Gjykata e Lartë, thellohet përçarja mes mazhorancës dhe Presidentit
Vendet vakante në Gjykatën e Lartë vijojnë të thellojnë përçarjen në marrëdhëniet mes Presidentit dhe organit ligjvënës. Rrëzimi i propozimeve të Bujar Nishanit nga ana e shumicës në Parlament për të plotësuar një nga organet e drejtësisë më të rëndësishme në vend, ka sjellë një tejzgjatje në kohë për propozimet e reja, për të cilat duhet të përcaktoheshin kriteret shtesë në takimin e datës 24 qershor mes tij dhe krerëve të grupeve parlamentare. Në kuadër të mungesës së kritereve shtesë për emërimin e gjyqtarëve në këtë gjykatë, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, dhe ai i LSI-së, Petrit Vasili, nëpërmjet një letre drejtuar Presidentit Nishani, sugjerojnë rihapjen e procesit për emërimet e reja në Gjykatën e Lartë, si dhe përcaktimin në mënyrë transparente të kritereve shtesë që duhet të plotësojnë kandidatët, duke shmangur në këtë mënyrë, sipas tyre, kandidatët preferencialë.
Kërkesat
Letra është bërë publike dje nga ana e “Top Channel”, por ajo i është dërguar kreut të shtetit më datën 27 qershor dhe mban firmën e dy krerëve të grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së, Gramoz Ruçi dhe Petrit Vasili. Në të bëhen prezente edhe kushtet e mazhorancës qeverisëse ndaj kreut të shtetit për mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për anëtarë të Gjykatës së Lartë. “Të rihapet procesi i kandidimit, duke mos e mbajtur atë peng të listave të mëparshme. Duke mbajtur në konsideratë edhe faktin e njohur publikisht se Gjykata Kushtetuese ka shfuqizuar së fundmi si antikushtetuese dispozita të ligjit ‘Për Gjykatën e Lartë’, të cilat lidhen drejtpërdrejt me disa nga kriteret objektive dhe kriteret shtesë. Procesi përzgjedhës e konsultues të jetë sa më transparent, nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm, bazuar në kushtet dhe kriteret ligjore, duke respektuar kriteret objektive dhe kriteret shtesë bazuar në listën e konkurrentëve, në përputhje me kërkesën kushtetuese për kualifikim të lartë. Vlerësimi, përzgjedhja, konsultimi e vendimmarrja të bëhet mbi përcaktimin e përparësisë së kritereve objektive dhe kritereve shtesë, duke i analizuar secilin prej tyre në veçanti për angazhimin e gjyqtarëve me integritet moral e profesional. Përzgjedhja e kandidatëve të orientohet nga vjetërsia në profesion, por edhe përvoja e spikatur gjyqësore dhe akademike”, theksojnë Ruçi dhe Vasili në letër. Duke i risjellë në vëmendje Presidentit vendimin e Gjykatës Kushtetuese që, sipas tyre, e detyron përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë përmes një bashkëpunimi luajal dhe institucional kushtetues mes Kuvendit dhe Presidentit, në letër, krerët e grupeve të mazhorancës kërkojnë zbatimin e këtij vendimi dhe bashkëpunimin institucional. “Që në fillim dhe me keqardhje duhet të themi se takimet e zhvilluara deri më tani nga ju me krerët e grupeve parlamentare në kuadër të procesit të përzgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë nuk i kanë shërbyer krijimit të një raporti bashkëpunimi luajal dhe institucional kushtetues ndërmjet Presidentit dhe Kuvendit. Na lejoni të themi se qasja juaj institucionale në këto takime konsultative ka sjellë një shmangie të kompetencës vendimtare që ka Kuvendi i Shqipërisë për dhënien e pëlqimit për dekretet e emërimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë”, thuhet në letër. Duke i konsideruar takimet e deritanishme me presidentin formale, dy krerët e grupeve parlamentare të mazhorancës theksojnë se ata nuk janë njohur se cila është shkalla e plotësimit të kritereve objektive të secilit nga emrat që Nishani ka përzgjedhur për anëtarë të Gjykatës së Lartë, e cila është edhe pjesë e rekomandimit për reformim të sistemit gjyqësor në vend.
Qëndrimet e PS-LSI
Me keqardhje themi se takimet e zhvilluara nuk i kanë shërbyer krijimit të një raporti bashkëpunimi dhe luajal mes institucioneve
Qasja e takimeve të Presidentit me partitë kanë sjellë një shmangie të kompetencës vendimtare që ka Kuvendi për dhënien e pëlqimit
Të rihapet procesi i kandidimit duke mos e mbajtur atë peng të listave të mëparshme të propozuara nga Presidenti i vendit
Procesi përzgjedhës e konsultues të jetë sa më transparent, nëpërmjet një seleksionimi korrekt e të paanshëm
Vlerësimi, përzgjedhja e vendimmarrja të bëhet mbi përcaktimin e përparësisë së kritereve objektive duke analizuar secilin prej tyre
Përzgjedhja e kandidatëve të orientohet nga vjetërsia në profesion, por edhe përvoja e spikatur gjyqësore dhe akademike
Dy krerët e grupeve parlamentare nuk janë njohur se cila është shkalla e plotësimit të kritereve objektive të secilit emër