Ekonomia

Bankers, saga e zezë e arit të… zi

Bankers del gjithnjë i fituar! Edhe pse rregullisht ka dalë me humbje. Nuk është paradoks. Fitorja e fundit është nga raporti auditues i palës së tretë mbi mosmarrëveshjen e taksave me qeverinë shqiptare për vitin 2011. Audituesit, një panel i përbashkët me ekspertë të Pricewaterhouse Coopers dhe kompanisë konsultuese Navigant, kanë vendosur se Bankers i ka deklaruar të sakta shpenzimet e tij si kosto të rimbursueshme në vitin 2011 bazuar në licencë-marrëveshjen hidrokarbure.

Siç është rënë dakord më parë me Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyre (AKBN), Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe Bankers, vendimi është një zgjidhje përfundimtare dhe si e tillë autoritetet e taksave në Shqipëri do të rillogarisin detyrimet e taksave për vitin 2011 dhe do të përcaktojnë mekanizmin e duhur për të zgjidhur ose rimbursuar Bankers-in për pagesat e bëra deri më tani. Kompania i ka paguar në total 37 Milionë dollarë deri në 30 Qershor 2016 zyrës së taksave si derdhje për tatimin fitimin e vlerësuar për vitin 2011.

Konflikti

Konflikti mes Bankers Petroleum dhe tatimeve  ka lindur në mesin e vitit të kaluar, pasi Albpetrol nuk i ka njohur Bankers Petroleum 220 milionë dollarë shpenzime të vitit 2011. Në bazë të raportit të Albpetrol, Tatimet inicuan një pagesë prej 57 milionë dollarësh, që Bankers u detyrohej tatimeve, shumë që ka arritur në 75 milionë dollarë së bashku me gjobat dhe kamatat.

Ky është një detyrim që shteti shqiptar deklaroi se kompania e ka shmangur, duke raportuar shpenzime më të larta se ato reale, për të ulur normën e fitimit dhe rrjedhimisht duke shmangur pagesën e taksave, sikundër parashikohet në marrëveshjen konçensionare. Sipas marrëveshjes në fjalë, kompania, në momentin që rekuperon shpenzimet kapitale, duhet të paguajë 50% tatim fitimi.

Konflikti kulmoi në 25 nëntor kur Tatimet bllokuan llogaritë bankare të kësaj kompanie, pasi kishin marrë autorizimin nga gjykatat shqiptare për të mbledhur me forcë 57 milionë dollarë. Llogaritë u zhbllokuan pas ndërhyrjes nga Gjykata e Arbitrazhit, ndërsa po në dhjetor, Bankers njoftoi se kishte arritur marrëveshje me tatimet.

Sipas marrëveshjes, “Bankers” ra dakord të paguajë të plotë detyrimin tatimor prej 57 milionë dollarësh, të cilin qeveria pretendon se është shmangur nga kompania. Skema e rënë dakord parashikon që grupi kanadez të paguajë menjëherë 10 për qind të kësaj shume dhe pastaj nga 4.2 milionë dollarë çdo muaj deri në shlyerjen e plotë të detyrimit. Por nëse Arbitrazhi do të vendoste në favor të “Bankers”, atëherë këto para do t’i kthehen mbrapsht kësaj kompanie.

Tashmë që audituesi ka vendosur në favor të Bankers, tatimet duhet të kthejnë shumën prej 37 milionë dollar që ka marrë deri tani, ose të bjerë dakord që kjo shumë të kompensohet nga pagesat që Bankers duhet të bëjë në të ardhmen.

Çudirat

Bankers deklaron çdo vit që “ende nuk po rikuperon Kostot Hidrokarbure në Shqipëri”, ndaj (sipas kontratës) nuk duhet të paguajë taksa. Por në mënyrë paradoksale, ndërsa Bankers mbetet përvit “e varfër” nënkontraktorët e saj shtojnë çdo vit fitimet në shifra marramendëse.

6 nga kontraktorët e Bankers Petroleum janë në listën e 25 kompanive me fitimet më të mëdha në Shqipëri, ndërsa vetë Bankers është kompania me xhiron më të madhe.

Nënkontraktorët e Bankers kanë norma fitimi bruto në vlerat 61% apo 43%, një normë fitimi kjo tepër e lartë.

Bankers Petroleum deklaron gjithashtu se ka investuar në Shqipëri rreth 2.5 miliardë dollarë amerikanë.

A qëndron kjo shifër?

Në dhjetor 2015 disa të dhëna konfidenciale botuar nga DITA provuan se investimet reale të Bankers në Shqipëri janë vetëm 300 milionë USD, të cilat ndahen:

– 100 milionë USD kredi nga IFC, BERZH dhe Raiffaisen Bank.

– 200 milionë USD të investuara nga kompania mëmë.

Pjesa tjetër e investimeve të pretenduara është kryer përmes shitjes së naftës së nxjerrë në Shqipëri dhe investimit të fitimeve. Madje edhe kjo nuk mund të quhet investim i mirëfilltë pasi janë procese pune të domosdoshme për mbarëvajtjen e kompanisë. Edhe deklarata e Bankers se i kanë paguar shtetit shqiptar 550 milionë USD taksa është e pasaktë dhe e fryrë qëllimisht. “Taksa” e vetme që ka paguar Bankers Petroleum në Shqipëri është Renta Minerare dhe Sigurimet Shoqërore dhe Shëndetësore të punonjësve.

Renta Minerare është paguar në masën 10%. TVSH që ka paguar kompania i është rimbursuar nga shteti shqiptar. Ndërkohë që Bankers llogarit si taksa edhe Tatimin mbi të Ardhurat Personale (TAP) ose sigurimet, të cilat i paguajnë punonjësit nga paga e tyre.

Se si dhe çfarë ka futur në shpenzime Bankers, mjafton t’u referohemi rrogave të çmendura që kompani ka paguar. DITA ka botuar në 5 dhjetor 2015 të dhënat e poseduara të një borderoje të Bankers Petroleum ku flitet për shifra të jashtëzakonshme:

Në kompaninë me rreth 550 punonjës, 70 persona kishin paga mbi 10 milionë (të vjetra) në muaj.

Brenda këtij grupimi ka paga që shkojnë 15, 20, 30 e më shumë milionë lekë në muaj. Nga këta 70 persona, vetëm 2 janë shqiptarë. Ndërkohë, 20 drejtues të kompanisë kanë pagë mbi 50 milionë lekë (të vjetra) në muaj(!) Kurse 3 drejtues të lartë të kompanisë kanë rrogë stratosferike në shifrën e pabesueshme të 100 milionë lekëve në muaj(!) Sipas një statistike të tatimeve, në Shqipëri vetëm rreth 100 vetë kanë paga mbi 10 milionë lekë të vjetra në muaj. Nga këta persona, mbi 70 i përkitkan kompanisë Bankers! Këta të superpaguar figurojnë në bordero si “supervizorë” dhe janë kryesisht familjarë të drejtuesve të huaj të kompanisë që punojnë në Shqipëri. Burime brenda kompanisë thanë për DITA se shumica e këtyre individëve vijnë në Shqipëri një herë në 1 deri në 3 muaj për të tërhequr paratë, por megjithatë në emër të tyre figurojnë apartamente luksoze, vila në Tiranë dhe badigardë. Vetëm zëri në buxhet për badigardë është 3 milionë USD në vit.

Nga ndërhyrja tek… shitja

Në letra, del se Bankers nuk arrin të fitojë nga nafta shqiptare, (përderisa nuk paguan taksa) po insiston me heroizëm të mbetet në treg. Veç kësaj, ka tronditur shpesh shtëpitë dhe pronat e fshatrave rreth Patos-Marinzës, me shpërthime që deklaroheshin rregullisht si tërmete. Qeveria shqiptare tentoi të prishte kontratën konçesionare në vitin 2014. Por në vitin 2015, pikërisht më 1 prill, ndodhi e paevitueshme: Shpërthimet e Bankersit shkaktuan llava balte, gazi e ujrash toksikë që nuk mund të përgënjeshtroehshin dot. Kur prokuroria e Fierit nisi hetimet, siç ekspozoi DITA, më 23 korrik 2015 ambasadori i SHBA-së në Tiranë Donald Lu i dërgon një letër konfidenciale kryeprokurorit Llalla, për dijeni dhe kryeministrit dhe ministrit të Energjetikës. Thjesht aty kërkohej që “prokuroria e Fierit të trajtonte larg politizimeve dhe presionit publik hetimin ndaj Bankers”. Mesazhi u mor, sepse hetimet u pushuan nga prokuroria e Fierit që vendosi “të mos politizohej”.

Në fund të 2015-s prodhimi i naftës u përgjysmua. Bankers njoftoi shitjen tek gjiganti kinez Geo-Jade Petroleum Corporation. Në bazë të marrëveshjes Bankers është vlerësuar me 575 Milionë dollarë kanadezë (C$) pa përfshirë detyrimet. Kjo shumë është e barabartë me 407 milionë dollarë. por duket se kinezët kanë kërkuar më shumë kohë. Në fillim i gushtit u njoftua se ky ndërrim pronësie duhet të miratohet nga Administrata Shtetërore Kineze e Këmbimit Valutor (SAFE). Afati i miratimit nga Republika Popullore e Kinës është shtyrë për në 30 Shtator 2016. Kundrejt kësaj shtyrje, Geo-Jade ka rënë dakord (që në 29 Korrik 2016, data e amendimit të marrëveshjes) se nëse SAFE nuk e miraton marrëveshjen deri më 30 Shtator, 2016 Bankers ka të drejtë të marrë 20 milionë USD si tarifë terminimi nëse Bankers vendos të mbyllë marrëveshjen si pasojë e mosmiratimit. Ndërkohë, palët kanë rënë dakord për të shtyrë afatin e fundit për transaksionin deri në 31 Tetor, 2016 për të patur kohën e nevojshme për të mbyllur këtë proces.

Pra, në fund të fundit, Bankersin mund ta kemi ende këtu, duke këmbëngulur heroikisht të mos fitojë nga nafta shqiptare, por thjesht të riinvestojë gjithçka…

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button