Gruaja e pilotit: Jetuam gjithë jetën me qira, nuk dija gjë për drogën
Kemi folur në telefon ditën e hënë. Unë pris ja që ai të kthehej në shtëpi ditën e mërkurë”. Kështu është shprehur ditën e djeshme për “Gazeta Shqiptare”, Erjola, bashkëshortja e majorit shqiptar Sokol Feka, i cili pak ditë më parë humbi jetën teksa pilotonte një helikopter të mbushur me hashash.
Nëna e një vajze të vogël tregon shkurtimisht se me bashkëshortin e saj kishte folur një ditë para ngjarjes dhe se e priste atë që të kthehej në Shqipëri. “E dinim që ishte në Spanjë, sepse më tha që do ikte se kishte punë”, – thotë Erjola, por ajo mohon që të ketë pasur dijeni për ndonjë trafik të mundshëm që kishte kryer bashkëshorti i saj. “Nuk kam dijeni për trafik droge”, – shton Erjola, bashkëshortja e majorit me origjinë nga Kuçova. Familja e tij ka hapur dyert e mortit në një shtëpi të marrë me qira pranë zonës së “Misto Mames” në kryeqytet dhe presin nga çasti në çast që t’u sjellin trupin e të afërmit të tyre. Të gjithë ata që e kanë njohur majorin Feka, flasin vetëm fjalë të mira për të dhe askush nuk do ta besojë atë që ka ndodhur. “Gazeta Shqiptare” dy ditë më parë kontaktoi edhe me pronarin e banesës ku Feka ka jetuar me qira me familjen e tij dhe ai pranoi se majori i paguante çdo muaj 15 mijë lekë të reja.
Kur keni folur për herë të fundit me bashkëshortin tuaj?
Kisha folur dy ditët e fundit. Për herë të fundit fola ditën e hënë dhe më tha se të mërkurën do kthehej në Shqipëri. Nuk prisja të ndodhte kjo gjë.
Përse kishte ikur jashtë Shqipërisë Sokoli?
Mua më kishte thënë se do ikte në Spanjë, sepse kishte një punë për të bërë atje, por më tha se e kishte dërguar puna.
Kishit vënë re ndonjë gjë të çuditshme te Sokoli, që t’ju bënte juve të dyshonit për diçka të tillë?
Jo, absolutisht! Nuk kisha vënë re asnjë detaj të çuditshëm. Ne kemi jetuar gjithë jetën me qira dhe kishim probleme financiare. Nuk di çfarë t’ju them më shumë.
Kishit dijeni ju për trafik droge, pasi tani emri i Sokolit lidhet edhe me këtë gjë?
Jo, nuk kisha dijeni dhe jam akoma e habitur, sepse nuk e di se çfarë ka ndodhur.
Ju kanë thënë se kur do vijë trupi në Shqipëri?
Na thanë se trupi do vijë, por se kur nuk e dimë. Ju lutem, nuk mund të flas më shumë, ju duhet të më mirëkuptoni. Ju lutem, respektoni dhimbjen tonë dhe hallin që na ka rënë.