Grante nga BB për fshatrat e bregdetit
Rrugë dhe ujësjellës në çdo fshat. Projekt për rritjen e turizmit duke ruajtur trashëgiminë
PROJEKTI
“Qëllimi është që të rinovohet
infrastruktura bazë mjedisore dhe
të nxitet potenciali për turizëm
Përmirësimi i fshatrave përgjatë bregdetit është pjesë e Programit të Ruajtjes së Trashëgimisë dhe Zhvillimit të Fshatit. Programi promovon turizmin në Shqipëri, Bregdetin e Jugut në disa mënyra, duke përfshirë edhe rrugët e reja të shtruara dhe rrugicat. Ky projekt ka nisur tashmë dhe banorët po përdorin grante të vogla që financohen nga Banka Botërore (BB). “Qëllimi është që të rinovohet infrastruktura bazë mjedisore dhe të nxitet potenciali për turizëm në bregdetin me natyrë të pasur në Jug të vendit”, citohet në raportin e BB-së për implementimin e projektit. Përmirësimi i kushteve të fshatrave turistike, mbrojtja e natyrës, trashëgimisë kulturore dhe traditave, sipas raportit zyrtar të BB-së, mund të sjellë si rezultat tërheqjen e më shumë turistëve vendas dhe të huaj në mënyrë më të qëndrueshme. Dhënia e granteve në fshatrat e bregdetit jugor është e lidhur edhe me dy projekte të mëdha të financuar nga BB-ja, që kanë si objekt menaxhimin e integruar të bregdetit dhe pastrimin e tij. Njëri financim i është lëvruar Ministrisë së Mjedisit më 6 qershor 2014 dhe ka vlerën 10.55 milionë dollarë, ndërsa tjetri, prej 38.56 milionë dollarë, për infrastrukturën e pastrimit të bregdetit, menaxhohet nga Ministria e Zhvillimi Urban dhe Turizmit, ka nisur më 2005-n dhe përfundon në vitin 2015.
Grantet
Me grante të vogla e banorët e fshatrave të bregdetit, nga Himara në Sarandë, po mbulojnë çatitë, po bëjnë fasada të reja mbi strukturën ekzistuese njëshekullore të shtëpive të tyre, duke përdorur elemente të arkitekturës tradicionale. Po ashtu, me anë të këtyre financimeve po mbulohen shpenzimet e kthimit të shtëpive karakteristike në bujtina dhe hotele të vogla. Banorët kanë aplikuar për grante për rinovimin e infrastrukturës bazë të ndërtesave të tyre, në përputhje me traditën lokale arkitekturore dhe me kushtin që përfituesit të kontribuojnë në koston e rehabilitimit në masën 30%. Shumë fshatra në tri bashki bregdetare, sipas raportit të BB-së, kanë përfituar nga programi i zhvillimit, i cili përveç rinovimit të shtëpive po përmirëson po ashtu dhe infrastrukturat e fshatrave me sistemet e furnizimit me ujë, rrugë të reja dhe sheshe të asfaltuara.