Ekonomia

Gjobat: Nuk respektohet parimi kushtetues i proporcionalitetit

aaFlet Ardjana Shehi, avokate Kalo&Associates

Ajo që mund të vihet re lehtësisht në dispozitat e ndryshuara që kanë të bëjnë me masat ndëshkimore përkatëse është mosrespektimi i parimit kushtetues të proporcionalitetit në ndëshkimet administrative dhe ato penale, si dhe mbizotërimi i funksionit ndëshkues të këtyre masave. Në lidhje me parimin e proporcionalitetit është me vend të kujtojmë që ky parim i rëndësishëm buron nga Kushtetuta, Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut dhe jurisprudencat përkatëse. Sjell në vëmendje një citim të rëndësishëm nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese: “Është e vërtetë se është në diskrecionin e ligjvënësit vlerësimi i mjetit të zgjedhur për ndëshkimin e shkelësve të ligjit dhe qëllimit që kërkohet të arrihet, por, kur është fjala për parashikimin e dispozitave penale dhe sanksioneve përkatëse si ‘ultima ratio’, Gjykata çmon se ligjvënësi duhet të udhëhiqet nga parimet kushtetuese dhe funksionet që karakterizojnë dënimet penale. Parimi i proporcionalitetit rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës, në fakt nga vetë thelbi i të drejtave themelore, sidomos i lirisë personale, të cilat duhet të kufizohen nga pushteti shtetëror vetëm në atë masë sa të jetë e domosdoshme për mbrojtjen e interesave publikë. Pra, rëndësi të veçantë në fushën penale, sidomos në atë të parashikimit të dënimeve dhe ekzekutimit të tyre, zë mbrojtja e të drejtave të njeriut. Kjo do të thotë se edhe pse prej kohësh e drejta penale ka detyrën e mbrojtjes së bazave të një bashkëjetese të rregulluar në shoqëri, ajo nuk është mjeti kryesor i mbrojtjes ligjore me gjithë karakterin e saj më të fuqishëm. Si pasojë, përdorimi i saj duhet t’u nënshtrohet kërkesave të parimit të proporcionalitetit”.

Ky parim i rëndësishëm është i njohur tashmë në dispozitat tona të Kodit Penal, por edhe në ato që kanë të bëjnë me shkeljet administrative. Duket që dispozitat e reja të ndryshuara, si në ligjin “Për Procedurat Tatimore” ashtu dhe në Kodin Penal (nëse miratohen ashtu siç janë propozuar) nuk janë në përputhje me sa më sipër. Gjykata Kushtetuese (nëse vihet në lëvizje) duket se duhet të thotë fjalën e saj në lidhje me respektimin e parimit të proporcionalitetit në dispozitat përkatëse të ndryshuara.

Në lidhje me mbizotërimin e funksionit ndëshkues të masave ndëshkimore, të ndryshuara, vihet re se, të paktën ndryshimet në ligjin për Procedurat Tatimore, hyjnë në fuqi 15 ditë pas botimit të ndryshimeve përkatëse në Fletoren Zyrtare. Për qëllime të ndryshimeve ligjore në lidhje me masat ndëshkimore, vlerësohet se kjo kohë është e pamjaftueshme për t’u njohur dhe për t’u zbatuar nga subjektet përkatëse. Për këtë arsye, këto ndryshime nuk kalojnë provën në lidhje me funksionin edukues të ligjit.

Do të ishte me vend që të paktën defektet e mësipërme të shmangen gjatë miratimit në seancë plenare të ndryshimeve në Kodin Penal. Mendoj që është e rëndësishme që sa më sipër të merren parasysh e respektuar në kushtet që mirëpritet krijimi i një mjedisi ligjor të ndërtuar sipas parimeve kushtetuese e të sigurt për të ushtruar veprimtari tregtare afatgjate në Shqipëri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button