Harito: Jo status për ata që nuk kanë arsimin e duhur
Ndoka – Kreu i PDK-së, Nard Ndoka, ka qenë i pranishëm në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve. Ai nuk e ka bojkotuar Kuvendin
PD-ja – Deputetët e PD-së nuk ishin të pranishëm në asnjë prej mbledhjeve të komisioneve parlamentare, duke mbajtur në fuqi bojkotin
Administrata – Ata që kanë arsimin e duhur bazë, por nuk kanë master, u lihet dy vjet kohë t’i përfundojnë. Për të kualifikuarit, ka vende vakante
Ministrja thekson se ka vende vakante për të kualifikuarit
NGA ARTEMISA HOXHA
Statusin e nëpunësit civil nuk do të mund ta përfitojë asnjë punonjës në administratën publike, nëse ai nuk ka arsimin e duhur për pozicionin e punës që kryen. Këtë gjë e konfirmoi dje ministrja e Inovacionit, Milena Harito. Sipas ministres, ligji për nëpunësin civil do të zbatohet në mënyrë të përpiktë ashtu siç është miratuar, kjo edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese në kthimin që i ka bërë ligjit. “Duhet të jetë ligji ashtu siç është i miratuar dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese që nga momenti që ka hyrë në fuqi. Absolutisht, gjithë kuadri ligjor zbatohet me përpikërinë më të madhe”, tha Harito dje në lidhje me zbatimin e ligjit për nëpunësin civil. Ndërkohë që Departamenti i Administratës Publike që prej shkurtit ka përfunduar përshkrimet me kriteret që duhen për çdo vend pune në shtet dhe ka kontrolluar një për një dosjet e punonjësve të administratës. Ata që kanë arsimin e duhur bazë, por nuk kanë master, u lihet dy vjet kohë t’i përfundojnë. Nisur nga mungesat në dosjet e punonjësve ekzistues, DAP ka hapur konkursin duke i quajtur pozicionet e tyre si vende të lira pune. Kjo, nga ana opozitës, është cilësuar si fshesë e re në administratë, por sipas ministres së Inovacionit, Milena Harito, nuk po shpiket asgjë e re, thjesht po zbatohet ligji dhe Kushtetuta. Gjatë muajit gusht Departamenti i Administratës Publike vendosi që të gjithë aplikimet për t’u punësuar në shtet do të bëhen në mënyrë online. Që prej shkurtit 2014, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese u pezulluan të gjitha procedurat e punësimit në administratën shtetërore. Konkurset u hapën sërish në mes të gushtit dhe të gjithë të interesuarit duhet të dorëzojnë dokumentacionin deri më 14 shtator. Ndërsa në mbledhjen e parë të grupit të Partisë Socialiste për sesionin e ri politik, është vendosur ngritja e katër grupeve të punës, ku njëri prej tyre ka si qëllim verifikimin deri tani të të gjitha emërimeve që janë bërë në administratën publike, kjo pas akuzave të shumta që kanë ardhur në radhët e opozitës për emërime politike në institucione të caktuara. Ky grup i ngritur për administratën publike do të merret përkatësisht me skanimin e cilësisë së burimeve njerëzore në administratë. Më herët ka qenë vetë kreu i qeverisë, Edi Rama, i cili ka deklaruar se qëllimi kryesor i qeverisë së tij për sa i përket administratës publike ishte ndarja e saj përfundimtare nga politika. Madje mazhoranca, për të përforcuar këtë qëndrim të saj, mbajti dhe një konferencë me titull “Një administratë europiane për Shqipërinë e gjeneratës tjetër”. Ndërsa deklaratën nëse do të respektohet plotësisht ligji për nëpunësin civil, ministrja e Inovacionit e bëri pas mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku deputetët e mazhorancës miratuan projektligjin “Për njoftimin dhe konsultimin publik”. Pjesë e diskutimeve u bë dhe aleati i opozitës, kreu i Demokristianëve Nard Ndoka, i cili ka zgjedhur që të thyejë vendimin e grupit të PD-së për të bojkotuar punimet në Kuvend. Në lidhje me projektligjin në fjalë, ministrja e shtetit tha se projektligji detyron të gjithë institucionet që çdo ligj të ri ta konsultojnë në mënyrë të detyrueshme dhe ta publikojnë në një regjistër elektronik, ku gjithkush ka akses. Ministrja për Inovacionin dhe Administratën Publike, Milena Harito, u shpreh se projektligji “Për njoftimin dhe konsultimin publik” është një ligj më i avancuar edhe se në vetë vendet e Bashkimit Europian. “Ajo që mendoj se ka rëndësi është se është një ligj që futet për herë të parë në këtë formë. Kemi një ligj kuadër, i cili detyron të gjithë institucionet që çdo ligj të ri ta konsultojnë në mënyrë të detyrueshme dhe ta publikojnë në një regjistër elektronik ku gjithkush ka akses. Vendos për herë të parë funksionin e koordinatorit”, deklaroi Harito.