Guvernatori Sejko: Interesat negative të euros kanë vënë në vështirësi menaxhimin e rezervës valutore
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko tha sot se normat negative të interesit në Eurozonë kanë ndikuar negativisht politikën monetare në vendet e Rajonit, në një konferencë, të bashkë-organizuar nga Banka e Shqipërisë dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, dhe me mbështetjen e çmuar financiare të Qeverisë së Zvicrës.
Së pari normat negative të interesit kanë vështirësuar vlerësimin mbi kufirin e poshtëm të normës bazë të interesit në ekonomitë tona, apo pikën e ndarjes midis përdorimit të instrumenteve standarde dhe jo-standarde të politikës monetare.
Së dyti, ato kanë ndryshuar kthimet relative midis instrumenteve financiare të denominuara në monedhë vendase e të huaj, duke krijuar kështu si mundësi ashtu edhe sfida në përpjekjen për të kufizuar nivelin e “ euroizimit” në sistemet tona financiare.
Së treti, ato kanë ulur fitimin prej investimit të mjeteve tona të rezervës valutore, duke prodhuar madje, në disa raste, edhe norma negative kthimi. Ky rezultat bëhet edhe më i rëndësishëm kur, në ndryshim nga vende të tjera, hapësira për të diversifikuar rezervën në më shumë monedha të huaja është më e vogël. Ky aspekt na përballi me deformime dhe sfida konkrete për sistemin tonë të rezervës së detyruar, sidomos sa i takon modaliteteve të remunerimit të rezervës e detyruar, analizoi Guvernatori.
“Veç kësaj, sistemet tona financiare janë ndikuar nga prezenca e filialeve të bankave të Eurozonës, të cilat u ekspozuan ndaj shtrëngimit të kuadrit rregullator në sektorin bankar evropian. Ky shtrëngim erdhi si rezultat i dobësive të sistemit që buruan prej krizës financiare.” tha Sjeko
Në afat të gjatë vuri në dukje Guvernatori, të gjithë duhet të përfitojmë nga një sistem bankar evropian më i fortë, më i mirë-kapitalizuar, dhe më i qëndrueshëm. Megjithatë, në afat të shkurtër, përshtatja me këtë ambient të ri rregullator përbën një sfidë në vetvete për vendet e rajonit, për shkak të disa faktorëve specifikë:
- Së pari, ai ka sjellë tendenca të tkurrjes së ekspozimit ndaj vendeve të rajonit, prej shumë bankave evropiane.
- Së dyti, ai ka inkurajuar adoptimin e standardeve të reja dhe më të shtrënguara të kreditimit në nivel grupi, të cilat shpesh nuk reflektojnë veçantitë e secilit vend, apo treg, në të cilin operojnë këto banka.
- Së treti, kriteret e ekuivalentimit të kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator nuk janë përcaktuar akoma, çka nënkupton se ekspozimi ndaj vendeve të rajonit trajtohet nga rregullatorët evropianë dhe grupet bankare evropiane me një koeficient të lartë rreziku.
Të gjithë këto faktorë ndikojnë në sjellje të ndryshme në biznes midis filialeve të bankave të Eurozonës dhe bankave të tjera me origjinë jashtë Eurozonës apo bankave vendase, sjellje divergjente këto që janë tepër evidente në Shqipëri.
Normat e ulëta të inflacionit në Eurozonë janë transmetuar edhe në ekonomitë tona, duke vështirësuar kështu arritjen e objektivit tonë për stabilitetin e çmimeve. Që prej muajit shtator 2012, ecuria e inflacionit bazë në vendet e Eurozonës dhe në ato të rajonit është shmangur nga ecuria mesatare e përgjithshme e inflacionit në pjesën tjetër të botës. Tendenca e sinkronizuar dizinflacioniste në të gjithë Evropën sugjeron për një përcjellje të normave të ulëta të inflacionit, nga vendet e Eurozonës drejt vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Shkalla e ndjeshmërisë së vendeve të rajonit ndaj tendencave dizinflacioniste të origjinuara në Eurozonë, përcaktohet nga shkalla e tregtisë së tyre me vendet e Eurozonës dhe nga forma e regjimit të kursit të këmbimit. Në rastin e Shqipërisë, mallrat e importit plotësojnë rreth 40% të kërkesës së brendshme dhe ecuria e çmimeve të tyre natyrisht që ndikon nivelin e përgjithshëm të çmimeve në ekonomi. Megjithatë, ky raport është më i ulët se ai i vendeve të tjera Evropës Lindore e Qendrore, të cilat janë edhe më të ekspozuara ndaj përhapjes së efekteve dizinflacioniste prej vendeve të Eurozonës nga kanali i tregtisë. Nga ana tjetër, zbatimi i një regjimi modern të shënjestrimit të inflacionit në Shqipëri, aplikimi i një kursi të luhatshëm të këmbimit, si dhe reagimi i shpejtë dhe i vendosur i politikës monetare në Shqipëri ndihmuan në përballimin e presioneve dizinflacioniste me origjinë të huaj.
Përtej ndikimit në inflacion, normat negative të interesit në Eurozonë të ardhura si përgjigje ndaj normave të ulëta të inflacionit, patën gjithashtu disa pasoja në vendet e rajonit. Efekti i parë është padyshim pozitiv, për vendet si Shqipëria të cilat dëshmojnë një konvergjencë ciklike me Eurozonën dhe të cilat u përballen me goditje të ngjashme negative mbi çmimet dhe mbi aktivitetin ekonomik.
Për aq kohë sa normat negative të interesit kanë rezultuar të suksesshme në parandalimin e deflacionit dhe në thellimin e mëtejshëm të krizës në Eurozonë, ato kanë ndihmuar gjithashtu edhe bankat qendrore të rajonit për të përmbushur mandatet e tyre për stabilitetin e çmimeve. Më tej, vendet e rajonit kanë përfituar edhe prej hyrjeve të kapitalit e të portofolit prej vendeve të Eurozonës, të nxitura nga normat negative të interesit në zonën Euro dhe nga programet e mëdha të blerjes së mjeteve financiare prej Bankës Qendrore Evropiane.