Politika

Harta e re, vendorët kontestime për Tiranën, u la jashtë Paskuqani

HERION MESI

Harta_61_NJQV1-487x350Konfigurimi i ri i Tiranës, që lë jashtë Paskuqanin për t’iabashkangjitur Kamzës, kontestohet nga përfaqësuesit e Shoqatës së Komunave. Ndarja e miratuar së fundmi nga komisioni i posaçëm për reformën territoriale, sipas drejtorit ekzekutiv të Shoqatave të Komunave (ku të zgjedhurit janë nga PD-ja), Agron Haxhimali në një prononcim për gazetën “Shqip”, gjykon se në aspektin politik të kësaj ndarjeje, vërehet se zona të caktuara u janë bashkëngjitur njësive të mëdha vendore thjesht për prurje dhe aktivitet politik apo për të siguruar njëfarë ngopjeje ose ekuilibri politik të zonës urbane ku, sipas tij, Tirana është shembulli më i keq sa i përket politizimit të ndarjes së re territoriale. “Çka do të thotë: marrin nga zonat apo komunat përreth prurjet e një aktiviteti të caktuar politik dhe i afrojnë në një zonë ku mund të kemi aktualisht balanca politike, për të ndryshuar pikërisht këta ekuilibra elektoralë. Kjo është për pjesën e Tiranës së madhe. Unë mendoj se Tirana nuk kishte arsye për t’u zgjeruar në juglindje dhe jugperëndim, sepse nuk krijon asnjë lloj funksionaliteti. Por ajo do të kishte funksionalitet nëse do të zgjerohej drejt veriut, drejt Rinasit. Aty do të përfshinte pastaj dhe Paskuqanin, pasi është një zonë me të cilën ka projekte të përbashkëta sot Bashkia e Tiranës me Komunën e Paskuqanit: si projekti për bulevardin e ri që i bashkon të dyja këto zona dhe mjaft aspekte të tjera të një zinxhiri ekonomik. Por, unë mendoj se Paskuqani u la jashtë hartës së Tiranës, qëllimisht për të krijuar mbase atje një stereotip, ku si njësi vendore përbëhet nga banorë të ardhur prej Veriut (ndjesë për paragjykimin) dhe ku njihet aspekti i tyre politik, dhe që nuk i interesonte kujt që këtë zonë ta afronte nga qendra, pasi do të prisheshin balancat politike, por e lanë atë jashtë kësaj harte, duke e kaluar në Bashkinë e Kamzës”, shprehet përfaqësuesi i Shoqatës së Komunave. Sipas tij, kjo reformë në thelbin e vet duket se nuk tenton të krijojë njësi vendore që t’i shërbejnë komunitetit. “Për sa kohë nuk bën një dallim të qartë mes funksioneve dhe hartës, por është ideja që vetëm t’i zmadhojnë këto njësi dhe pastaj të shikojnë se çfarë do të ndodhë më pas me njësitë e reja”, shprehet kreu i Shoqatës së Komunave, Agron Haxhimali.

Reforma

Duke shprehur domosdoshmërinë e reformës administrativo-territoriale, Haxhimali shprehet se projekti i realizuar nga mazhoranca për këtë çështje, që parashikon krijimin e 61 njësive vendore, është i nxituar, është një reformë që nuk po merr shumë parasysh mjaft kërkesa të aktorëve të shoqërisë civile, një proces që nuk po merr parasysh as kërkesat e shoqatave të autoriteteve vendore, dhe që nuk ka marrë parasysh edhe mjaft kërkesa të subjekteve politike. Kreu i kësaj shoqate, Agron Haxhimali, në prononcimin për gazetën “Shqip”, shprehet se një nxitim i tillë, jo vetëm që është i paragjykuar, por, siç shprehet ai, tregon se mazhoranca e bëri këtë reformë e paraprirë nga harta dhe jo rishikimi i funksionalitetit të pushtetit vendor. “Procesi i nisur me numra nuk është shumë rezultativ, duke treguar se vetë mazhoranca nuk ka qenë shumë e qëndrueshme dhe e orientuar për modelin e qeverisjes vendore dhe ka luajtur nga njëri ekstrem në tjetrin. Fillimisht propozoi ndarje mes 39 dhe 47 njësive, ndërsa e përfundoi duke e miratuar me 61 njësi vendore. Pra, loja me numrat tregon se ajo nuk është shumë serioze dhe se nuk kanë qenë shumë të qartë se çfarë duan të konfigurojnë dhe si duhet ta rishikojnë pushtetin vendor. Pra, kjo lëvizje e këtij numri tregon që objektiv i kësaj mazhorance ka qenë harta e numri dhe jo efektet e tjera që do të sjellë reforma territoriale”, thekson Haxhimali. Për kreun e Shoqatës së Komunave, kjo ndarje e re e territorit të vendit fsheh në vetvete dhe qëllimin kryesor të mazhorancës, atë të interesave dhe koniunkturave elektorale. “Procesi i nisur me harta tregon për cilindo se vërtet ka një paragjykim, që thellë-thellëkushdo mendon se mazhoranca e bëri këtë reformë e paraprirë nga harta për interesa dhe koniunktura elektorale”, shprehet ai.

Propozimet

Vendorët e djathtë: Më parë decentralizimi dhe pastaj harta

Shoqatat e djathta të vendorëve, në konferencën e zhvilluar më 2 korrik, nëpërmjet një rezolute të përbashkët do t’i propozonin mazhorancës dhe kreut të saj, Edi Rama, një mekanizëm të tillë që, sipas tyre, është standardi me të cilin bëhen reformat administrativo-territoriale, sipas Kartës Europiane të vetëqeverisjes vendore. Ç’ka do të thotë se puna duhet të fillojë me një analizë të funksioneve dhe me një ndarje të drejtë të funksioneve të përgjegjësive për njësitë e qeverisjes vendore. Pra kjo, e parë në këndvështrimin e një decentralizimi real politik, të një decentralizimi real fiskal dhe të një decentralizimi real administrativ. Por, siç tha dje përfaqësuesi i Shoqatës së Komunave, Agron Haxhimali, për gazetën “Shqip”, këto gjëra nuk po ndeshen dhe nuk po shikohen gjatë kësaj reforme, ku theksi bie vetëm te harta dhe numri i njësive vendore. “Në këtë këndvështrim, duhet të kishim një strategji të qartë nga mazhoranca, siç është rasti i decentralizimit, me të cilin ajo të qartësonte marrëdhëniet administrative dhe pastaj të shikonim se si mund t’i rikompozonim numrin e njësive të reja vendore”, thekson Haxhimali.

Neranxi

Himara të qëndrojë vetëm me 7 fshatra, jo me Lukovën

Ish-deputeti i LSI-së në Himarë, Nikolaq Neranxi, deklaroi se banorët e Himarës dëshirojnë që ajo të mos ndryshojë, por të ngelet ashtu siç është, me 7 fshatrat e saj. “Ajo që ne kërkojmë si popull himarjot, nuk ka lidhje me interesat e ngushtë të ndokujt, që shitet e blihet sipas rastit. Ne kërkojmë që Himara të lihet kështu siç është, me 7 fshatrat e saj, siç ka qenë këtu e përpara 200 vjetësh. Himara ka shekuj që është kështu dhe mbart një histori të lashtë mbi grupe”, deklaroi Neranxi. Ai shkoi më tej, duke deklaruar se nëse qeveria vepron në këtë mënyrë, do të ketë pasoja. Në ndarjen e propozuar nga ana e qeverisë, është përcaktuar se Himara të përfshihet me 40 fshatrat, por kjo gjë kundërshtohet nga një pjesë e komunitetit. Ndërsa kryetari i Komunës së Lukovës, Vladimir Kumi, e mori fjalën i pari dhe bëri të qartë kundërshtimin për bashkimin e njësisë së tij vendore me Himarën. Ai hodhi edhe tezën e kryerjes së referendumit. Ndërsa në një prononcim për gazetën “Shqip” dhënë disa muaj më parë, Kumi shprehej se nëse do të miratohej ky bashkim, ai mund të konsideronte kandidimin për Bashkinë e Himarës në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button