IntervistaPolitika

Gramoz Ruçi: E vërteta e aleancës me LSI, ja kur dalin emrat e ministrave

Gramoz Ruçi e cilësoi dje “një përgjegjësi të madhe”, fitoren e 74 mandateve.

Në një intervistë për Gazeta Shqiptare”, Ruçi u shpreh se ata nuk e shohin fitoren me eufori, por me realizëm për të përmbushur pritshmëritë e larta të shqiptarëve, socialistë e demokratë.

I pyetur në lidhje me zërat se ai do të jetë kreu i ri i Kuvendit, Ruçi u shpreh dje se këto janë komente të medias.

“Në momentin e duhur, ka kohë edhe dy muaj që maxhoranca të shpalosë të drejtën e saj për të gjitha institucionet legjislative apo ekzekutive. Kështu që deri atëherë po ia lë në dorë medias të merret”, tha ai.

Zoti Ruçi, a e prisnit të merrnit 74 mandate në këto zgjedhje?

Po, sigurisht që ne e prisnim, pasi për këtë kemi zhvilluar fushatë. Ndaj, ky rezultat ishte një përgjigje që ne morëm nga votuesit shqiptarë. U realizua pikërisht ajo që ne kërkonim dhe vlerësoj mbështetjen që na u dha. Sigurisht kjo është një përgjegjësi e madhe, ndaj ne nuk e shohim as me eufori, por e shohim me realizëm, duke menduar që përgjegjësia është shumë e madhe dhe duhet ta justifikojmë këtë mandat që na u dha nga mijëra shqiptarë.

Ju morët një mandat për të qeverisur vetëm. A do të merrni edhe “bashkëpunëtorë” të tjerë në qeveri, ashtu siç i quajti kryeministri?

Është shpejt për t’i parë këto gjëra. Kemi kërkuar vetëm ritëm më të shpejtë për të ecur përpara dhe s’ka asnjë arsye që ne të mos e ushtrojmë verdiktin që elektorati na dha. Ne do të shpalosim të gjithë përgjegjësinë e nevojshme për të realizuar ato premtime, objektiva dhe pritshmëritë e larta që ka elektorati ndaj nesh. Kur them elektorati, këtu kam parasysh të gjithë shqiptarët, socialistë e demokratë, si dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, në lidhje me zbatimin e reformave, të cilat janë të rëndësishme për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Besoni se pas këtyre zgjedhjeve do të hapen deri në fund të vitit negociatat për anëtarësim?

Sigurisht nuk mund të deklarohem për këtë çështje, sepse kjo kërkon vlerësim nga Bashkimi Evropian. Shqipëria sigurisht ka shumë ‘detyra shtëpie’ në lidhje me BE-në. Por sigurisht, standardi i zgjedhjeve që sapo zhvilluam, për mendimin ka vlerësime shumë pozitive. Për herë të parë votuesit nuk kishin pikë ankthi, frike, qoftë nga policia, shërbimi informativ apo strukturat shtetërore apo qoftë edhe nga akte rrugaçërie. Shqiptarët shkuan në mënyrën më të qetë në zgjedhje dhe shprehën verdiktin e tyre. Në dallim nga fushatat e tjera, kjo fushatë ishte ndryshe. Ishte një fushatë modeste, në kuadër të shpenzimeve. Kandidaturat që u vunë në lista nga ato problematika që kanë pasur nga zgjedhjet e kaluara ishin të një niveli të lartë dhe rezultati i zgjedhjeve doli shpejt. Nga ana tjetër, subjektet politike, pavarësisht nga retorika emocionale e momentit, të gjitha janë pajtuar me rezultatin e zgjedhjeve. Kjo nuk ishte një provë vetëm e politikës, por e gjithë shqiptarëve ndaj Bashkimit Evropian, për ato reforma që janë në rrugën e zbatimit. Është kurorëzimi i reformës në drejtësi, që është në drejtimin e duhur. Sapo janë ngritur institucionet e reja të drejtësisë dhe unë mendoj që kjo do të vazhdojë. Ndaj mendoj që këtë javë Bashkimi Evropian do të ketë një vlerësim pozitiv për ecurinë e Shqipërisë dhe zgjedhjeve.

Zoti Ruçi, rezultati përfundimtar tashmë u dha. A do të nisni punën për krijimin e qeverisë, apo do të prisni shpalljen e rezultatit zyrtar edhe pas ankimimeve të partive, siç ka ndodhur zakonisht?

Rezultatin e zgjedhjeve e ka komunikuar vetë kryetari i KQZ-së. Kjo ka qenë një iniciativë legjitime e KQZ-së. KZAZ-të i kanë bërë verifikimet e tyre. Më pas kjo është punë e KQZ-së, sistemi i bën vetë kalkulimet dhe KQZ shpreh verdiktin e saj. Por pavarësisht kësaj, në bazë të Kushtetutës, javën e parë të shtatorit, deri në 9 shtator, pikërisht atëherë kur i mbaron mandati kësaj qeverie, nuk mund të kemi një qeveri të re.

Do të thotë nuk do kemi emra gjatë verës?

Jo në verë. Por në afatin e caktuar nga Kushtetuta, kur i mbaron mandati katërvjeçar kësaj qeverie, është kompetencë e këtij kryeministri, kryeministrit të votuar dhe që ka fituar të formojë qeverinë e re.

Emri juaj po përflitet sot si pretendent për postin e kryetarit të Kuvendit. Do ta pranonit një funksion të tillë?

Nuk merrem me komentet e medias. Në momentin e duhur, ka kohë edhe dy muaj që maxhoranca të shpalosë të drejtën e saj për të gjitha institucionet legjislative apo ekzekutive. Kështu që deri atëherë po ia lë në dorë medias të merret.

Përfundimisht, zoti Ruçi e keni përjashtuar një koalicion me LSI-në?

S’ka koalicion me LSI-në. Kemi zhvilluar një fushatë për të vetëqeverisur Shqipërinë dhe nuk kemi pse ta diskutojmë këtë. Diskutimet do të bëhen në kohën e duhur.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button