GSJP: Kosovën po e braktisin të rinjtë
Personat të cilët janë të pakënaqur me kushtet aktuale të jetesës kanë gatishmëri më të lartë për të migruar, në krahasim me ata të cilët janë të kënaqur. Arsye tjetër e migrimit është humbja e besimit të institucionet shtetërore. Këto janë rezultatet e dala nga një hulumtim i Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP), të cilët prezantuara në një konference për media.
Sipas këtyre rezultateve, njëri ndër indikatorët më të rëndësishëm të migrimit, mbetët padyshim të ardhurat mujore, që sipas tyre, ata persona që kanë të ardhura deri në 200 euro në muaj kanë gatishmëri dukshëm më të lartë për të migruar se ata me të ardhura 200 deri në 400 euro.
Arbërsha Loxha, nga GSJP, tha se arsye kryesore e migrimi nuk është vetëm faktori ekonomik, por sipas këtij hulumtimi, ka dal që arsye tjetër pse qytetarët po largohen nga vendi është për shkak të humbjes së besimit të tyre karshi çështjeve politike.
“Sipas rezultateve të anketës të vitit 2014, përqindja e individëve të cilët kanë shprehur gatishmërinë për të migruar në njërën nga vendet e BE-së, ka shënuar një rritje prej 26 për qind, në krahasim me vitin 2012, përkatësisht është rritur nga 34 për qind në 43 për qind… Ikjet masive të cilat ne i kemi parë kohëve të fundit tregojnë se Kosova po eksporton pasuri dhe ky proces do të jetë proces varfërues për Kosovën. Duhet theksuar se ky migrim nuk është si rezultat i kushteve apo faktorëve ekonomik, por ne mendojmë se njëkohësisht është motivuar nga mosbesimi i qytetarëve karshi çështjeve politike dhe po ashtu pakënaqësisë së tyre me sistemin në tersi në Kosovë”, tha Loxha.
Delfinë Elshani, hulumtuese nga GSJP, tha se ata i rekomandojnë Qeverisë që të hartoj një fushatë vetëdijësuese për qytetarët lidhur me pasojat e migrimit.
“Qeveria duhet të fokusohet në hartimin e një fushate vetëdijësuese e cila mbështetet në një strategji substanciale dhe të vazhdueshme, me an të së cilës, qytetarët informohen në mënyrë më të detajuar lidhur me praktikat e bashkimit Evropian për migrimin si dhe pasojat që rrjedhin nga migrimi i parregullt”, tha Elshani.
Po ashtu, bazuar në këtë analizë, del se individët të cilët i takojnë grupmoshës 25-34 vjeç kanë gatishmëri më të lartë, ndërsa ata të grupmoshës 65 dhe më shumë kanë gatishmëri më të ulët për të migruar në krahasim me grupmoshën 15-24 vjeç.
Për këtë arsye, Elshani, mendon se duhet të shfrytëzohen më mirë mundësit për punësim sezonal.
“Rekomandohet të shfrytëzohen më mirë mundësit për punësim sezonal. Pra, Qeveria duhet të përmirësoj dhe zgjeroj marrëdhëniet me vendet e BE-së të cilët kanë nevojë për fuqi punëtore me kualifikime të ulëta dhe të mesme. Andaj, ministria e Arsimit duhet të fokusohet në ofrimin e shkollimit profesional afatshkurtër, me anë të së cilës adreson kërkesat e shteteve të BE-së, me të cilat Kosova ka ose do të nënshkruaj marrëveshje për punësim sezonal”, tha ajo.
Rajonet me përqindje më të lartë të qytetarëve që kanë gatishmëri për të migruar janë Peja dhe Prishtinë, ndërsa qytetarët e rajonit të Prizrenit dhe Ferizajt kanë më pak prirje për të migruar.