Ekonomia

Grafiku/ Milionat që fluturuan jashtë bankave për zgjedhje, ja shuma rekord

Paraja që qarkullon jashtë sistemit bankar ka arritur në një nivel rekord në qershor, sipas statistikave të publikuara sot nga Banka e Shqipërisë. Në fund të qershorit, jashtë sistemit bankar qarkullonin 250 miliardë lekë, apo rreth 1.8 miliardë euro, niveli më i lartë rekord ky në vite.

Vetëm gjatë muajit qershor kemi një rritje me 3.8 miliardë lekë, apo rreth 28 milionë euro më shumë, që kanë qarkulluar në treg. edhe në prill ky tregues ishte rritur me 13 milionë euro, ndërsa në maj nuk u konstatua rritje e ndjeshme këtij treguesi. Për gjithë periudhën mars-qershor, paraja jashtë sistemit bankar u rrit me rreth 44 milionë euro.

Teksa ka një rritje sezonale të parasë jashtë bankave në dhjetor dhe gusht të çdo viti, e llidhur me flukset e emigrantëve, kjo rritje në qershor është e lidhur me shpenzimet e larta përpara zgjedhjeve, një tendencë kjo që është konstatuar në çdo fushatë parazgjedhore.

P.sh. në maj-qershor 2015, para zgjedhjeve vendore, ky tregues u rrit me gati 10 miliardë lekë. Në prill -maj 2013, për zgjedhjet e përgjithshme paraja jashtë bankave shënoi rritje me rreth 9 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë. Në prill qershor 2009, ky indikator u zgjerua me rreth 6.6 miliardë lekë.

Periudhat para zgjedhore tradicionalisht shoqërohen me rritje të inflacionit (për shkak të rritjes së parasë në qarkullim) dhe zhvlerësim të monedhës vendase. Por këtë vit, aktorët e tregut valutor kanë konstatuan edhe një  rritje të pazakontë të përdorimit të euros para fushatës, që ata e cilësuan dhe si një ndër arsyet e zhvlerësimit të fortë të monedhës europiane në tregun vendas. Në 27 qershor, eur zbriti në nivelin më të ulët të 9 viteve, duke u këmbyer pak nën 132 lekë. Më pas euro e mori veten dhe aktualisht e ka kaluar kufirin e 133 lekëve.

Rritja e parasë jashtë bankave duket se ka krijuar likuiditet të bollshëm jashtë kanaleve bankare. Qarkullimi i parave jashtë bankave është nxitur vitet e fundit edhe nga politika lehtësuese që ka ndjekur Banka e Shqipërisë. Ulja e normës bazë të interesit në 1.25% është reflektuar në uljen e interesave të depozitave në lekë. Nëse indeksojmë interesin e depozitave në banka me inflacionin e muajit, interesi real është në negativ me -1%.

Banka e Shqipërisë ka njoftuar së fundmi për rigjallërimin e fenomenti të huadhënies informale. Ka një lidhje empirike ndërmjet rritjes së parasë që qarkullon jashtë bankave dhe fenomenit të fajdeve. Edhe në vitin 2015, kur financimet me kontrata huaje nga noterët u rritën jashtë normales, pati një rritje jo të zakontë të qarkullimit të parasë jashtë kanaleve bankave.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button