Gentjana Sula: Ligji i dosjeve “më optimali për rrethanat specifike të Shqipërisë”
Zëvëndësministrja e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Gentjana Sula, flet për DW për mënyrën, se si do të zbatohet ligji i hapjes së dosjeve dhe rëndësinë e tij.
DW: Zonja Zëvendësministre, a është ligji për hapjen e dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit i duhuri, a është ai më optimali për kushtet e Shqipërisë?
Sula: Projektligji i propozuar nga qeveria në fund të vitit 2014, i përmirësuar gjatë diskutimeve në seancat me grupet parlamentare, gjykoj se është më optimali për kushtet dhe rrethanat specifike të Shqipërisë, kur ligji miratohet 25 vite pas rënies së sistemit komunist dhe funksionimit të institucioneve kushtetuese. Për të harmonizuar këtë ligj me korpusin ligjor në fuqi në Republikën e Shqipërisë, është shqyrtuar dhe mbajtur në konsideratë legjislacioni aktual mbi mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën e informimit për dokumentet zyrtare, arkivat dhe informacionin e klasifikuar “sekret shtetëror”, si dhe funksionimin e organeve kolegjiale.
DW: Ndaj ligjit ka skepticizëm, ka edhe kritika se nuk është krejtësisht si ligji gjerman. Çfarë i mungon këtij ligji në krahasim me atë gjerman?
Sula: Për hartimin e ligjit është ndjekur një model, që vlerësohet si më i suksesshmi në këtë drejtim, pikërisht ligji gjerman. Siç e përmenda, ligji (45/2015): Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë” u miratua shumë vonë në kohë pas rënies së sistemit komunist. Ligji është hartuar gjithashtu duke pasur parasysh jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese Shqiptare në këtë fushë – Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nr. 9, datë 23.03.2010) dhe Opinionin nr.524/2009 të Komisionit të Venecias. Ajo që skeptikët besojnë se mungon, është pikërisht lustracioni ligjor, i cili zëvendësohet me lustracionin moral. Pasi sipas parashikimeve të ligjit, elementët e pastërtisë së figurës për zyrtarët janë integruar në mënyrën e vetme, që nuk ngre çështje kushtetutshmërie, që lidhen me parimin e ndarjes së pushteteve dhe statusin kushtetues të zyrtarëve. Kjo nuk ngre as nevojën e miratimit të ligjit me shumicë të cilësuar, apo të ndërhyrjes në ligje organike, përmes një “konvertimi” ligjor të orientimeve të Gjykatës Kushtetuese. Sepse Autoriteti i krijuar nga ky ligj ka detyrim të informojë deri në 5 vite pas hyrjes në fuqi të ligjit institucionet kushtetuese dhe autoritete të tjera publike mbi figurën e zyrtarëve, kur kjo kërkohet prej këtyre të fundit për vlerësimin e cilësive etike, morale e profesionale të kandidatëve për t’u emëruar, apo promovuar në pozicione të larta të shtetit. Pra, në vend të parashikimit të një detyrimi për institucionet kushtetuese dhe të zgjedhurit, i cili do të binte ndesh me Kushtetutën, jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese mbi këtë çështje dhe opinionin e Komisionit të Venecias, projektligji parashikon një mundësi për to për t’u shfrytëzuar dhe detyrimin për Autoritetin për t’ua vënë në dispozicion institucioneve informacionin e kërkuar.
DW: Cili është autoriteti, që do të zbatojë këtë ligj dhe do të administrojë dosjet. Kur do te nisë punën ai?
Sula: Me qëllim përmbushjen e parashikimeve të ligjit, është parashikuar krijimi i një institucioni të ri, Autoriteti për Informimin me të Dhënat e ish-Sigurimit të Shtetit, si person juridik publik i pavarur, përgjegjës për mbledhjen, administrimin, përpunimin, përdorimin e dokumenteve të ish-Sigurimit të Shtetit dhe informimin në lidhje me to, i përbërë nga 5 anëtarë. Autoriteti është parashikuar të funksionojë si organ kolegjial, i mbështetur në veprimtarinë e tij nga një Sekretariat Teknik.
Brenda një muaji nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi zgjedh anëtarët e Autoritetit. Autoriteti, brenda tre muajsh nga hyrja në fuqi e këtij ligji, miraton rregulloren e organizimit dhe funksionimit të tij, strukturën dhe organikën e Sekretariatit Teknik dhe rregulloren e brendshme të tij.
DW: A ekziston ndonjë afat për zbatimin e ligjit?
Sula: Ligji parashikon afate vetëm për qëllime të verifikimit të kandidatëve. Autoriteti vë në dispozicion dokumentacion dhe lejon përdorimin e dokumenteve për këtë qëllim deri më 31 mars 2020. Ndërsa e drejta për informim nga të gjithë ata, që plotesojnë kriteret për aplikim, nuk ka kufizim në kohë.
DW: Sa garantohet përmes ligjit e drejta për t’u informuar qoftë për individët, qoftë për institucionet? Në ç‘masë do ta garantojë ligji mospërfshirjen në postet drejtuese të personave të inkriminuar?
Sula: Qëllimi i ligjit është mundësimi i së drejtës për çdo të prekur në mënyrë të drejtpërdrejtë nga veprimtaria e ish-Sigurimit të Shtetit të marrë informacion të plotë mbi materialin e hartuar në ngarkim të tij, përfshirë hartuesit dhe burimin e këtij informacioni. Ligji parashikon përjashtime në rastet, kur vlerësohet se nxjerrja e këtij informacioni do të dëmtonte marrëdheniet ndërkombetare të vendit, apo do të cënonte sigurinë kombëtare.
DW: Cila është vlera praktike e këtij ligji, përse është e rëndësishme transparenca për shoqërinë shqiptare?
Sula: Për të mos mbetur vendi i vetëm në Evropë, i cili nuk është përballur ende me të kaluarën, për t‘i dhënë fund kësaj lidhjeje, në mënyrë që të gjithë e sidomos të rinjte të kuptojne ç‘ka ndodhur, me qëllim mosripërsëritjen e historisë dhe ndarjen përfundimisht nga e kaluara.
DW: Përveç hapjes së dosjeve, a ka edhe masa të tjera, që i shërbejnë këtij qëllimi?
Sula: E gjithë qasja e qeverisë ndaj kësaj çështje ka qenë e frymëzuar nga një e vërtetë e thjeshtë, që një përballje e sinqertë dhe e plotë me të shkuarën e diktaturës në Shqipëri ndihmon në konsolidimin e lirisë në vend. Aktivitete të tjera të rëndësishme të MMSR dhe partnerëve të saj vendas dhe të huaj janë ngritja dhe vënia në funksion e sektorit për gjetjen e personave të zhdukur nga krimet e komunizmit dhe pa tjetër negociatat për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit me ICMP (Komisioni Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur) për të bërë të mundur realizimin e procesit për gjetjen e personave të zhdukur.
DW: Shqipëria synon të bëhet anëtare e rrjetit evropian Remembrance and Solidarity, që merret me trajtimin e historisë së shekullit të 20-te. Në çfarë procesi jeni?
Sula: Në kuadër të Programit të qeverisë, e cila i ka kushtuar një vend të posaçëm kujtesës historike dhe me ftesë të Rrjetit Evropian Remebrance and Solidarity, Qeveria shqiptare po negocion për t‘u bërë pjesë e këtij rrjeti me qëllimin e përbashkët promovimin e historisë së shekullit të 20-të dhe si kjo histori përkujtohet. Fushat e interesit të rrjetit janë të përbashkëta me fushat e interesit të qeverisë Shqiptare dhe ndihmesa në krijimin e një komuniteti ndërkombëtar të memories, e cila bëhet mbi bazën e eksperiencave të ndryshme të popullsive dhe shteteve evropiane, janë arsyet që po negociohet për anëtarësimin në këtë rrjet.