Teater

Hajrie Rondo rikthehet në skenë

Aktorja e njohur do të ngjitet këtë fundjavë në skenën e Teatrit Eksperimental në komedinë “Seks vetëm për festa” nën regjinë e Leka Bungos

Hajrie Rondo, duket se e ka mundur sëmundjen, për t’u ringjitur sërish në skenë. Asgjë nuk mund t’ia zëvendësojë aktores atë çfarë i jep futja nën lëkurën e një personazhi tjetër. Një nga aktoret më të mira të teatrit do të jetë këtë fundjave protagoniste në komedinë “Seks vetëm për festa” që do të ngjitet në fundjavë (në datat 29,30,31 maj, ora 21.00) në teatrin eksperimental “Kujtim Spahivogli”, nën regjinë e Leka Bungos. Një histori shqiptare shkruar gjatë qëndrimit në Nju Jork ku ndan jetën regjisori, do të sjellë paradokset e një jete për mbijetesë. Vepra është ngjitur fillimisht në skenën e teatrit “Bylis” në Fier. Ngjarjet e komedisë ndodhin në një familje emigrantësh shqiptarë e cila prej vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Miss Keth dhe familja e saj sigurojnë jetesën falë një biznesi të veçantë. Duke shfrytëzuar nënshtetësinë amerikane, Keth është martuar dhjetëra herë me emigrantë ilegalë, të cilët kanë paguar shuma të majme. “Viktimat” e fundit, dhëndri nga Kina, Afrika dhe ai nga Lazarati i Shqipërisë janë protagonistë të kësaj komedie plot humor dhe mesazhe ndërgjegjësuese për krizën që po kalon shoqëria. Në komedi interpretojnë aktorët Miola Sitaj, Astrit Hasani, Ilirjan Ali, Shpëtim Shehu, Brikena Sinanaj, Vasil Vaso dhe Edmond Halilaj, nën skenografinë e Pano Kondo, dhe as/regjisor Astrit Hasanaj. Regjisori Bunga e ka shkruar komedinë në Nju Jork. Dhe pse ngjarjet trajtohen me humor, pjesa tregon një të vërtetë të jetës në emigracion ku halli shpesh i shtyn njerëzit të bëjnë sakrifica të tilla vetëm për shkak të dokumentacioneve. Titulli i komedisë “Seks vetëm për festa” është dhe një ndër pikat e kontratës të kësaj martese të sajuar. Për regjisorin kjo nuk është një ngjarje vetëm shqiptare, por një ngjarje ku e kanë gjetur veten emigrantë të kombësive të ndryshme, që kërkojnë të mbijetojnë në një vend ku ligjet e emigracionit nuk janë të lehta. Vetë regjisori interpreton rolin e kinezit në këtë komedi, i cili martohet vetëm për letrat. Komedia është bazuar në një ngjarje reale, dhe është shkruar nga Bungo në vitin 2004. Jo vetëm shqiptarët detyrohen të martohen “për letra”, por edhe shtetas të tjerë, të cilët bien pre e martesave fiktive për një të ardhme më të mirë. Pjesëmarrjen e aktores Rondo në këtë komedi, regjisori e quan fat, duke vlerësuar kapacitetin e saj aktorial. Duket sikur këtë komedi e ka shkruar posaçërisht për të pasi ajo ka aftësinë të shndërrohet shpejt në personazhin që i besojnë. Ky është roli i parë i aktores pas shkëputjes së saj nga teatri, pas gati katër vitesh shkëputjeje për shkak të sëmundjes. Por duket se gjithë ajo histori jo e bukur në jetën e saj, me të cilën iu desh të përballej ka kaluar për aktoren, për t’iu rikthyer sërish skenës. Komedia është pritur mirë gjatë vënieve që pati në teatrin “Bylis” të qytetit të Fierit. Regjisori Bungo erdhi nga SHBA dy muaj më parë për të ngjitur këtë vepër në skenën e qytetit të Fierit.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button