Greqia bën “gati” monedhën e re. Dhrahmia e fortë, e barabartë me euron
Nëse në referendumin e së dielës fiton dominon vota “JO”, atëherë Yannis Varoufakis mund të paraqesë planin e tij sekret për një kthim tek dhrahmia, por me konvertimin një me një.
“Corriere della Sera” shkruan në numrin e së enjtes se ministrin grek të Financave e tundon tepër ideja e një monedhe paralele me euron. Jo të gjithë ishin të përgatitur psikologjikisht për këtë situatë, citon e përditshmja italiane pohimet e dikujt që i ka jetuar nga afër zhvillimet brenda qeverisë greke përgjatë këtyre 5 muajve të fundit.
Por Tsipras, vazhdon i njëjti burim, e kuptoi se ky është fundi dhe dëshiron të humbasë në fushën e betejës si hero: i mposhtur mbase nga vullneti i popullit grek, por jo nga Gjermania.
Nëse në referendum triumfon PO-ja, çka duket se ka më shumë gjasa nisur nga paniku që ka përfshirë ngadalë vendin, Aleksis Tsipras do t’ia lërë frerët e qeverisjes një ekzekutivi të ri, që mund të jetë ose qeveri e unitetit kombëtar, ose një organizëm i drejtuar prej ish-guvernatorit të Bankës së Greqisë, Jorgos Provoupoulos.
Ndërsa varianti i tretë është ai i një qeverie të përbërë nga elementë të moderuar të Syrizës, PASOK-ut dhe filo-europianëve të POTAM-it me në krye Yannis Dragasakis, i cili aktualisht shërben si zëvendëskryeministër.
Por nëse të dielën fiton JO-ja, Varoufakis ka folur sakaq me Tsiprasin mbi projektin e tij që është në kundërshtim të thellë me premtimin e të dyve për qëndrimin e Greqisë në zonën e euros.
Ideja është ajo e një “mjeti monetar” paralel, vetëm në teori i konvertueshëm në mënyrë të barabartë me euron, por që konsiderohet e domosdoshme për rikapitalizimin e bankave, çka do të lejonte hapjen e tyre përpara se në Athinë të shpërthejë ndonjë valë tjetër protestash.
Varoufakis, sipas “Corriere della Sera”, është duke studiuar për këtë qëllim edhe sesi funksionon Bitcoin, monedha online. Një ditë më parë, ministrat e Financave të Eurogrupit ranë dakord të mos ketë diskutime të mëtejshme të kredisë për Greqinë përpara referendumit.
Duke vënë në dukje se kryeministri Aleksis Tsipras kishte sugjeruar ndryshime në kushtet për një plan të mëparshëm që skadoi të martën, kryetari i grupit Jeroen Dijsselblooem tha se për momentin, anëtarët thjesht i morën shënim propozimet dhe se në ditët e ardhshme nuk do të ketë bisedime të mëtejshme as në nivelin e Eurogrupit e as mes autoriteteve greke dhe institucioneve në lidhje me marrëveshjet financiare.