Ekonomia

Greqia dhe Shqipëria, kërkime nafte në afërsi të Korfuzit

“Pakti i heshtur”

Pus-nafte-detKa një “pakt të heshtur”, që të dyja vendet të vazhdojnë kërkimet për naftë, me gjithë anulimin e paktit për kufirin. Kjo duket nga veprimet e të dyja qeverive, që kanë firmosur ndërkohë kontrata me kompanitë ndërkombëtare që do të kërkojnë naftë në Jon. Pas anulimit nga Gjykata Kushtetuese të paktit detar me Greqinë dhe disa deklaratave për rinisjen e bisedimeve mes dy qeverive për kufirin mes dy vendeve, Greqia ka vendosur të vazhdojë kërkimet për naftë në detin Jon. Qeveria greke ka vendosur që kërkimet për hidrokarbure në detin Jon të fillojnë në vjeshtën e vitit të ardhshëm. Ndërkaq, shpallja e tenderit dhe publikimi në gazetën zyrtare të Komunitetit Europian do të bëhet brenda vitit 2014. Grafiku i procedurave është prezantuar në një konferencë shkencore në Athinë nga Aleksandra Sdokou, shefe e kabinetit të ministrit grek të Energjisë. Greqia ka shpallur në detin Jon një zonë ekonomike ekskluzive, e cila prek interesat e Shqipërisë. Pakti detar mban peng edhe kërkimet për naftë të një kompanie britanike në anën shqiptare të ujërave të detit Jon. Në kontratën e re me kompaninë “Capricorn Albania”, e cila po zhvillon kërkime në bllokun detar në kufi me Greqinë, të njohur si “Joni 5″, qeveria “Berisha” në mars 2013 nuk ishte në gjendje të përcaktonte përfundimisht koordinatat ku mund të operojë kjo shoqëri. Por, koordinatat e sakta ku do të zbatohen shpim-kërkimet. Në kontratë nënvizohet se këta kufij mund edhe të “rezultojnë me ndryshim”. “Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes ndërqeveritare Shqipëri-Greqi për kufirin e ujërave detare, do të rishikohen koordinatat e kufirit jug-perëndimor të bllokut ‘Joni 5′, në det, duke reflektuar koordinatat që do të përfshihen në këtë marrëveshje, në rast se ato rezultojnë me ndryshim nga ato të përcaktuara në kontratë”, shkruhet në kontratën me “Capricorn Albania”. Kjo kontratë është “pezull” që prej vitit 2009. Me ndryshimet e kësaj kontrate, kompanisë “Capricorn Albania Limited” i shtyhej afati i kërkimeve të naftës në këtë zonë. Kërkimet për naftë në këtë zonë ishin pezulluar prej vitit 2009 kur Shqipëria dhe Greqia firmosën paktin detar për kufijtë ujorë, i cili u rrëzua më vonë nga Gjykata Kushtetuese. “Joni-5”, është blloku detar më jugor dhe fillon në vijën horizontale që kalon në majën e gadishullit të Karaburunit dhe vazhdon deri në pikën më jugore të Shqipërisë, duke përfshirë pjesën detare nën këtë vijë horizontale në kufi me Greqinë dhe Italinë”. Fillimisht kjo kontratë u nënshkrua me kompaninë britanike “Medoil” në vitin 2006, por për shkak të kundërshtimit të grekëve, miratimi nga qeveria i kësaj kontrate është bërë pas 11 muajsh, me vendimin nr. 507, datë 08.08.2007. Kompania britanike pritej të bënte shpime në një sipërfaqe prej 3000 km katrorë, që shtrihet nga gadishulli i Karaburunit, deri në skajin më jugor të vendit, atje ku fillojnë ujërat greke të detit Jon. Sipas kontratës së atëhershme 7-vjeçare, investimi fillestar i kompanisë do të kapte shifrën e 26,5 milionë dollarëve dhe në rast suksesi, kontrata do të zgjatej edhe për 20 vite të tjera. “Medoil” ia shiti aksionet kompanisë “Capricorn Albania Limited”, një biznes aktiv i regjistruar në Skoci. Sipas kontratës së re të qeverisë me “Capricorn Albania Limited”, periudha fillestare e kërkimit do të jetë 2 vjet nga data efektive plus 1 vit tjetër nga data e hyrjes në fuqi të këtij amendamenti. Gjatë tri viteve të para të periudhës së kërkimit, kompania do të kryejë 400 kilometër katrorë regjistrime sizmike 3D dhe përpunim me një kosto prej 2 milionë USD dhe ripërpunim të 100 kilometër sizmikë 2D ekzistuese me një kosto prej 50 mijë USD.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button