09 March 2026
Kryefaqja Kosova Bota
🌤️
Tiranë 13°C · Kryesisht kthjellët
S&P 500 6,699 ▼0.6%
DOW 47,019 ▼1.02%
NASDAQ 22,329 ▼0.26%
NAFTA 94.56 ▲4.03%
ARI 5,104 ▼1.07%
Breaking
Kronika

Gjyqi për Veliajn, GJKKO pranon kërkesën: BKH t’i vërë në dispozicion të gjitha aktet hetimore!

Gjykata e Posaçme ka miratuar kërkesën e Erion Veliajt për vendosjen në dispozicion të akteve hetimore. Dorëzimi i tyre do të kryhet nëpërmjet një oficeri të BKH brenda një afati të shkurtër në IEVP Durrës.

Gjykata ka vendosur të marrë kohën e nevojshme të shohë të gjitha aktet e përcjella nga gjyqtari i seancës paraprake. Për të pandehurit që nuk u paraqitën, legjitimuan avokatët që janë zgjedhur prej tyre. Në lidhje me ecurinë e procesit gjyqësor për Erion Veliajn do të përsëritet njoftimi. Pamundësia për vijimin e seancës së sotme ishte mungesa e Gentian Sulës dhe avokatit të tij, i cili deklaroi se ishte jashtë vendit, si dhe avokati i kompanisë Fusha.

Kryebashkiaku Veliaj nuk ishte i pranishëm.

Seanca e parë në themel u udhëhoq gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri, ndërsa dy relatorët ishin Alma Kodraliu dhe Rudina Palloj. SPAK u përfaqësua me prokurorin Ols Dado. Erion Veliajishte njoftuar për seancën dhe kishte depozituar një deklaratë ku thuhej se “nuk dua të paraqitem”. Gjithashtu në të theksohej se “s’ka bërë ende seancë paraprake e jo më të jetë në fazën e themelit për gjykim”.

Ai u mbrojt nga avokatja kryesisht, Valentina Teodoresku.

Veliaj ka pretenduar se gjyqtarja e seancës paraprake, Etleva Deda i mohoi të drejtën për tu mbrojtur efektivisht dhe kërkoi përjashtimin e saj, kërkesë që u rrëzua. Avokatja Teodoresku e ka mbështetur këtë duke thënë se “s’patëm mundësi të mbrohemi në seancën paraprake”.

Teodoresku tha se “Veliaj ka të drejtë me deklaratën”. “Kemi kërkuar të gjitha dokumentet, por Veliajt nuk iu dhanë dokumentet që të njihet me procesin. Edhe sot, paraqesim kërkesë që Veliaj të paraqitet me dokumentet dhe t’i jepet kohë të përgatitet për seancën e radhës”, është shprehur ajo.

Teodoresku tha se e ka takuar klientin e saj, ndërsa ka kërkuar “61 fashikujt, që t’i studiojë”.

Ndërsa prokurori Ols Dado e mohoi pretendimin e kryebashkiakut dhe tha se qëndrimi i SPAK nuk ndryshon. “Veliaj është njohur me aktet”, është shprehur Dado.

Biznesmeni Elman Abule, i marrë i pandehur për pastrim parash, është shprehur se “do të jem prezent gjithmonë në gjyq”.

Edhe Meriman Palushi mungoi, por u përfaqësua nga avokatja. Në listën e mungesave ishte edhe Fatmir Bektashi që u përfaqësua me avokatin Sokol Hazizaj, i cili u përgjigj edhe për kompaninë Kontakt. Edhe Sokol Kryeziu e kishte marrë thirrjen, por s’u paraqit dhe u përfaqësua nga Klodian Skënderaj.

As Klotilda Bushka nuk ishte në gjykatë, ndërsa e përfaqësuan avokatët Henrik Ligori dhe Shegush Ligori, të cilët u shprehën se është në dijeni, “por nuk donte të vinte dhe ka bërë shënimin”.

Seanca është shtyrë për datën 24 mars në orën 14:30.

Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si edhe 28 personave e shoqërive pjesë e së njëjtës dosje.

Kryebashkiaku i Tiranës ndodhet në arrest me burg që prej 10 shkurtit 2025, ndërsa SPAK e dërgoi kërkesën për ta kaluar dosjen për gjykim vetëm 5 muaj më parë. SPAK ka renditur ndaj Veliajt 13 akuza, të tilla si korrupsion pasiv, pastrim parash, mosdeklarim pasurie, shpërdorim detyre dhe futja e sendeve në burg.

Shumica e akuzave është ajo e korrupsionit pasiv e kryer në 9 raste, në raport me disa kompani për të cilat SPAK thotë se ka marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë.

Edhe bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv në 9 raste në lidhje me subjekte tregtare dhe organizata jofitimprurëse, njëjtë si Erion Veliaj. Gjithashtu, Xoxa akuzohet edhe për pastrim parash, mosdeklarim pasurie dhe fshehje e të ardhurave.

Biznesmenët akuzohen për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë, fshehje të ardhurash dhe pastrim parash. Ish-deputetja Klotilda Bushka akuzohet për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, kurse Fatjon Baci është gardiani i burgut të Durrësit, i cili i dha telefonin Erjon Veliaj gjatë transferimit të tij nga qelia në gjykatë, në dy raste dhe akuzohet për “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”.

Komentet

Bëhu i pari që komenton!

Lini një Koment

🔒 Komenti juaj do të publikohet pas miratimit nga moderatori.