kundërt”, duke lejuar që gazi nga Italia të drejtohet në Evropën Juglindore, nëse furnizimet me gaz do të mungojnë në rajon, ose për një sasi më të madhe furnizimi me gaz natyror.
Gjurma e TAP do të jetë afërsisht 870 km, ku në Greqi do të jenë 550 km tubacion gazi, në Shqipëri 210 km, në det të hapur (offshore) në Adriatik 105 km dhe në Itali 8 km. Kuota më e lartë, në 1800 metra e shtrirjes së gazsjellësit TAP do të jetë në Shqipëri dhe kuota më e ulët 810 metra në thellësi të Detit Adriatik. Pika e fillimit të gazsjellësit në territorin grek është në Kipoi, afër kufirit greko-turk, ku do të ndërlidhet me gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP), ndërsa pika e daljes në territorin italian në San Foca (Leçe).
TAP duke ofruar rrugën e transportit me më efikasitet ekonomik hap Korridorin Jugor të Gazit për Europën me një sistem transporti të gazit 4000 km të gjatë me vlera gazifikimi nga deti Kaspik, në Evropë.
Korridori i TAP-it në territorin shqiptar shtrihet në 38 bashki dhe komuna të qarqeve Korçë, Berat dhe Fier, ku kapaciteti transportues i gazsjellësit do të rritet nga vlera fillestare 10 miliardë m3 gaz/vit, deri në 20 miliardë m3 gaz/vit.
Gjurma e TAP hyn në tokën shqiptare në jug të qytetit Bilisht, vazhdon në fushat e Devollit dhe Korçës, kalon në qytetin e Çorovodës, anashkalon në veri qytetin e Beratit, kalon qytetin e Fierit për në Seman dhe Topojë deri në seksionin shqiptar të daljes në detin Adriatik, deri në Leçe të Italisë.
Komponentët kryesore të projektit TAP në territorin shqiptar në tokë dhe det përfshijnë tubacione dhe stacione kompresimi. Kështu një tubacion 48″, afër 210 km i gjatë, futur nëntokë, nga kufiri Greqi -Shqipëri do të zgjatet deri në stacionin e kompresorëve në Topojë në Fier, ku një tubacion i vjetër 36″ do të kalojë nga stacioni i kompresorëve në Topojë, deri tek dalja nga toka në det në brigjet e detit Adriatik, afër 60 km i gjatë në territorin detar të Shqipërisë.
Një stacion matës/kompresimi do të jetë në afërsi të Bilishtit, ku objektet dhe rrjeti elektrik do të lidhen me të si linjë e tensionit të mesëm, afër 1.5 km e gjatë pranë kufirit Shqipëri-Greqi. Një stacion kompresimi dhe rrjeti elektrik i lidhur me të si linjë e tensionit të mesëm, afër 8 km e gjatë do të jetë pranë qytetit të Fierit. Gjithashtu do të ndërtohen afër 10 stacione valvulash të bllokimit përgjatë gjurmës në tokë në intervale deri 30 km për të ndërprerë rrjedhën e gazit në rast mirëmbajtjeje, a emergjence.
Punime do të bëhen nga TAP prej vitit 2015 për rrugët hyrëse për ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen e tubacionit dhe infrastrukturës së tij si dhe punime të tjera të përkohshme si sheshet për vendosjen e tubave, kampet e punëtoreve, etj.
Pranë kufirit Shqipëri-Greqi, një stacion matjeje do të zgjerohet duke u shndërruar në një stad të mëvonshëm në një stacion kompresori për të rritur kapacitetin e gazsjellësit në 20 mmk/vit. Përtej daljes në det, gazsjellësi TAP do të shtrihet rreth 60 km në det në kufirin Shqipëri-Itali në detin Adriatik, ku një terminal për pritjen e gazsjellësit do të ndërtohet në Leçe (Itali).
Kompania TAP u themelua në 13.3.2007 në Baar, (Zvicër) si investitor me përgjegjësi që të ndërtojë e mundësojë operimin e gazsjellësit Trans Adriatik dhe në aktivitetin e transmetimit të gazit natyror në seksionin tokësor e detar.
Investimi total për transportimin e gazit përmes Korridorit Jugor të Gazit llogaritet rreth 40 miliardë USD, ku vlera e investimit në Shqipëri do të jetë rreth 1,5 miliardë USD, përfshirë ndërtimin e rrugëve për ndërtimin e tubacionit, ndërtimin e tubacioneve në tokë dhe në det, rregullim infrastrukture, ndërtimin e stacioneve të kompresorëve, ndërtimin e terminalit për pritjen e gazsjellësit në Itali, ndërtimin e valvulave, blerjen e tokave, që do të ndikohen nga kalimi i rrugëve, tubacionit apo stacioneve të kompresorëve, etj.
Projekti TAP do të zbatohet në dy faza, ku në të parën parashikohet kapaciteti i gazsjellësit për transportin e 10 miliard m3 gaz/vit dhe në të dytën, rritje e kapacitetit deri në 20 miliard metër3 gaz/vit.

TAP, projekt për gazifikimin e Shqipërisë

Kërkesa e gazit natyror për tregun shqiptar në 2030 parashikohet të arrijë në rreth 1.6 miliardë m3/vit, ku projekti TAP parashikon të zhvillojë infrastrukturën e nevojshme duke tërhequr investime të huaja të rëndësishme.
TAP pritet të nxisë aktivitetin ekonomik, të hapë vende të reja pune, të zhvillojë aftësitë dhe potencialet prodhuese e të shërbimit në vend si dhe të japë mbështetje në përmbushjen e nevojave energjetike në të ardhmen, duke zhvilluar një treg të brendshëm energjetik dhe gazit natyror.
Si një nga zhvillimet infrastrukturore energjetike më të rëndësishme në Evropë, projekti TAP vlerësohet të ofrojë mundësi për kompani vendase dhe ndërkombëtare për volumet e punës, si furnitorë dhe ofrues shërbimesh.
Projekti TAP pritet të ndihmojë Shqipërinë në rrugën e integrimit tregtar dhe fizik me Evropën, duke rritur rëndësinë rajonale dhe gjeostrategjike të vendit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button