Balfin Group, grupi më i madh i investimeve në Shqipëri, shpalli shitjen e Skopje City Mall tek Hystead Limited nga Mbretëria e Bashkuar për 92 milionë euro.
Skopje City Mall është projektuar, ndërtuar dhe menaxhuar nga Balfin MK, pjesë e Grupit Balfin, dhe është funksionale prej viti 2012. E vendosur në zonën urbane të kryeqytetit të Maqedonisë, Shkupit, Skopje City Mall është qendra e parë moderne në Maqedoni me një koncept komplet të ri që sjell bashkë blerje, zbavitje dhe shoqëri.
Si qendra më e madhe e këtij lloji në rajon, Skopje City Mall zhvillohet për të qenë një pikë referimi e Shkupit modern dhe destinacioni i parë i markave botërore si Inditex Group (Zara, Massimo Dutti, Bershka, Pull&Bear dhe Stradivarius), Tom Tailor, Nike, Cinneplex, Nine West dhe shumë të tjerave në 130 dyqanet e saj, shkruan Noa.al.
Me mbi 7 milionë vizitorë në vit, Skopje City Mall është qendra tregtare më e vizituar dhe më e suksesshme në Maqedoni.
Hystead Limited (Hystead), një kompani britanike, është një sipërmarrje ndërmjet Hyprop Investments Limited (Hyprop) 60%, dhe PDI Investments Holdings Limited 40%.
Hyprop është një Trust Publik Investimesh i Pasurive të Paluajtshme me fokus në qendrat tregtare në Afrikën e Jugut me një vlerë tregu prej më shumë se 2 miliardë euro.
Blerja e Skopje City Mall është e fundit në radhën e blerjeve të qendrave të tjera tregtare që Hystead ka realizuar në rajon prej këtij fillimviti, e cila është pjesë e strategjisë së Hystead në krijimin e një fondi Evropian në rritje të qendrave tregtare.