Guri që flet me heshtje
Ati themeltar i Singaporit kërkoi që pas vdekjes të rrënohej shtëpia e tij, për të mos e shndërruar në objekt kulti e pelegrinazhi. Trashëgimia e tij duhej të ishte shteti funksional me një popullatë që jetonte mirë, mendonte ai. Një mësim për Kosovën që ka rënë në 1.5 milionë banorë.
1. Gurit, për dallim prej njeriut, i është dhënë ekzistenca.
Kështu tingëllon e përmbledhur njëra prej premisave themelore të mendimit të elaboruar të filozofit spanjoll, Jose Ortega y Gasset, të shkruar në “Historia si sistem”. Në elaborimin e tij ai e ndërton këtë dallim mes gurit e njeriut në atë që shumë të tjerë e konsiderojnë thelbësore, pra ne, njerëzit, jemi rrëfimi. Guri nuk do të prodhojë rrëfime, do të prodhojmë ne, për veten e të tjerët, dhe kjo do të shënojë ekzistencën tonë.
Henry Kissinger, në librin e tij “Leadership” e përdori këtë citat të filozofit spanjoll duke treguar rrëfimin për Lee Kuan Yew, atin themeltar të Singaporit. Ky mori udhëheqjen e një qyteti-shtet që kishte shërbyer si bazë ushtarake britanike dhe e shndërroi në njërin prej shteteve më të suksesshme në botë, mes tjerash edhe duke investuar në vitet e para kritike të shtetit një të tretën e buxhetit në arsim. Rrëfimi jetësor i Lee Kuan Yew, një burrë me mençuri konfuçiane (këtë mbresë të thellë e pata me ta takuar në Forumin Ekonomik të Davos në fillim të këtij shekulli) është i gjatë dhe ia vlen të lexohet, por në versionin e tij Kissinger në një moment e ndërlidh këtë citat me vendimin e Lee Kuan Yew që shtëpia e tij personale në Singapor të rrënohej pas vdekjes së tij, në mënyrë që të mos shndërrohej në vend pelegrinazhi.
Në vend të shtëpisë së tij, si një objekt të ri kulti, ati themeltar i Singaporit deshi të linte pas një shtet me institucione funksionale. Ky do të ishte rrëfimi i tij, jeta e tij.
2. Definimi i historisë si ekzistencë mu ndërlidh kush e di për të satën herë para disa ditësh në një tavolinë kafeje në Prishtinë, me miq të cilët mbajnë mend edhe disa dhjetëvjetësh të shekullit të kaluar. Në atë mbamendje, për një gjeneratë me pothuajse mbamendje kolektive, ekziston konstatimi i thjeshtë se objektet publike të Prishtinës, kryeqytet i Kosovës, janë pothuajse të gjitha të ndërtuara në periudhën 1968- 1981, pra në periudhën ku në kushtet e sistemit njëpartiak, përfaqësuesit e shumicës shqiptare morën vendimmarrjen. Dhe, ngjashëm me Singaporin (i cili edhe atëherë e deri në ditën e sotme është sistem njëpartiak) pos investimeve në godina e industri, pjesa më e madhe e ndryshimit të parasë publike u perceptua në arsimin, posaçërisht të atij në gjuhën shqipe.
Formulimi origjinal i Ortega y Gasset thotë “Gurit i është dhënë ekzistenca, nuk ka nevojë të luftojë për të qenë ai që është – një gur në fushë”. Për dallim prej gurit, “njeriu duhet të jetë vetja me gjithë kushtet e pafavorshme, kjo do të thotë se ai duhet ta bëjë ekzistencën në çdo moment”. Në kushtet e Kosovës të viteve 1968-1981 në masë të madhe u definua ekzistenca, ashtu si do ta kuptonte lideri i Singaporit, në funksionalitet shoqëror, duke prodhuar rrëfimin shtetëror e institucionet e tij.
Pyetja që u shtrua, dhe shtrohet në tavolinë kafeje, është: Pse për dallim prej 1968- 1981 nuk ekziston një objekt i dukshëm, si investim me para publike që do të shënojë një epokë, atë të çlirimit, 1999-2023? Ose një të pavarësisë, 2008-2023?
3. Më duket se pyetja e sipërme do të meritonte përgjigje të gjatë (okupimi nga Serbia, lufta, administrimi ndërkombëtar e kështu me radhë) dhe në vend të saj ndoshta do të ishte më i mirëqenë ndryshimi i pyetjes. Pra, jo pse nuk e kemi definuar ekzistencën e Kosovës së pavarur (në formë më të mirë se atë të 1968-1981), por si ta definojmë atë në të ardhmen?
Dhe kjo pyetje merr dy përgjigje imediate. E para, është se ekzistenca është duke u definuar. Pra, Kosova ka institucione funksionale (dhe definitivisht demokratike, krahasuar me sistemin e autonomisë). E dyta, vjen rrjedhshëm, edhe prej liderit të Singaporit: rrëfimi i ekzistencës nuk mund të ndërtohet duke u kthyer kah e kaluara, duhet projeksion i së ardhmes.
Që të dyja këto përgjigje kanë brumë për më tutje. Po, Kosova ka institucione demokratike dhe më shumë liri se çka pasur ndonjëherë, por a ka kohezion shoqëror për ndërtim të rrëfimit të vet si më 1968- 1981?
Dhe, pastaj, a mund të ndërtojë kohezion duke mbajtur kokën të kthyer prapa? Pra, nëse Kosova është duke kërkuar pikën e referencës për ardhmërinë e vet në periudhën 1968-1981, diçka nuk është në rregull me të. Apo, nëse ligjërimi në përditshmëri është ai për rezistencën paqësore, luftën apo organizatat ilegale së bashku me rrëfimin për masakra të popullatës civile (të cilat qenë aq me numër sa nuk kalon java pa përvjetor), atëherë çfarë është ligjërimi i ardhmërisë?
Në analogji inverse me Ortega y Gasset, tingëllon sikur Kosova është guri, të cilit i është dhënë ekzistenca, ajo e vuajtjes dhe vajtimit për vuajtje.
4. Ligjërimi i Kosovës mund dhe duhet të ndryshojë. Mbase mënyra më e lehtë dhe e nevojshme do të ishte ligjërimi për ardhmërinë: çfarë duhet të jetë ky vend brenda 20 vjetësh? Jo në kuptimin e formulimeve tashmë të përsëritura dhe uniformuara (shtet anëtar i BE-së, i NATO-s), por çfarë do të jetë në cilësi të arsimit, të ajrit dhe ujit, të sigurisë energjetike, të kuteve të matshme të aftësisë për të qenë pjesë e tregut botëror në teknologji e punë?
Për pothuajse një çerekshekulli rrëfim për të kaluarën Kosova ka rënë në 1.5 milionë banorë (bazuar në mostrat testuese për regjistrim të popullatës). Edhe pas një çerekshekulli ende nuk ekziston një kohezion rreth së kaluarës, e lëre më së ardhmes. I vetmi përbashkues del të jetë se njerëzit e Kosovës po ikin nga e kaluara.
Mbase duhet dalë nga natyra e gurit. Njeriu nuk ka natyrë, thotë Ortega y Gasset. Ka historinë të cilën e shkruan me veprime të veta.