Gjykata e Apelit lë në fuqi masën arrest shtëpie për deputetët e opozitës
Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën “arrest shtëpie” për deputetët Albin Kurti, Faton Topalli, Albulena Haxhiu, ndërsa po të njëjtën masë ka lënë edhe për Donika Kadaj Bujupin ashtu siç ishte vendosur në shkallën e parë.
Avokatja e Albin Kurtit, Metie Ademi kërkoi që kjo masë të zëvendësohet me atë të paraqitjes në stacionin e policisë.
Ndërsa Ahmet Ahmeti, avokati i Albulena Haxhiut kërkoi që ajo të mbrohet në liri dhe t’i hiqen të gjitha masat cilat do qofshin ato.
Kurse Haxhi Millaku ka paraqitur dokumente shëndetësore të Faton Topallit.
Këto kërkesa të avokatëve të të akuzuarve i ka refuzuar kryetarja e Trupit Gjykues të Gjyatës së Apelit, kështu që vendimi i shkallës së parë mbetet në fuqi.
Deputeti Albin Kurti pas vendimit të Gjykatës ka thënë se gjykimi ishte i padrejte në një shtet të kapur dhe në një regjim autoritar. Kurti tha se nuk pret asgjë nga kjo seancë, por pret shumë nga opozita e bashkuar.
“Presim gjithçka dhe unë besoj që kjo është zgjidhja sepse besoj që në Kosovë nuk ka zgjidhje brenda këtyre institucioneve të drejtësisë”, tha Kurti.
Në Gjykatën për Krime të Rënda në Pallatin e Drejtësisë u zhvillua sot seanca gjyqësore ndaj katër deputetëve të Kuvendit të Kosovës; Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj – Bujupi dhe Faton Topalli.
Para gjyqtarit, Albin Kurti tha se nuk mbrohet e as nuk hesht sepse konsideron se po gjykohet nga një trup gjykues jo i duhur.
“Ndërsa sa i përket mbrojtjes nuk më përfaqëson mua, sepse kjo është vendos nga dikush tjetër dhe ju lutem mos i merrni për bazë çka do që të thonë. Unë konsideroj që ky gjykim është i padrejtë, është persekutim politik”, tha Kurti. Ai gjatë fjalës së tij para trupit gjykues kërkoj që të thotë edhe një fjalë, por gjyqtari nuk e lejoi duke thënë se kjo fazë nuk e lejon që të hyhet në çështjen kryesore sepse nuk është seancë përmbajtjesorë.
Para trupit gjykues sot u paraqit edhe deputetja Albulena Haxhiu, cila në pyetjen e gjyqtarit se a do të mbrohet në heshtje, ajo tha se nuk mbrohet në heshtje, por nuk do të përgjigjen në pyetjet e prokurorisë e as të trupit gjykues.
“Nuk dua të marr avokat sepse nuk kemi nevojë të mbrohemi për veprimet tona politike”, tha Haxhiu.
Edhe deputetja Donika Kadaj Bujupi para trupit gjykues tha se nuk pranon të përgjigjet në pyetjet e prokurorit dhe trupit gjykues me arsyetimin se ky është proces politik. “Të gjitha veprimet e mia kanë qenë transparente dhe nuk jam në konflikt me ligjin dhe unë kam mbrojt kushtetuesen”, ka thënë Kadaj Bujupi.
Edhe deputeti i katërt i paraqitur në seancën e sotme, Faton Topalli ka thënë se për veprimet dhe qëndrimet e tija politike nuk do të deklarohet. Avokati mbrojtës i deputetit Topalli, Haxhi Mullaku ka kërkuar pranimin e akuzës dhe trupi gjykues të obligohet që konform ligjit që të pajis me të gjitha provat.
Ndërkohë në fjalën e saj, prokurorja e shtetit, Fekrije Zejnullahu tha se “Prokuroria është e vetëdijshme që nuk i ka pajisur me cd-të e provave, me arsyetimin se po të njëjta CD i janë dorëzuar Gjykatës në një kopje, dhe se këto CD në bazë të procedurës mund të administrohen në Gjykatë përmes dëgjimit”.
Zejnullahu tha se Prokuroria merr obligim që në një afat të shkurtër kohor t’ua siguroj nga një kopje të gjithëve.
Në aktakuzën e shpallur ndaj deputetëve Albin Kurti, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj Bujupi, e lexuar nga prokurorja, thuhet se: Albin Kurti dhe Albulena Haxhiu kanë përdorur armë pa autorizim dhe mjete të tjera rrezikshme, kanë penguar personat zyrtarë, kanë përdorur gaz lotsjellës.
Ndërsa Donika Kadaj Bujupi dhe Faton Topalli po ashtu kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend.