Gazsjellësi TAP, ringrihet pas 9 vjetësh Instituti i Naftës dhe Gazit
Nëntë vjet pasi Instituti i Naftës dhe Gazit u mbyll me vendim qeverie, ky institucion do të ringrihet, por tashmë i rikonceptuar për shkak të përfshirjes së Shqipërisë në projektin e gazsjellësit TAP, dhe tashëm do të përfshijë studime për të gjithë infrastrukturën e gazit.
Ringritja e këtij institucioni është pjesë e projektit “Ndërtimi i kapaciteteve për infrastrukturën e lartë në sektorin e gazit”, i financuar nga qeveria zvicerane me një shumë prej 6 milionë eurosh. Nisja e projektit është njoftuar këtë të mërkurë nga vetë ministri i Energjisë dhe Industrisë Damian Gjiknuri, dhe ambasadori zviceran në Tiranë.
“I kemi vendosur vetes një objektiv shumë të rëndësishëm në këtë projekt dhe krijimi i kapaciteteve teknike për gazin, siç është krijimi i Institutit të Naftës dhe të Gazit. Një institucion aq i nevojshëm për Shqipërinë. Fatkeqësisht, në 10-15 vitet e fundit Shqipëria i humbi shumë nga këto kapacitete, duke mbetur me mangësi të mëdha teknike, përsa i përket zhvillimeve hidrokarbure. Pikërisht ky projekt merr përsipër të ngrejë këtë ekspertizë, që ne ta kemi për gazin dhe për naftën. Ky është prapë një element shumë i rëndësishëm i këtij projekti. Unë dua ta përgëzoj kompaninë dhe shpresoj të kemi një bashkëpunim shumë të mirë për të ngritur më në fund këto kapacitete teknike në Shqipëri”, tha Gjiknuri.
Një tjetër element i rëndësishëm i projektit është edhe vënia në punë e termocentraleve me gaz, siç është TEC i Vlorës. Pjesë e rëndësishme e tij është studimi i fizibilitetit për lidhjen e këtij TEC-i me gazsjellësin TAP.
Projekti përfshin gjithashtu edhe krahasimin e marrëveshjeve të TAP me Greqinë e Shqipërinë, me synim maksimalizimin e përfitimeve.