Kronika

Gjobat, rastet kur sekuestrohet makina

Drejtuesit rrugorë: Konfiskim mjeti, 30 ditë pas vendosjes së gjobës së papaguar

“Kur një drejtues mjeti ka një deri në tre gjoba të papaguara aplikohet bllokimi i lejes së qarkullimit”

“Në rast se debitori ka mbi tre gjoba të papaguara, ose janë në vlera të mëdha, konfiskohet mjeti”

Gjobat

Neni 203 i Kodit Rrugor 

Të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati, bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit.

Prej disa ditësh, policia ka paralajmëruar se më 1 shtator nis aksioni për sekuestrimin e gjithë mjeteve, që rezultojnë me gjoba të papaguara. Kjo ka shkaktuar panik te të gjithë qytetarët, që i janë drejtuar sporteleve të policisë, por edhe faqeve zyrtare në internet për të kontrolluar për gjobat e vëna ndaj mjeteve të tyre, për të cilat edhe mund të mos kenë dijeni, siç ka ndodhur rëndom ndër vite. Megjithatë, shqetësimi më i madh për të gjithë është se çfarë do të ndodhë më 1 shtator dhe në cilat raste sekuestrohet makina nga policia, apo si veprohet kur rezulton se je debitor ndaj shtetit për shkelje e kundërvajtje administrative rrugore. Për këto probleme, gazeta “Shqip” ka kontaktuar me drejtuesit e Policisë Rrugore, të cilët kanë shpjeguar se ligji për këto masa nuk ka ndryshuar, është i njëjti, veçse është kërkuar zbatimi rigoroz i tij edhe në kuadrin e emërimeve të reja në krye të policisë.

Kur sekuestrohet makina nga policia

Sipas burimeve zyrtare të policisë rrugore, masa të tilla ndaj kundërvajtësve parashikohen qartë në Kodin Rrugor, pavarësisht se vlerësimi bëhet nga punonjësi që konstaton shkeljen. Krerët e policisë rrugore shpjegojnë se Kodi Rrugor deklaron se “mjeti bllokohet në çdo rast kur konstatohet se ka gjoba të papaguara për kundërvajtje rrugore dhe ka kaluar afati prej 30 ditësh nga data e konstatimit dhe regjistrimit të shkeljes administrative”. Pra, ligji i jep të drejtë çdo punonjësi të policisë rrugore të vendosë konfiskimin e mjetit për çdo rast kur konstaton se ka një gjobë të papaguar prej më shumë se një muaji, pavarësisht vlerës së saj. Pikërisht në nenin 203 të Kodit Rrugor deklarohet se “të ardhurat nga masat administrative me gjobë për shkeljet e parashikuara nga nenet e këtij Kodi, paguhen nga kundërvajtësi brenda 5 ditëve nga dita që vendimi ka marrë formën e prerë. Pas kalimit të këtij afati, për çdo ditë vonesë, paguhet 2 për qind kamatë deri në një muaj. Kur gjoba nuk paguhet ose nuk nxirret dot nga të ardhurat e shkelësit, për rastet e drejtuesit të mjetit me motor, bëhet ndalimi i mjetit deri në tre muaj dhe pas këtij afati bëhet shitja e mjetit me ankand, duke i dhënë diferencën në lekë shkelësit”.

Por, kjo masë ka qenë relative dhe është lënë në vlerësimin e vetë punonjësit të policisë, duke vendosur të bllokojë mjetin, ose lejen e qarkullimit. Në raste të tilla mësohet se është parë edhe statusi social i drejtuesit të mjetit dhe numri i gjobave të papaguara. Nëse një drejtues makine ka një deri në tre gjoba të papaguara, është vendosur thjesht sekuestrimi i “lejes së qarkullimit” deri në momentin e shlyerjes së detyrimeve. Kurse rastet që bëhet konfiskimi i menjëhershëm i mjetit motorik janë ato kur vlera e gjobave është shumë e lartë, poseduesi ka më shumë se tre gjoba pa paguar. Gjithsesi, kjo ndodh vetëm pasi kanë kaluar 30 ditë nga momenti i vendosjes së gjobës.

Zyrtarët e policisë shpjegojnë se kjo procedurë është ndjekur prej kohësh dhe aktualisht nuk ka asnjë urdhër të ri për ndryshimin e saj, ndërkohë që njerëzit duhet të kontrollojnë herë pas here për gjobat e papaguara. Ata shpjegojnë se ky panik është krijuar edhe për shkak të ndryshimeve të fundit që janë bërë në radhët e policisë, ku ka pasur emërime të reja edhe në krye të policisë rrugore në rrethe të ndryshme, të cilët kanë kërkuar rritjen e performancës së efektivëve.

Karroatrecët dhe bllokimet në kufi

Policia rrugore pritet të intensifikojë punën e saj edhe në zhbllokimin e hapësirave publike, sidomos në Tiranë, ku është hapur një front i ri beteje nga kryebashkiaku Veliaj. Që në vitin 2013, policia rrugore dhe Ministria e Brendshme e ndërprenë kontratën me kompaninë që kishte karroatrecët, për të cilët kishte edhe shumë akuza për abuzime, por kjo shkaktoi edhe një kaos në parkimet dyshe, ose me zënien e hapësirave publike. Në këto kushte, Policia Rrugore e Tiranës ka vënë në dispozicion për këto shkelje dy karroatrecë personalë, por ka bashkëpunuar edhe me policinë bashkiake, që ka në pronësi disa të tjerë. Tashmë, pritet që ato të përdoren edhe në zhbllokimin e hapësirave publike, sidomos nga persona apo kompani të caktuar që përdorin parkingjet publike si treg shitjesh makinash.

Megjithatë, kjo nuk është e vetmja masë e policisë rrugore, pasi në shtator të vitit 2013, Ministria e Brendshme vendosi për moslejimin e daljes nga kufiri të të gjithë debitorëve ndaj policisë rrugore. Kjo masë e ashpër solli debate të shumta dhe brenda pak muajsh, policia rrugore u tërhoq në heshtje prej zbatimit të saj. Rikthimi në vëmendje i bllokimit të mjeteve për shkak të mospagimit të gjobave ka shkaktuar edhe debat politik, ku opozita akuzon se aksioni po ndërmerret për shkak të arkës së boshatisur të buxhetit, megjithëse policia rrugore konfirmon se aksioni ka qenë i pranishëm gjatë gjithë kohës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button