Hantavirusi mund të mbetet në spermë deri në 6 vite, rrezik i mundshëm transmetimi
Në vetvete, kur dëgjojmë “hantavirus”, ekziston frika e një shpërthimi masiv të tij, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se nuk ekziston një rrezik i tillë.
Por, një studim i ri ka ngritur një tjetër shqetësim lidhur me këtë virus, pasi ka rezultuar se hantavirusi mund të qëndrojë në spermë për të paktën gjashtë vite dhe të transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale.
Ky studim, i publikuar në MDPI, i kryer nga Laboratori Spiez, ka pasur si “kampion” testimi një 55-vjeçar zvicerian, i cili ishte infektuar gjashtë vite më parë me hantavirus në Amerikën e Jugut.
Edhe pse tek ky person nuk kishte më gjurmë të virusit në gjak, urinë apo traktin respirator, ai ishte ende i dallueshëm në spermën e tij, 71 muaj më vonë.
Ashtu si me viruset e tjera, përfshirë virusin Ebola dhe Zika, testikujt mund të veprojnë si një “rezervuar”, ku virusi në thelb mund të “fshihet” dhe t’i shmanget sistemit imunitar të trupit, siç shkruhet në artikullin mjekësor.
Një shpërthim i Ebolës në Guine në vitin 2021, i cili rezultoi në 23 raste dhe 12 vdekje, u lidh më vonë me një të mbijetuar të epidemisë së Afrikës Perëndimore 2014-2016, i cili kishte vazhduar ta përhapte virusin përmes seksit.
“Të marra së bashku, rezultatet tona tregojnë se virusi i Andeve ka potencialin për transmetim seksual”, tha studimi i vitit 2023, megjithëse kjo nuk është dokumentuar kurrë.
Mbetet e paqartë nëse ka pasur ndonjë ndikim kjo gjë në tetë rastet e konfirmuara të hantavirusit, të lidhura me anijen turistike MV Hondius ose 20 personat pa simptoma që janë në izolim në Britani.
Analistët në Airfinity, një kompani që gjurmon rreziqet globale shëndetësore, rekomandojnë që pacientët meshkuj duhet të marrin udhëzime të shumta për seks të sigurt përtej karantinës 42-ditore.
Protokollet e OBSH-së përcaktojnë se sperma nga të mbijetuarit meshkuj të Ebolës duhet të testohet çdo tre muaj dhe nuk duhet të konsiderohet e sigurt derisa të ketë dy rezultate negative të njëpasnjëshme. Derisa të konsiderohen të sigurt, ata duhet ose të abstenojnë nga të gjitha format e kontaktit seksual ose të përdorin prezervativë vazhdimisht dhe saktë. Një tjetër këshillë është larja me kujdes me sapun dhe ujë pas çdo kontakti me spermën, përfshirë edhe pas masturbimit, sipas udhëzimeve të OBSH-së.
Testikujt njihen se veprojnë si një “port i sigurt” për të paktën 27 sëmundje infektive, duke lejuar disa patogjenë të jetojnë në trup dhe të infektojnë të tjerët vite pasi pacienti të jetë shëruar.
Qelizat e spermës mbrohen nga sulmet e sistemit imunitar të trupit, pasi ato janë të nevojshme për riprodhim, por kjo do të thotë gjithashtu se janë një “shtëpi e sigurt” për viruset.
/tvklan.al



Komentet
Bëhu i pari që komenton!
Lini një Koment të Ri
Për t'u përgjigjur një komenti specifik, kliko butonin 💬 Përgjigju poshtë atij komenti.