Intervista

Gazmend Oketa: Shqipëria, një demokraci putiniane

oketaIsh-Ministri i Mbrojtjes dhe dy herë deputet i Partisë Demokratike në qarkun e Durrësit, aktualisht sekretar i përgjithshëm i Frymës së Re Demokratike, Gazmend Oketa, thotë për agjencinë e lajmeve NOA.al se aktualisht në Shqipëri nuk ka demokraci të tipit perëndimor, por një demokraci mikse orientale. Ndërsa krahason 45 vitet e komunizmit me 24 vitet e pluralizmit politik, Oketa thekson se gjëja më e rëndësishme e fituar, liria, i justifikon gjithë të mirat e pretenduara të sistemit komunist, pa llogaritur faktin se sot shqiptarët jetojnë më mirë. Por ai gjithashtu rrëfen se ëndrra e studentëve të dhjetorit ’90, pjesë e të cilëve ishte edhe ai vetë, nuk është kjo Shqipëri gjysmë demokratike e gjysmë totalitare.

Z. Oketa, ju keni qenë një ndër studentët e dhjetorit të vitit 1990. Nga ajo kohë kanë kaluar gati 24 vjet. Ai përgjigjet Shqipëria e sotme atij vendi që ju kishit në mendje në kohën kur përmbysët sistemin komunist?

Shqipëria e sotme pa asnjë mëdyshje është një vend shumë herë më i mirë për të jetuar se Shqipëria e periudhës së komunizmit. Dëshira dhe ëndrra e vitit 1990, për të pasur një Shqipëri si gjithë Europa, ishte dhe mbetet një ëndërr e madhe, e cila siç duket nuk mund të bëhej plotësisht realitet brenda 24 viteve. Çdo shoqëri ka nevojë për kohë, një kohë gjatë të cilës mëson, gabon, fiton eksperienca, rrëzohet, ngrihet, dhe, nëse është një shoqëri e drejtuar siç duhet, atëherë ajo fiton kohën e humbur, nëse jo, humbet akoma më shumë kohë. 45 vitet nën një regjim të egër komunist, kanë lënë pasojat e tyre në formimin e shoqërisë shqiptare dhe të raportit të saj me shtetin, institucionet dhe demokracinë. Nga ana tjetër, drejtimi i vendit gjatë këtyre 24 viteve nga e njëjta “elitë politike” e formuar profesionalisht e politikisht në periudhën e regjimin komunist, ka bërë që Shqipëria e sotme të jetë një vend të cilit është vështirë t’ia përcaktosh sistemin real qeverisës. Sot Shqipëria, aq sa duket demokratike, aq duket dhe totalitare, sa e lirë, aq edhe e izoluar, sa me ekonomi të lirë tregu, akoma më shumë me treg të kontrolluar, sa me institucione të pavarura, aq me drejtues institucionesh të varur politikisht, sa me sistem drejtësie të pavarur, akoma më shumë duket një vend pa drejtësi, një vend me shumë media e me fare pak media të lirë e jashtë interesave politike, një vend me pronarë e tituj pronësie, por akoma më shumë me çështjen e pazgjidhur të pronësisë, një vend ku të gjithë flasin për ish-spiunë e askush nuk i hap dosjet, një vend ku të gjithë flasin për luftë kundër korrupsionit e ku të gjithë e pëlqejnë dhe e mbrojnë atë. Ky vend sot ngjan më shumë me një demokraci mikse orientale e putiniane, sesa një demokraci perëndimore. Kjo e bën të jetë pak larg ëndrrës sonë të vitit 1990. Ndoshta ajo ëndërr, ka qenë më e bukur e idealiste se ç’duhej të ishte.

Intervistoi: Era Çela 

Z. Oketa cili ka qenë vendimi juaj më i vështirë që keni marrë nga koha që keni filluar të merreni me politikë?

Ka qenë pikërisht vendimi për t’u marrë me politikë.

Ju tentuat rizgjedhjen për herë të tretë në Durrës si deputet. Nuk fituat, me gjithë imazhin e mirë si intelektual dhe si një “djalë i mirë Durrësi”. Mendoni se nuk ka ardhur koha e një politike intelektuale, paguat koston e pjesëmarrjes në qeverinë “Berisha” apo i keni ndonjë “borxh” qytetarisë durrsake?

Unë besoj se mënyra ime e të bërit politikë është krejt normale dhe brenda të gjitha normave etike. Nëse kjo quhet politikë e kohës apo jo, këtë le ta gjykojnë qytetarët. Personalisht, jo për një vend në parlament, por për asnjë arsye, unë nuk dua dhe nuk mund të sillem ndryshe. Unë jetoj kohën time, me mënyrën time edhe në të bërit politikë, siç dhe mirëkuptoj cilindo që për shkak të formimit të ndryshëm apo kushteve ku ka jetuar, jeton kohën e tij, pavarësisht se mund të jetë krejt e ndryshme nga e imja. Tek mos arritja e marrjes së mandatit të tretë nuk mund të lë pa përmendur kodin zgjedhor, i cili është bërë pikërisht për të eliminuar zërat ndryshe dhe për ta mbushur Kuvendin kryesisht me kartonë e jo me deputetë. Në kuptimin më të trashë të fjalës borxh, kuptim i cili fatkeqësisht përdoret më së shumti në shoqërinë tonë, askush nuk më ka asnjë borxh dhe as unë nuk i kam askujt borxh. Nëse e marrim në kuptimin e borxhit moral, atëherë mund t’ju them se, unë jam ndjerë në detyrim moral ndaj qytetarëve durrsak të cilët më votuan dy herë, pasi në emër të një qeverisje ndryshe në vitin 2005 i premtuam luftë ndaj korrupsionit e ndëshkim të pushtetarëve të korruptuar, zhdukje të monopoleve, qeverisje me duar të pastra, zgjidhje të çështjes së pronës, respekt dhe mbështetje për të përndjekurit, arsim më të mirë, shëndetësi më të mirë, shanse të barabarta për të gjithë, drejtësi të reformuar e shumë premtime të tjera. Sot kur bën bilancin sigurisht nuk ka politikan që të mos ndjehet në borxh moral me qytetarët. Këtu flas për ata që kanë moral e qytetari. Pjesa tjetër as që e mendon se i detyrohet qytetarëve, përkundrazi vazhdon e punon me bindjen se qytetarët i detyrohen atyre.

Në cilësinë e njërit prej drejtuesve të FRD, cili është mendimi juaj për ndarjen territoriale dhe si do ta komentoni ju qëndrimin e opozitës për mosnjohjen e kësaj ndarjeje dhe madje mundësisë së bojkotimit të zgjedhjeve lokale sipas z. Basha?

Fryma e Re Demokratike është shprehur që në fillim se ishte dhe është në favor të domosdoshmërisë së realizimit të një reforme të re të ndarjes administrative. Ishte e pakuptimtë dhe pa asnjë interes për qytetarët të vazhdohej me të njëjtat komuna e bashki gati si para viteve ’90. Sigurisht kalimi në momentet e fundit, nga varianti me 47 apo 49 bashki në variantin me 61 njësi vendore, të lë përshtypjen se kalkulimet dhe interesat politike vazhdojnë të kenë një influencë të fortë edhe kur bëhet fjalë për reformat të mëdha. Megjithatë është shumë pozitiv fakti që kjo reformë u miratua. Negativ është fakti që forca kryesore e opozitës në parlament, PD, nuk mori pjesë në procesin e diskutimit të kësaj reforme dhe, akoma më keq, nuk paraqiti asnjë alternativë apo propozim të sajin. Edhe përpjekjet apo thirrjet e saj për ta penguar zbatimin e kësaj reforme, veçse rrisin artificialisht tensionin politik dhe më së shumti dëmtojnë vetë opozitën. Për sa i takon deklarimeve se PD mund të bojkotojë zgjedhjet lokale, kjo është një pyetje përgjigjen e së cilës duhet ta merrni tek ajo forcë politike, por për sa kohë ajo forcë udhëhiqet nga interesa politike apo ekonomike dhe jo nga parime demokratike, gjithçka është e mundur.

Kthehemi pak në retrospektivë, gjithmonë duke bërë një krahasim ndërmjet dy kohërave. Enver Hoxha drejtoi Shqipërinë për mbi 40 vjet, por nuk u la djemve qoftë dhe një apartament të vetëm, ndërsa bashkëshortja e tij, Nexhmije Hoxha, u dënua për abuzim me mollë dhe kafe. A jemi ne sot të ndershëm në vlerësimet negative të atij sistemi, kur sot pushtetarët tanë janë bërë me vila dhe pasuri me miliona euro?

Ju në pyetjen tuaj po krahasoni pushtetarët dhe nuk po krahasoni jetën e qytetarëve të thjeshtë në dy periudhat. Sot, kur ne bëjmë krahasimin, e marrim të mirëqenë gjënë më kryesore, lirinë, por të mos harrojmë se në atë kohë ajo as që ekzistonte. Enveri apo Nexhmija nuk kishin nevojë t’i linin apartamente apo troje fëmijëve, pasi e gjithë Shqipëria ishte e tyre. Ishte ai sistem i cili burgosi, internoi, ekzekutoi mijëra shqiptarë, vrau në kufi qindra të rinj, zhduku të gjithë intelektualët e shkolluar në perëndim, izoloi tërësisht shoqërinë shqiptare, krijoi “njeriun e ri”, nxiti luftën e klasave. Ishte ai regjim që i la familjet shqiptare në një varfëri ekstreme, prandaj dhe ata e përmbysën atë. Sigurisht dikush mund të përmendë elektrifikimin, hidrocentralet, hekurudhat, anijet apo dhe bunkerët e atij sistemi, por unë besoj se kushdo do t’i falte të gjitha këto vetëm për të qenë i lirë e dinjitoz në vendin e tij. Sot e keqja nuk është se ka njerëz të pasur apo pushtetarë të pasur, pasi tek e fundit ky është dhe sensi i një ekonomie tregu, t’i japë shanse njerëzve të punojnë për familjet e tyre. Sot e keqja është se askush, nga ata që i vë këto pasuri duke vjedhur buxhetin e shtetit apo xhepat e qytetarëve në këmbim të favoreve, nuk dënohet. Por kjo nuk e bën sistemin komunist më të mirë se ky që kemi. Që korrupsioni të dënohet, nuk mjaftojnë vetëm deklaratat politike, nuk mjafton që shoqëria vetëm të shfryjë dufin nëpër rrjete sociale apo media. Shoqëria shqiptare duhet vërtet të reagojë e jo të bëjë sikur reagon, e më pas secili përpiqet të zgjidh punët e tij duke paguar dhe duke korruptuar. Kështu nuk bëjmë gjë tjetër veçse humbim akoma më shumë kohë për ta bërë Shqipërinë vërtet një vend europian.

Dolëm nga një sistem që e shndërroi Shqipërinë në vendin më të armatosur për frymë popullsie në Ballkan. Aktualisht jemi me forca të armatosura pa tanke, pa anije luftarake, pa avionë dhe me një efektiv shumë të reduktuar. Përvoja ka treguar se anëtarësimi në NATO nuk i ka mbrojtur vendet e Aleancës nga konfliktet kur të dyja janë vende anëtare (ndër të tjera konflikti Turqi-Greqi për Qipron). A do ta përballonte ushtria e sotme një konflikt të tillë nëse dhe kundërshtari do të ishte anëtar i NATO-s?

Aktualisht Shqipëria dhe shqiptarët në Ballkan, po kalojnë momentin më të mirë të tyre që nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë në 1912. Sot kemi një Shqipëri anëtare në NATO, kemi një Kosovë të pavarur, siç edhe kemi një forcim të ndikimit të faktorit shqiptar në Maqedoni, e mos harrojmë se mbështetja që shqiptarët e Malit të Zi i dhanë referendumit të mbajtur atje, i siguroi shkëputjen nga Serbia edhe Malit të Zi. Shqiptarëve në rajon sot i njihet plotësisht roli i tyre si faktor stabiliteti e sigurie dhe absolutisht Shqipëria në NATO është një vend shumë më i sigurt se Shqipëria e para vitit 1990, me gjithë arsenalin e armatimit që ajo kishte në atë periudhë. Sot Shqipërisë nuk i kanoset asnjë rrezik për ndonjë konflikt të armatosur dhe koncepti i sigurisë është shumë më i gjerë e nuk sigurohet vetëm me mjete ushtarake. Megjithatë, në çdo situatë, ushtria e sotme shqiptare është një ushtri e ristrukturuar, profesionale dhe e modernizuar dhe e aftë të përmbushë detyrimet që i dalin nga Kushtetuta e Shqipërisë.

Janë konstatuar raste të vendimeve të shumëkomentuara si pakti detar me Greqinë. A mendoni se në të tilla raste ka vend dhe për përgjegjësi individuale, megjithëse vendimet merren me organizma kolektive si Këshilli i Ministrave, Kuvendi i Shqipërisë, etj?

Deri më sot kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese e cila ka hedhur poshtë marrëveshjen ndërmjet qeverisë shqiptare e asaj greke lidhur me ndarjen e kufirit detar. Dhe ky vendim gjykate është respektuar. Por ky vendim as mund t’i japë zgjidhje përfundimtare kësaj çështjeje, pasi nuk është kompetencë e gjykatës, e as nuk mund ta mbyllë atë. Duhet të kemi në konsideratë faktin që kjo është një çështje e cila kërkon zgjidhje, që do të thotë se të gjithë e dinë se kufiri detar duhet ndarë, pasi ne dhe fqinjët tanë, cilëtdo qofshin ata, do të jetojmë këtu derisa njerëzimi të ekzistojë. Në situatën në të cilën ndodhemi, unë mendoj se së pari duhen gjetur mekanizmat ligjorë për të arritur një marrëveshje me fqinjët tanë për delimitimin e kufirit detar, që do të thotë negociata të reja ose zgjidhje nëpërmjet një procesi në bazë të të drejtës ndërkombëtare detare, që do të thotë, ndoshta një proces gjyqësor ndërkombëtar. Pas përfundimit të këtij procesi, të nxirret çdo përgjegjësi për mënyrën si është vepruar me marrëveshjen e mëparshme, qofshin këto dhe përgjegjësi kolektive dhe ku është gabuar me të.

Një koment mbi mbylljen e universiteteve private dhe reformës në arsim, temë që këto ditë është trajtuar gjerësisht…

Vetëm në Shqipëri besoj se ndodh që kioskat të cilat shesin apo fabrikojnë diploma, të quhen universitete. Një shoqëri siç e përmenda edhe më lart, mund të fitojë kohën e humbur nëse drejtohet dhe edukon siç duhet brezat e rinj. Por kjo që ka ndodhur në Shqipëri me arsimin e lartë, fatkeqësisht do të bëjë krejt të kundërtën. Piramidat e arsimit të lartë, apo e universiteteve të cilat nuk e kalonin as nivelin e gjimnazeve në vend, janë një nga fatkeqësitë më të mëdha të këtyre 24 viteve demokraci, pasojat e të cilave do t’i ndjejmë më vonë. Pjesa më injorante e pa shumë skrupuj e shoqërisë, kuptoi mekanizmin si mund të ecte përpara në piramidën shtetërore. Angazhim në një forcë kryesore politike, “besnikëri” të verbër ndaj drejtuesve në qendër apo degët lokale, një diplomë e blerë, kontribut financiar apo numërues votash në zgjedhjet e radhës, e më pas rruga për t’u bërë drejtor, kryetar komune, deputet apo edhe ministër në jo pak raste, është krejtësisht e hapur. Sami Frashëri ka thënë: “Nëse do të korrësh për një vit, mbill misër e grurë, nëse do të korrësh për njëmijë vjet, mbill arsim dhe kulturë”. Ne gjatë këtyre viteve nuk kemi bërë as njërën as tjetrën. Në vend të grurit mbollëm hashash. Ndërsa me liberalizimin e kioskave-universitete, në vend të arsimit e kulturës, u mboll injorancë, për të korrur nëpërmjet saj paratë e familjeve shqiptare, për të korrur votat e tyre si dhe për të ambalazhuar me diplomë injorancën afër pushtetit. Unë do të uroja që këtij procesi të nisur, i cilin në fakt nuk është reformë por vetëm zbatim i ligjeve në fuqi, t’i shkohet deri në fund duke mbyllur pa asnjë hezitim çdo kioskë që pretendon se arsimon në cilindo nivel të arsimit, që nga shkolla fillore e deri tek e larta. Nëse ky proces udhëhiqet nga vullneti i mirë, nga parimet e jo interesat dhe është një proces transparent, atëherë besoj se pjesa më e madhe e shoqërisë do jetë në favor të tij.

Dhe së fundmi, na ndan më pak se një vit nga zgjedhjet. A është gati Fryma e re Demokratike për të hyrë në këto zgjedhje dhe a do ketë ndonjë ndryshim në strukturat e kësaj force politike?

Në shtator Fryma e Re Demokratike rifillon aktivitetin e saj politik, ku në qendër të vëmendjes do të jenë zgjedhjet e ardhshme për pushtetin vendor. Sigurisht tani që kemi dhe hartën e re të ndarjes territoriale, edhe FRD do të synojë të organizohet në bazë të kësaj ndarje për t’i mundësuar strukturave të saj një përgatitje sa më të mirë për zgjedhjet e ardhshme. Gjithçka do të vendoset në diskutime me drejtuesit dhe strukturat aktuale të degëve të FRD në rrethe e më pas fokusi i punës sonë do të jetë evidentimi i përfaqësuesve të FRD në këto zgjedhje. Zgjedhjet lokale, ndryshe nga ato parlamentare, i japin mundësi individëve apo forcave politike të kenë përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë, apo në drejtimin e njësive përkatëse. FRD i pret me optimizëm këto zgjedhje, e bindur se mbështetja e qytetarëve nuk do të mungojë dhe se rezultati i saj do të jetë pozitiv e përfaqësuesit e saj do të jenë zëdhënës të interesit qytetar.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button