Bota

Gjermani, atentatori i Mynihut i fiksuar pas vrasjeve në masë

Personi i armatosur që vrau 9 persona në Mynih të Gjermanisë ishte i fiksuar pas masakrave me armë zjarri dhe nuk njihej për lidhje me Shtetin Islamik.

Është kjo deklarata që ka bërë policia gjermane një ditë pas ngjarjes tragjike në qendrën tregtare të qytetit.

Agjentët që bastisën shtëpinë e autorit, një shtetas gjerman me origjinë iraniane, gjetën gazeta me artikuj mbi sulmet e armatosura, përfshirë një të titulluar “Përse studentët vrasin?”.

Sipas burimeve policore gjermane, vrasësi, i cili kishte lindur në Mynih, gjatë sulmit ishte i armatosur me një pistoletë tip “Glock”.

Nga hetimet ka rezultuar se më parë ai kishte qenë nën kujdes psikiatrik dhe i ishte nënshtruar trajtimit për shkak të depresionit.

Në sulmin e së premtes pasdite në qendrën tregtare Olympia, 9 persona mbetën të vrarë dhe 27 të tjerë të plagosur, përfshirë disa fëmijë. Tre nga viktimat ishin nga Kosova.

Babai i 21-vjecarit Dijamant Zabergja është fotografuar këtë të shtunë teksa mbante një foto të djalit të tij përpara qendrës tregtare, ndërsa njerëz të tjerë kanë vendosur lule dhe kanë ndezur qirinj.

Ministri i Brendshëm Thomas de Maiziere ka urdhëruar që flamujt të mbahen në gjysmështizë në gjithë Gjermaninë, ndërsa kancelarja Angela Merkel ka shtyrë pushimet e planifikuara në Alpe për të drejtuar këshillin kombëtar të sigurisë më vonë gjatë së shtunës.

Sulmi erdhi vetëm 4 ditë pasi një adoleshent afgan sulmoi dhe plagosi me thikë 5 persona në një tren në landin e Bavarisë, para se të qëllohej për vdekje nga policia.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button