Amerika

Gjykata vendos kundër ish presidentit Trump, gjobë prej 355 milionë dollarësh

Një gjykatës në Nju Jork vendosi të premten kundër ish presidentit Donald Trump, duke e gjobitur me 355 milionë dollarë për atë që gjykatësi e quajti një skemë shumëvjeçare për të mashtruar bankat dhe të tjerë, nëpërmjet deklaratave financiare që frynë artificialisht vlerën e pasurisë së ish-presidentit. Gjykata gjithashtu ia ndaloi ish presidentit të ushtrojë aktivitet biznesi në Nju Jork për tre vite.

Gjykatësi Arthur Engoron e dha vendimin pas gjyqit që zgjati dy muaj e gjysëm, gjatë të cilit kandidati kryesor republikan për president dëshmoi se është bërë viktimë e një sistemi të manipuluar ligjor.

Dy djemtë e tij më të mëdhenj, Donald Trump Jr. dhe Eric Trump, që janë zëvendës presidentë ekzekutivë të Organizatës Trump, u urdhëruan të paguajnë nga 4 milionë dollarë dhe iu ndalua të punojnë në kompanitë në Nju Jork për dy vite. Ish kryefinancieri Allen Weisselberg u urdhërua të paguajë 1 milion dollarë.

Në një deklaratë pas dhënies së vendimit, ish presidenti Donald Trump sulmoi gjykatësin dhe prokuroren dhe e quajti procesin “një gjueti shtrigash” politike. Ish presidenti e quajti vendimin më herët “një falsitet të plotë dhe total” në platformën e tij të medias sociale Truth Social, ku shkruajti se prokurorja e Nju Jorkut Letitia James “ka qenë e fiksuar për ta kapur Trump-in prej vitesh” dhe se vendimi i gjykatësit Engoron ishte “i paligjshëm, një vendim joamerikan ndaj meje, familjes time dhe biznesit tim të jashtëzakonshëm”.

Dënimi i ashpër është një fitore për prokuroren e Nju Jorkut, Letitia James, e zgjedhur nga radhët e demokratëve, e cila ngriti padi ndaj ish presidentit Trump, për atë që e quajti jo thjesht një mburrje e padëmshme, por vite të tëra praktikash mashtruese, ndërsa ai shtonte koleksionin e godinave të larta, fushave të golfit dhe pronave të tjera në shumë vende të botës, të cilat e ndihmuan për të fituar famë dhe në vazhdim Shtëpinë e Bardhë.

Prokurorja Letitia James
Prokurorja Letitia James

Avokatët e zotit Trump patën thënë që përpara dhënies së vendimit se do ta apelonin atë.

Vendimi pritet të luajë rol të rëndësishëm në një javë të ngarkuar dhe të rëndësishme për kalendarin e ardhshëm gjyqësor të ish presidentit.

Prokurorja James pati kërkuar gjoba prej 370 milionë dollarësh dhe ndalimin e zotit Trump dhe personave të tjerë për të bërë biznes në shtetin e Nju Jorkut.

Gjatë gjyqit u pyetën rreth 40 dëshmitarë, ndër ta edhe vetë zoti Trump. Argumentat përmbyllëse ishin bërë në datën 11 janar. Procesi u drejtua nga një gjykatës i vetëm, pasi juritë gjyqësore nuk lejohen në këtë shtet për padi të tilla dhe as zyra e prokurores dhe as avokatët mbrojtës nuk kërkuan juri.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button