Gjiknuri tryezë me donatorët për potencialin gjenerues të Drinit të Zi
Ministria e Energjisë dhe Industrisë organizoi një tryezë me donatorët mbi potencialin e shfrytëzimit të Drinit të Zi. Në këtë takim ishin të pranishëm përfaqësues nga Banka Botërore, Banka gjermane KfW, SECO, GIZ, EBRD, Bashkimi Evropian, Koperacioni Italian dhe UNDP.
Në tryezë u prezantua studimi i hartuar nga studio franceze Sogrea. Studimi është kryer në vitin 2009 me financimin e Bankës Botërore dhe për llogari të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.
Ky dokument shqyrton tre skema të mundshme të shfrytëzimit të potencialit gjenerues në Drinin e Zi. Skema e parë parashikon ndërtimin e vetëm një hidrocentrali Skavica 441. Sipas të dhënave teknike të studimit, ky variant do të kishte koston 662.4 milione euro, ndërsa prodhimin vjetor 768 GWh, për një fuqi të instaluar 193MW. Kostoja e investimit për kapacitet të instaluar arrin në 3.43 milion Euro/MW. Ndërkaq, sipërfaqja e përmbytur nga ky variant arrin në 5861 ha tokë. Numri i personave të zhvendosur shkon, sipas këtij varianti, në 10000. Për shkak të këtyre efekteve të mëdha me ndikime mjedisore dhe sociale, studio konsulente konstaton se ky variant është i pafinancueshëm.
Varianti i dytë parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve: Katund i Ri 445 dhe Skavica 395. Sipas këtij varianti, në total numri i të zhvendosurve shkon në 1560 persona, ndërsa sipërfaqja totale e përmbytur arrin në 2297 ha tokë. Vlera totale e investimit për dy HEC-et shkon në 347.8 milione euro ndërsa prodhimi vjetor i përbashkët 694 GWh.
Varianti i tretë parashikon ndërtimin e dy hidrocentraleve: Katund i Ri 445 dhe Skavica 385. Sipas këtij varianti, në total numri i të zhvendosurve shkon në 800 persona, ndërsa sipërfaqja totale e përmbytur arrin në 1788 ha tokë. Vlera totale e investimit për dy HEC-et shkon në 313.8 milione euro, ndërsa prodhimi vjetor i përbashkët 673 GWh.
Studio franceze i konsideron dy variantet e fundit të financueshme dhe me efekte të menaxhueshme mjedisore e sociale. Rrjedhimisht, qeveria shqiptare ka preferuar të ndjekë rrugën e zbatimit të një prej skemave që nga studimi konsiderohet e financueshme.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se për rastin e Katundit të Ri që nuk ndikon në menaxhimin e Kaskadës aktuale të Drinit dhe nuk pengon projektin e Skavicës 395 apo 385, është vendosur që t’i jepet mundësia ta ndërtojë një operator privat. Aktualisht i është dhënë një bonus një bashkimi kompanish turke, të cilat kanë paraqitur një projekt dhe ofertë të pakërkuar për HEC Katund i Ri. Gara, e cila ende nuk është çelur për këtë koncesion, lejon mundësinë e pjesëmarrjes së çdo kompanie tjetër të interesuar për këtë projekt.
Ndërkaq, për rastin e Skavicës, sipas variantit ende në diskutim 395 apo 385, qeveria insiston në gjetjen e formave të financimit që këtë vepër ta realizojë Korporata Elektroenergjitike Shqiptare.
Gjiknuri u kërkoi donatorëve që të asistonin qeverinë shqiptare për të studiuar dhe këshilluar format e financimit që do të ia mundësonin KESH-it të ishte administruesi i HEC Skavicës. Kjo vepër konsiderohet me ndikim në skemën e shfrytëzimit edhe të kaskadës aktuale të Drinit, HEC-eve të Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës.
Ministri Gjiknuri tha se tanimë situata financiare e sektorit energjitik dhe vet kompanisë së prodhimit KESH po shkon drejt përmirësimit dhe do të ishte zgjidhja më e mirë që HEC Skavicën ta gjejë formën e financimit vet korporata.
Të pranishëm në tryezë ishin ekspertët ndër më të njohurit e fushës së elektroenergjitikës dhe ndërtimit të veprave si, Luigj Pjetri, Bashkim Spahiu, Engjëll Çuçi dhe Fahri Maho. Gjatë diskutimeve të tyre, ata e cilësuan projektin e ndërtimit të HEC të madh të Skavicës si shumë vështirësisht të realizueshëm për realitetin e sotëm, me kostot e rënduara të shpronësimeve dhe efekteve sociale. Rrjedhimisht, ata e mbështetën idenë e shfrytëzimit me dy hidrocentrale Katund i Ri dhe Skavica. Ekspertët e mbështetën gjithashtu qëndrimin e qeverisë për të mos ia lënë një privati pronësinë dhe menaxhimin e HEC Skavicës, por për t’ia mundësuar këtë funksion Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare.