Harta e re, Venizelos: Himara nuk pasqyron realitetin
Reagimi
Zv.kryeministri shfaqet pjesërisht i kënaqur për minoritetin
NGA ARTEMISA HOXHA
Harta e re territoriale e miratuar më 31 korrik nga Kuvendi, ku partia që mbron interesat e minoritetit grek në Shqipëri, PBDNJ votoi kundër, duket se ende është një çështje e paharruar nga shteti fqinj, Greqia. Ashtu si në qëndrimin e parë të tij kundër miratimit të reformës nga pala shqiptare, kreu i diplomacisë greke, Evangelos Venizelos, i bën apel qeverisë shqiptare për mosshkelje të të drejtave të minoritet grek në vendin tonë. Nëpërmjet një interpelance të kërkuar nga deputeti i Partisë së Agimit të Artë, Ilias Panajotaros, ministri i Jashtëm grek pohon se qeveria shqiptare, përveçse krijoi Bashkinë e Livadhjasë për fshatrat me minoritetin grek në Jug të vendit, nuk veproi në këtë mënyrë edhe për Himarën. “Përfundimisht u arrit synimi që 8 fshatra minoritarë në prefekturën e Sarandës të qëndrojnë në Bashkinë e re të Livadhjasë, përveç Çukes. Por, nga ana tjetër, Bashkia e Himarës u bashkua me Komunën e Lukovës dhe Vranishtit, fakt që, sipas tij, nuk pasqyron karakterin demografik të zonës ku jetojnë minoritarët, ashtu siç ka deklaruar edhe në Parlamentin shqiptar Kryeministri Rama”, deklaroi Venizelos në këtë interpelancë. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij, numri dy i qeverisë greke deklaron se Athina zyrtare ndjek zhvillimet në vendin fqinj, ndërsa i ka bërë të qartë udhëheqjes së lartë shqiptare shqetësimet e saj për ndërhyrjet e padëshirueshme që janë bërë në reformën territoriale dhe që kanë të bëjnë me minoritetin grek. Në përgjigjen e tij në lidhje me pyetjet e deputetit të Agimit të Artë, diplomati grek ka shprehur sërish zhgënjimin nga qeveria shqiptare dhe i kërkon asaj të respektojë premtimet dypalëshe. “Tiranës i është thënë që reagimet e homogjenëve grekë nuk do të injorohen nga Athina dhe opinioni publik grek. Ministria e Jashtme e Greqisë ka shfaqur shqetësimin dhe zhgënjimin e saj dhe pret nga qeveria shqiptare të respektojë të gjitha premtimet në nivel dypalësh dhe atë europian”, shton ai. Venizelos deklaron se, “Shqipëria detyrohet nëpërmjet marrëveshjeve ndërkombëtare të respektojë dhe të mbrojë të drejtat njerëzore dhe ato të pakicave kombëtare në territorin e saj. Në këtë kuadër, Greqia ndjek nga afër gjendjen e minoritetit në të gjithë Shqipërinë dhe deklaron se respekti i plotë i të drejtave të këtij minoriteti dhe zbatimi i premtimeve e detyrimeve të palës shqiptare përbëjnë një faktor të rëndësishëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe kriter për ecurinë europiane të vendit fqinj në nivelin që Greqia bashkëpërgatit vendimet e BE-së në lidhje me të”. Në një tjetër interpelancë tjetër për sa i përket çështjes së varrezave të ushtarëve grekë në Shqipëri, Venizelos sqaron se periudha parazgjedhore në Shqipëri e më pas ndryshimi i qeverisë, kanë shkaktuar vonesa në negociatat dypalëshe për përfundimin e kësaj çështjeje dhe thekson se ka marrë fjalën e homologut Bushati në majin e kaluar në Selanik, se së shpejti do të rifillojnë bisedimet e komisioneve dypalëshe.
Vendimi
Toponimet, qeveria ndryshon modelin e certifikatave
Në kuadër të zgjidhjes së problemit me toponimet, qeveria, në mbledhjen e parë të sesionit të ri, ka vendosur dje ndryshimin e vendimit të mëparshëm për dokumentet e lëshuara nga zyrat e gjendjes cilivie. Në vendimin e ri thuhet se, në certifikatat që do të jepen për përdorim nga autoritetet e huaja, rubrika e vendlindjes do të plotësohet sipas listës së emërtimeve të shteteve që ka depozituar Ministria e Jashtme në OKB.
“Në të gjitha modelet e certifikatave për përdorim nga autoritetet e huaja, që lëshojnë zyrat e gjendjes civile në njësitë e qeverisjes vendore, informacioni në rubrikën ‘vendlindja’ të plotësohet, i shkruar sipas rasteve: Për shtetet, të cilat kanë depozituar pranë OKB-së katalogët zyrtarë të emrave gjeografikë të romanizuar (toponimet), sipas listës së vënë në dispozicion nga Ministria e Punëve të Jashtme, si dhe kodin tre karakteresh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO;
për shtetet, të cilat nuk kanë depozituar pranë OKB-së këta katalogë, sipas shkrimit në dokumentin e hartuar nga vendi i origjinës, por me simbole, germa latine/romane, si dhe kodin tre karakteresh të shtetit përkatës, sipas standardit ICAO”, thuhet në VKM. Për sa u përket rubrikave të tjera në përdorim nga autoritetet e huaja, ato do të plotësohen në gjuhën zyrtare shqipe. Ndërkohë që në vendimin e djeshëm thuhet se do të shtohen edhe dy emërtime të reja në modelet e certifikatave që lëshohen nga zyrat e gjendjes civile. “Modeli nr. 15, ‘Certifikatë vdekjeje’, për përdorim nga autoritetet e huaja; modeli nr. 16, ‘Certifikatë familjare’, për përdorim nga autoritetet e huaja”, thuhet në vendimin e qeverisë. Do të jetë ministri i Punëve të Brendshme ai që do të merret me nxjerrjen e akteve për rregullat e plotësimit të rubrikës “Vendlindja”, në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.