Guvernatori Sejko në mbledhjen vjetore të FMN e BB
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në Mbledhjet Vjetore të FMN-sw dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), të cilat u zhvilluan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në këto mbledhje, Shqipëria u përfaqësua nëpërmjet një delegacioni të përbashkët me përfaqësues të lartë të Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, të kryesuar nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Ministri i Financave, Arben Ahmetaj.
Çështja kryesore që mbizotëroi diskutimet në këto takime ishte gjallërimi i mëtejshëm i ekonomisë botërore. Në deklaratën për shtyp të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: “ekonomia globale vazhdon të rritet ngadalë dhe në mënyrë jo të njëtrajtshme, pasiguritë dhe rreziqet në kahun rënës janë rritur, ndërkohë zhvillimet e pafavorshme afatgjata vijojnë”.
Gjatë këtyre mbledhjeve përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së u shprehën pozitivisht lidhur me bashkëpunimin e suksesshëm të deritanishëm me autoritetet shqiptare, vlerësuan progresin e arritur me reformat dhe theksuan rëndësinë e zbatimit të mëtejshëm të tyre.
Në këto takime, Guvernatori Sejko prezantoi panoramën ekonomike të vendit ku theksoi se rritja ekonomike është në një trajektore pozitive zhvillimi. Guvernatori Sejko gjithashtu u shpreh se rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme. Më tej, ai bëri një ekspoze të sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike. Guvernatori gjithashtu u ndal në masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë në fushën e politikës monetare dhe në atë të stabilitetit financiar të vendit.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e FMN-së dhe BB-së vlerësuan pozitivisht rolin dhe politikën e ndjekur nga Banka e Shqipërisë, e cila ka kontribuar në zhvillimin makroekonomik dhe stabilitetin financiar të vendit.
Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte nxitja e nivelit të kreditimit dhe ulja e kredive me probleme. Guvernatori Sejko theksoi se politika monetare lehtësuese e ndjekur nga ana e Bankës së Shqipërisë i ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend dhe rritjen e kreditimit të ekonomisë, megjithatë kjo ecuri vlerësohet ende e brishtë.