Goditja ruse në një ndërmarrje industriale në Kryvyi Rih vret dy burra dhe plagos katër persona, mes tyre një 15-vjeçar
Dy burra u vranë dhe katër persona të tjerë u plagosën nga goditja ruse mbi një ndërmarrje industriale në Kryvyi Rih, qytetin industrial në rajonin e Dnipropetrovskut, njoftoi të hënën kreu i administratës ushtarake rajonale, Oleksandr Hanzha. Siç njofton Kyiv24, mes të plagosurve janë dy burra, një grua dhe një djalë 15-vjeçar, të cilët ndodhen të gjithë në spital, ndërsa shërbimet e emergjencës po punojnë në vendin e goditjes.

Bilanci nga Kryvyi Rih e çon në të paktën tre numrin e të vrarëve në gjithë vendin nga vala e sulmeve ruse gjatë natës, pasi në Kiev humbi jetën një grua. Siç njofton Reuters, Rusia lëshoi 16 raketa balistike drejt Kievit dhe rajonit të tij dhe më shumë se 200 dronë në gjithë vendin, duke dëmtuar mbi dhjetë objekte energjetike dhe duke lënë pa energji më shumë se 550 mijë familje.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Ukrainës, Yurii Ihnat, sqaroi se Kievi nuk mori asnjë paralajmërim para goditjes së parë balistike gjatë natës, por informacioni mbërriti para sulmit të dytë. “Për ndonjë arsye, herën e parë nuk u mor asnjë informacion, një çështje që ekspertët tanë po e hetojnë së bashku me partnerët, pasi kjo situatë nuk ndodh për herë të parë”, tha Ihnat për televizionin ukrainas, siç njofton Reuters.
Sipas Forcave Ajrore ukrainase, mbrojtja ajrore rrëzoi 247 objektiva — katër raketa lundruese dhe 243 dronë. Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kryen një “goditje masive” me armë precize dhe dronë sulmues ndaj objekteve të industrisë ukrainase të mbrojtjes, depove të dronëve dhe raketave lundruese dhe një qendre të dhënash.
Autoritetet ukrainase thanë se sektori i energjisë ishte objektivi kryesor i sulmeve, me dëme të raportuara në gjithë vendin, dhe Ministria e Energjisë njoftoi ndërprerje të rradhës të energjisë për familjet dhe bizneset, ndërsa ekipet punojnë për rikthimin e furnizimit. Të dëmtuara u raportuan edhe stacione hekurudhore, depo farmaceutike, objekte tregtare dhe pallate banimi, ndërsa në Kiev u godit një stacion metroje në bregun e majtë dhe u dëmtua një pallat 25-katësh.



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.