Ekonomia

Haxhinasto: Reformë në transportin ndërqytetas për përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto deklaroi të martën se shumë shpejt do të nisin një reformë në transportin ndërqytetas, me qëllim përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

“Reforma për transportin ndërqytetas është një nga reformat më të mëdha që do të realizojmë e cila do të rregullojë këtë treg për ta vendosur atë në optimalitet dhe në efiçencë ekonomike. Përmes saj po ashtu do tu krijohet mundësia operatorëve të vjelin frutet e punës si dhe të kenë mundësi të rinovojnë flotën e tyre, pasi siç e shikoni janë relativisht të vjetra, ndërsa detyrimet mbi kategorinë e mjeteve në përdorim rrjedhin edhe në kuadër të BE-së”, deklaroi ministri Haxhinasto gjatë një inspektimi tek Parku i Autobusëve në Tiranë, në kuadër të luftës kundër informalitetit.

Sipas kreut të MTI-së, një nga pikat kryesore të reformës së transportit ndërqytetas ka të bëjë edhe me infrastrukturën mbështetëse të shërbimit të transportit, si stacionet e autobusëve, për të cilët kemi përcaktuar edhe tiparet që kanë të bëjnë me bilaterinë, njoftimet për oraret, si dhe elementë të tjerë të shërbimeve edhe personale për qytetarët.

Për këtë, ministri informoi se është rënë dakord edhe me krerët e bashkive, ku këta të fundit në planet që kanë për zhvillimin urbanistik të qyteteve kanë vendosur si prioritet rregullimin e transportit ndërqytetas.

“Kemi biseduar dhe kemi rënë dakord edhe me kreun e bashkisë së Tiranës që edhe në Tiranë të realizohen ndërhyrje me buxhetet aktuale me qëllim që qytetarëve t’u shërbehet më mirë dhe me cilësi më të lartë,
ndaj duhet ndërhyrje e menjëhershme”, tha ministri Haxhinasto.

Duke folur për informalitetin në sektorin e transportit, ministri Haxhinasto tha se çdo përpjekje e qeverisë kundër informalitetit duhet parë si një përpjekje për t’u dhënë qytetarëve një shërbim më të mirë. “Shërbimi i transportit ndërqytetas aktualisht operohet me 50  më shumë të linjave se sa ka nevojë vendi, që përkthehet në një konsum të jashtëzakonshëm resursesh dhe një konkurrencë e pandershme, që rrjedhimisht do të reflektohet edhe në evazion”, deklaroi ministri Haxhinasto.

Më tej, ai shtoi se për rreth 30 % të automjeteve nuk rinovohet regjistrimi çdo vit, që do të thotë se ose janë hedhur pa regjistruar nëpër varreza të caktuara, ose nuk paguajnë detyrimin vjetor. Ky, vijoi Haxhinasto si dhe tregtimi i automjeteve të përdorura jashtë çdo lloj skeme detyrimesh fiskale janë një evazion i konsiderueshëm.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button