Ekonomia

Gjiknuri fton bizneset nga Singapori të investojnë në Shqipëri

Gjatë vizitës që po zhvillon në Singapor në kuadër të delegacionit të kryesuar nga Kryeministri z. Edi Rama, Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri mbajti një fjalë rasti para investitorëve në Forumin e Tregtisë dhe Investimeve Singapor-Shqipëri.

Duke u ndalur tek fusha e energjitikës, Ministri Gjiknuri tha se Shqipëria vazhdon ende të jetë vend importues neto dhe konsumi vjen gjithnjë e në rritje. “Gjithësesi, ne kemi shumë potenciale për tu shfrytëzuar edhe në shtimin e burimeve të reja hidro. Kemi gjetur format e duhura për të nxitur edhe investimet në këtë fushë. Por, duke qenë se jemi 100% të varur nga burimet hidrike, ne po promovojmë edhe burimet e tjera alternative të energjisë. Kemi miratuar tashmë një plan për të incentivuar investimet për gjenerim energjie nga dielli dhe nga era”, theksoi ministri Gjiknuri.

z.Gjiknuri tha se në pak vite Shqipëria do mund të kthehet në një vend eksportues të energjisë elektrike. “Për këtë qëllim ne jemi duke investuar në fushën e interkonjeksioneve me vendet fqinje. Kemi funksionale një linjë me Greqinë dhe me Malin e Zi. Kemi përfunduar linjën me Kosovën dhe po fillojmë ndërtimin e linjës 400 kV me Maqedoninë. Pra, çdo energji e prodhuer në Shqipëri mund të tregtohet në rajon por edhe më tej në Evropë”, u shpreh ai ndërsa ju referua më tej edhe reformave në kuadër të efiçencës së energjisë.

Sipas tij, Shqipëria ka potenciale edhe në fushën e naftës dhe gazit. Z.Gjiknuri tha se në fushën kryesore të naftës në vend po ushtron aktivitetin e saj tanimë kompania kineze Jeojade Petroleum ndërsa me rëndësi është prezenca e kompanisë prestigjoze SHELL e cila gjithashtu ka zgjeruar aktivitetin në Shqipëri në kërkimin e naftës. “Rritja e sasisë së naftës së nxjerrë në vend dhe konkretizimi i projektit të gazsjellësit TAP që ofron dhe mundësinë e përdorimit të gazit, krijojnë kushtet për zhvillimin më të madh të industrive, përfshirë rafinimin”, tha ai ndërsa njoftoi se Shqipëria po përfundon masterplanin e gazit që do të jetë një udhërrëfyes për gazifikimin e vendit.

Ministri Gjiknuri u ndal më pas edhe tek fusha e industrisë minerare ndërsa tha se ekzistojnë mundësi investimi pavarësisht rënies së çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Me interes sipas tij është kërkimi i mineralit të nikelit ku vlerësohet se ka rezerva të konsiderueshme.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button