Ekonomia

Gazifikimi i Shqipërisë, rrjeti i transmetimit kushton 180 milionë euro, ja tre projektet e para

Master Plani i Gazit për Shqipërinë (MPG) dhe Plani i identifikimit të Projekteve (PIP) kanë përfunduar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian (BE) prej 1,100,000 euro nëpërmjet Kuadrit të investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF).

Ministria e energjetikës njoftoi se projektet më premtuese për investime janë dakordësuar me Ministrinë e Energjisë dhe industrisë, janë zhvilluar më tej, si projekte të investimeve prioritare.

Ato përfshijnë

i) tubacionin nga TAP, afër Fierit, deri në Termocentralin e Vlorës,

ii) tubacionin nga TAP në Fier dhe Ballsh, dhe iii) tubacionin nga Tirana në Durrës. Këto projekte janë zhvilluar në nivelin e Studimit të Para-Fizibilitetit dhe Qëndrimit ndaj Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis dhe mund të zbatohen në periudhën 2018-2020.

Projekti i Masterplanit të Gazit shqyrton të gjithë aspektet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të furnizimit me gaz natyror duke përfshirë dhe çështjet teknike, ligjore, rregullatore, ekonomike, tregtare, mjedisore, dhe sociale që lidhen me futjen e gazit në Shqipëri. Raporti i MPG-së u përfundua në Nëntor 2016, kurse raporti i Vlerësimit Strategjik Mjedisor (VSM) në Janar 2017, në bashkëpunim të ngushtë me përfituesit kryesorë dhe aktorët e interesit.

Masterplani i Gazit gjithashtu ka shqyrtuar kërkesën dhe ofertën për gazifikimin e mundshëm të të gjithë qyteteve të mëdha dhe konsumatorëve të mëdhenj industrialë, duke përfshirë impiantet e prodhimit të energjisë elektrike nga djegia e gazit natyror dhe perspektivën e magazinimit të gazit pranë Dumresë në periudhën 2020 deri 2040.

Një nga gjetjet kryesore dhe rekomandimet e këtij studimi është se infrastruktura e gazit duhet të zhvillohet duke filluar nga TAP dhe trekëndëshi Fier-Vlorë-Ballsh, ku janë vendosur disa prej përdoruesve më të mëdhenj industrialë.

Projekti është i lidhur ngushtësisht me projekte të tjerë të financuar nga BE-ja si Studimi e Fizibilitetit të përfunduar tashmë të Gazsjellësit Jonian Adriatik (që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin i Zi, dhe Shqipërinë), me Master Planin e Gazit për Malin e Zi, me Studimin për Unazën e Gazit të financuar nga Bashkimi Evropian, si dhe me përgatitjes së Projekt-idesë të Gazsjellësit Jonian Adriatik në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe Studimi i Para-fizibilitetit për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë.

Vlera e përgjithshme e investimit për rrjetin e transmetimit të Shqipërisë do të jetë rreth 185 milion euro dhe gjatësia e përgjithshme e tij do të jetë rreth 625 km. Nga këto, rreth 87 milion euro dhe 168 km i përkasin gazsjellësit iAP. Shtylla kryesore e rrjetit shqiptar të transmetimit do të jetë iAP, për të cilin ËBIF ka dhënë një grant prej 2.5 milion euro për projektin paraprak dhe për përditësimin e VNM-së, për pjesën që përshkon Shqipërinë dhe Malin e Zi.

 

Projekti i parë prioritar

 

Një nga projektet prioritare me rëndësi, midis atyre të identifikuar nga Masterplani është dega TAP CP1 – Fier – Vlorë, për të cilën u përgatit studimi i para-fizibilitetit si edhe studimi mjedisor. Kjo degë mbulon një zonë me kërkesa prej rreth 250 milion m3/vit. Nga kjo sasi, rreth 190 milion m3/vit do të jenë nevojat e TEC-it ekzistues të Vlorës (100MË) dhe atij të mundshëm (200MË). Zëvendësimi i naftës me gaz natyror në TEC-in ekzistues do të shmangë ndotjen. Linja e transmetimit PIP1 do të jetë rreth 40 km e gjatë, do të kushtojë rreth 15 milion euro dhe është parashikuar të ndërtohet brenda tre vjetësh. Rrjeti i shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës është parashikuar të jetë rreth 230 km i gjatë dhe do të kushtojë rreth 32 milion euro. Kjo degë transmetimi do t’i nënshtrohet studimit të fizibilitetit dhe VNM-së së plotë, me mbështetjen e projektit të asistencës teknike të ofruar nga SECO.

 

Projekti i dytë prioritar

 

Projekti tjetër prioritar me rëndësi të madhe është ai i degës TAP CP1-Fier-Ballsh. Kjo degë transmetimi mbyll furnizimin me gaz të trekëndëshit industrial Fier-Vlorë-Ballsh, me një kërkesë të mundshme prej rreth 600 milion m3/vit. Linja e transmetimit PIP2 do të jetë rreth 39 km e gjatë, do të kushtojë rreth 11 milion euro dhe është parashikuar të ndërtohet brenda tre vjetësh. Kjo degë do të furnizojë disa konsumatorë të mëdhenj, si rafineritë e naftës në Fier e në Ballsh dhe industrinë e nxjerrjes së naftës në Patos-Marinëz, si dhe industri të tjera, për një total prej rreth 330 milion m3/vit. Rrjeti i shpërndarjes në zonat urbane të kësaj dege është vlerësuar rreth 69 milion euro.

 

Projekti i tretë prioritar

 

Projekti i tretë i rëndësishëm i studiuar në nivelin e para-fizibilitetit është dega e transmetimit për Tiranën dhe Durrësin. Ky rrjet do të furnizojë me gaz sektorin industrial, të shërbimeve dhe rezidencial dhe sipas parashikimeve të Masterplanit, në vitin 2040, kërkesa e tyre do të jetë rreth 740 milion m3/vit. Kostoja e këtij rrjeti transmetimi do të jetë rreth 11 milion euro, për një gjatësi prej rreth 35 km.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button