Gjashtë kompani amerikane të interesuara për Korridorin Adriatiko-Jonian
Gjashtë kompani amerikane kanë shprehur interesim për projektin e Korridorit Adriatiko-Jonian, ndërsa një kompani ka shprehur interesim për Projektin Kombëtar të sistemit të integruar të skanimit të ngarkesave dhe modernizimit të kontrollit kufitar, bëri të ditur sot Qeveria e Malit të Zi.
Qeveria miratoi në mbledhjen e sotme Informacionin mbi rezultatet e thirrjes për shprehje interesi, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes ndërmjet qeverive të Malit të Zi dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin në zbatimin e projekteve strategjike.
Thirrjet për shprehje interesi u publikuan më 24 gusht në faqen e internetit të Ambasadës së SHBA-së në Mal të Zi dhe iu drejtuan kompanive amerikane, me qëllim identifikimin e atyre firmave që disponojnë përvojën dhe kapacitetet e nevojshme, si dhe janë të interesuara për pjesëmarrjen në zhvillimin e mëtejshëm të këtyre projekteve.
Si projekte të para me rëndësi strategjike u identifikuan Korridori Adriatiko-Jonian — projekt strategjik infrastrukturor që integron infrastrukturën e transportit, energjetike dhe dixhitale për përmirësimin e lidhshmërisë rajonale të Malit të Zi — si dhe Projekti Kombëtar i sistemit të integruar të skanimit të ngarkesave dhe modernizimit të kontrollit kufitar, i orientuar drejt forcimit të kapaciteteve doganore, kontrollit më efikas të mallrave dhe sigurisë së kufijve.
Marrëveshja mes Qeverisë së Malit të Zi dhe Qeverisë së SHBA-së për bashkëpunimin në zbatimin e projekteve strategjike u nënshkrua më 24 korrik në Uashington. Duke pasur parasysh interesimin e shprehur dhe nevojën për vijimin e aktiviteteve, qeveria vlerësoi si të nevojshëm sigurimin e koordinimit të duhur institucional dhe ndjekjes së realizimit të tyre përmes formimit të komisioneve.
Burimi: Vijesti



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.