Kronika

Gjykatat shqiptare pranojnë paditë civile për vrasjet e 21 janarit. Pritet vendimi i Gjykatës Evropiane për procesin penal

Para disa ditesh Këshilli i Ministrave ka akorduar një fond të veçantë për Gardën e Republikës për të shlyer dëmshpërblimet sipas katër vendimeve të Gjykatës Administrative që pranoi paditë e familjarëve të të vrarëve të 21 janarit 2011. Edhe tre padi të tjera janë ende në proces, të cilat priten të përfundojnë në muajin shkurt 2017.

Kërkimi i dëmshpërblimit është vetëm një prej aspekteve të ndjekura për çështjen e 21 janarit nga Res Publica me mbështetjen e Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.

Paralelisht vijojnë të ndiqen dy çështje të nisura në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e cila gjatë vitit 2016 nisi shqyrtimin e çështjes së regjistruar që në vitin 2012 dhe pak javë më parë regjistroi edhe një ­­çështje tjetër me kërkues familjet Myrtaj, Veizi dhe Deda, të cilët godasin mënyrën e hetimit dhe të gjykimit në procesin penal. Në Gjykatën Evropiane do të shqyrtohet kuadri ligjor i kohës, planet operacionale të menaxhimit të demonstratës, si dhe problematika e procesit penal, i kritikuar si një proces jo i rregullt ligjor.

“Vendimet e Gjykatës Administrative, përmes një arsyetimi të drejtë, pranuan se vrasjet e 21 janarit ishin krim shtetëror dhe Garda e Republikës është përgjegjëse për vrasjen e Ziver Veizit, Hekuran Dedës, Aleks Nikës,  Faik Myrtaj, si dhe djalit të tij Bardhosh Myrtaj. Qeveria reagoi pa vonesë në ekzekutimin e vendimeve çka jep shpresë se mund të ketë vullnet që vëmendja të drejtohet edhe nga drejtësia e mohuar në procesin penal, për të parë mundësitë e hetimit të çdo detaji të anashkaluar deri tani” u shpreh Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i qendrës Res Publica.

Përfundimi i proceseve gjyqësore erdhi në fund të një numri të madh hapash të hedhur që prej vitit 2011, në përpjekje për të ndryshuar praktikën vendase, me qëllim që ajo të përputhet me standardet evropiane dhe të jetë një udhërrëfyes i mirë se si duhet vepruar në raste të ngjashme.

Andi Dobrushi, drejtor ekzekutiv i Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, thekson se ky proces vlen si histori suksesi e shoqërisë civile që nuk u ndal derisa u bë e mundur dhënia e drejtësisë në proceset civile, ndërsa shpreson në një vendim të drejtë nga Gjykata Evropiane për shkeljet e konstatuara në procesin penal. “Gjykatat vendase treguan se në Shqipëri ka shpresë që gjykatat të mbajnë një standard të lartë gjykimi, duke mbajtur parasysh praktikën e Gjykatës Evropiane në vlerësimin e rëndësisë së të drejtës së jetës si një prej të drejtave më themelore të njeriut.” shtoi ai.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button