Opinion

Hasanizimi i Shqipërisë

Ben Blushi
Ben Blushi

Ka një pyetje që nuk mund ta shmangim më.

Kush e dëmton më shumë Shqipërinë? Shqiptarët apo partitë? Kush është përgjegjës për varfërinë, për skamjen dhe rrënimin? Votuesit apo qeveritë? Kush e ka ndëshkuar më shumë vendin? Ata që marrin vendime pasi votohen, apo ata që nuk marrin asnjë vendim pasi votojnë? Kush, pra, na ka ndëshkuar më shumë me papërgjegjshmëri, me deformim, me mjerim, me harrim dhe poshtërim?
Shqiptarët thonë qeveritë. Dhe partitë.
Çështja është se për shkak të izolimit, mjerimit, varfërimit të gjatë, qeveritë dhe partitë janë shfajësuar se nuk kanë pasur buxhet, nuk ka pasur kohë, nuk kanë pasur mundësitë, aftësitë dhe njerëzit e duhur për të marrë vendimet më të mira, që shtojnë mirëqenien dhe e bëjnë Shqipërinë më të jetueshme.
Shumë njerëz më thonë se unë vetë jam pjesë e kësaj klase që nuk ka marrë vendimet e duhura, nuk ka bërë reformat e pritshme dhe prandaj nuk duhet të flas.
I mirëkuptoj të gjithë dhe habitem se si kanë kaq pak paragjykime për mua dhe gjithë shokët e klasës sime politike. Nëse do e kishin në dorë, jam i bindur që do na kishin hedhur të gjithëve në det. Me sa duket, këtë mundësi nuk e kanë dhe prandaj i janë drejtuar vetë detit. Dhe kurbetit. Po ikin. Duke na lënë vetëm. Ata po refuzojnë të merren me ne dhe prandaj ne kemi filluar të merremi me veten.
Ndoshta edhe unë nuk bëj përjashtim.
Megjithatë, nuk është kjo çështja. Të paktën sot.
Çështja është se çfarë vendimesh marrin qeveritë. Kur ato janë të dëmshme dhe kur janë të pamundura? Ka shumë vendime që janë të pamundura. Pa dyshim. Edhe për qeverinë gjermane ka vendime të pamundura. Pyetja është a duhet të jenë gjithmonë të moralshme vendimet e qeverive?
Unë them se po. Në çdo rast.
Vendimet e partive dhe të qeverive mund të jenë gjithmonë të moralshme, sepse morali është gratis. Pagat kërkojnë buxhet. Morali jo. Pensionet e larta kërkojnë para. Morali nuk do. Investimet duan financim. Morali nuk ka nevojë të financohet. Fushatat duan sponsorizim. Morali nuk sponsorizohet. Morali i shoqërive edukohet. Jo vetëm nga qeveritë, por kryesisht nga ato. Qeveritë kanë në dorë të japin shembuj që i shkojnë për shtat moralit dhe e kthejnë atë në normë që nuk negociohet. Dhe nuk ndryshohet me ardhjen e partive në pushtet. Qeveritë ikin, morali mbetet.
Moralin mund ta kesh edhe kur je i varfër, edhe kur s’ke lekë, edhe kur je hollë, edhe kur s’ke shkollë, edhe kur s’ke punë, edhe kur s’ke shtëpi, edhe kur s’ke pjatë,edhe kur s’ke gotë, edhe kur s’ke votë. Morali është i shtrenjtë dhe kur është i lirë.
Vendimet e moralshme i bëjnë qeveritë e varfra të duken të pranueshme. Dhe shpresa lind nga morali më shumë se nga pasuria.
Pa u zgjatur, dua të ndaj një rast, i cili e vë në dyshim standardin e Rilindjes, për të cilin ka kohë që shkruaj dhe flas.
Bëhet fjalë për zgjedhjen e kandidatit të Rilindjes në Kukës. Për të gjithë ata që nuk e dinë, kandidati i Rilindjes atje është kryetari aktual i Bashkisë, i zgjedhur dy herë si përfaqësues i PD së qytetit. Quhet Hasan Halilaj.
Që Hasani kërkon të bëhet për herë të tretë kandidat dhe kryetar i Bashkisë së Kukësit, kjo për mua s’përbën asnjë problem. Duke mos qenë banor i Kukësit, nuk e njoh bilancin e punës së tij dhe nuk dua ta paragjykoj. Për çka do them më poshtë, bilanci nuk ka asnjë rëndësi, megjithëse mendoj se nëse puna e tij do kishte qenë e suksesshme, ai nuk do kishte arsye të ndërronte parti. Nuk do kishte, pra, nevojë të kalonte nga PD tek Rilindja.
Duke thënë se nuk dua të gjykoj Hasan Halilajn si person, megjithëse kurrë nuk do të bëja atë që po bën ai, pikëpyetja ime nuk është për Hasanin, por për ata që e zgjodhën.
Pse e zgjodhi Rilindja, Hasanin? Se ishte i zoti? Se ishte demokrat? Se ishte kryetar bashkie? Se kishte vota? Se kishte miq? Se kishte para? Se kishte punuar shumë mirë? Se ishte i pavarur? Se ishte përpjekur gjithë këto vite për të ndryshuar qeverinë e Partisë Demokratike me kontributin e tij si kryetar i Bashkisë së Partisë Demokratike?
Pse e zgjodhën Hasanin, pra?
A nuk kishte socialistë në Kukës? A nuk kishte progresistë? A nuk kishte opozitarë në Kukës? A nuk kishte vajza dhe djem të tjerë që besojnë se ka mundësi të ndershme të bësh karrierë? A nuk kishte aty shumë veta që me meritë duhet të vijnë një ditë në pushtet? A nuk kishte burra dhe gra që besojnë se Kukësi mund dhe duhet të ndryshojë duke u qeverisur ndryshe? A ishte një model qeverisja e Hasanit?
Nuk besoj. Edhe nëse Hasani ishte një kryetar i shkëlqyer, ai ishte një demokrat. Një njeri, partia e të cilit u ndëshkua me votë dy vjet më parë. Pse u zgjodh Hasani nga Rilindja, pra?
Kush më bind se Rilindja nuk kishte zgjedhje tjetër, përveç Hasanit? Për çfarë arsye Hasani ishte the only only? I vetmi dhe vetëm i vetmi Hasan?
Ja pse.
Sepse Rilindja ka humbur gjatë rrugës të gjitha virtytet, që e sollën në pushtet. Për të qenë pjesë e Rilindjes nuk është e domosdoshme të kesh besuar tek zgjedhjet, nuk është e udhës të kesh votuar për ndryshimin e qeverisë, nuk është e thënë të jesh socialist, nuk është kusht të jesh i majtë, nuk është e nevojshme të kesh besuar tek ndryshimi i vendit, mjafton të jesh Hasan. Të jesh pa din dhe pa iman. Pa sedër dhe pa nam. Pa kusur dhe pa plan. Pa kurajë, pa guxim dhe pa nishan.
Por zgjidhja e Hasanit në Kukës nuk është vetëm kaq. Ajo është sa keq dhe sakaq. Ajo është hasanizimi i politikës. Është hasanizimi i Rilindjes. Është hasanizimi i Shqipërisë.
Hasanizim do të thotë të kalosh nga një parti në tjetrën pa pasur asnjë besim as tek partia e vjetër dhe as tek partia e re. Hasanizim do të thotë të jesh gjithnjë në pushtet. Hasanizim do të thotë të mos besosh në asgjë. Në asnjë vend dhe asnjë qytet. Hasanizim do të thotë që gjithçka mundet dhe gjithçka duhet, pavarësisht se a mundet. Hasanizim do të thotë të mos kesh as dje, as sot dhe as nesër. Hasanizim do të thotë që kurrë të mos vish, por të presësh dhe të rrish. Hasanizim do të thotë që partitë nuk kanë asnjë dallim dhe qeveritë, kur ndërrohen, nuk sjellin asnjë ndryshim. Hasanizim do të thotë harrim. Amnezi dhe vazhdim.
Dhe Shqipërinë nuk po e hasanizon Hasani, por fatkeqësisht po e hasanizon Rilindja. Forca që erdhi në pushtet për të ndryshuar Shqipërinë. Padurimin për mirëqenie, skamjen dhe urinë.
Ky, pra, është fundi i shpresave për çdo njeri në Kukës. Të votosh PD merr Hasanin. Të votosh Rilindjen merr Hasanin. Prapë. Ta mbyllësh në kutinë e votimit e hap. Të ikësh nga qyteti të kap. Të ikësh nga Shqipëria me vrap.
Të votosh hasanizohesh një herë. Të mos votosh hasanizohesh dy herë. Rrugë tjetër nuk ke. Dhe nuk duhet të kesh. Hasan të mos jesh, askush s’të desh. Je i mbetur dhe i tretur përdhe. Je jetim, je fatkeq, je dreq. Je i mjerë, je i vrarë, je i tallur, i kallur dhe i dhjerë. Të mos jesh Hasan nuk është nder. Të mos jesh Hasan je guhak, je spurdhjak, je kot, je lot, s’je as nesër as sot, s’je dot. Të mos jesh Hasan je trap, sepse Rilindja me Hasanin e mbyll dhe me Hasanin e hap.
Ky është standardi i Rilinjdes. Kjo është forca e saj. Ky është kuti, kutia, arma, fisheku dhe baruti. Kjo është furia, fuqia, uria, oreksi dhe vuxhuti.
Unë i kuptoj si ndihen sot të gjithë në Kukës. Ka me siguri aty shumë burra dhe gra, të rinj dhe pleq, të cilët kanë bërë tetë vjet rresht fushatë kundër Hasanit. Ata kanë besuar se do vinte një ditë kur qyteti i tyre do çhasanizohej. Të varfër, të pashpresë, pa ndihmë dhe pa pushtet prisnin Rilindjen t’ua bënte ndryshimin me të lehtë.
Dhe kjo ditë erdhi. Por Rilindja u dha prapë Hasanin. Rilindja e hasanizoi Kukësin dhe ky virus, me sa duket, po përhapet. Po zbret nga Kukësi dhe po çapet. Po vërtitet, po na ndjek, na përndjek dhe po avitet. Të jesh me Rilindjen do të thotë të jesh Hasan. Të mos kesh as besim, as parti, as qytet, por vetëm han. Të gjesh Rilindjen si han politik ku fut kokën sa herë bie shi, sa herë fryn, sa herë shfryn, sa herë ka nevojë për reagim, sa herë s’ka dyshim, sa herë ka vrull dhe nevojë për ndryshim.
Për çdo njeri që kërkon një arsye pse ikin shqiptarët nga Kukësi, Hasani është pyetja dhe përgjigjja. Shqiptarët nuk duan të hasanizohen. Dhe për këtë nuk kanë pse fajësohen.
Ikin nga poshtërimi, nga skamja, mjerimi, vazhdimi dhe mashtrimi.
Ikin dhe do ikin nga hasanizimi.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko gjithashtu
Close
Back to top button