EkonomiaIntervista

Haxhinasto: “Rruga e Kombit” me 5 euro tarifë, në mars hapja e ofertave

-Intervista e plotë e ministrit Haxhinasto për Kosovapress-

haxhinasto-fotoMinistri i Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto flet në një intervistë për Kosovapress, mbi projektet e përbashkëta infrastrukturore rajonale,  sidomos mes Shqipërisë dhe Kosovës; siç  është edhe plani për ndërtimin e rrjetit hekurudhor, projekt i diskutuar së fundmi edhe gjatë vizitës që ministri Haxhinasto zhvilloi në Prishtinë.

Cila  është e vërteta e dhënies me konçesion e Portit të Shëngjinit, a kanë shfaqur interes investitorët e Kosovës për këtë port, apo kurrë nuk ka ekzistuar një marrëveshje e tillë…

Kur do të jepet me konçesion Rruga e Kombit, sa do të jetë tarifa e mirëmbajtjes, dhe pse kjo rrugë nuk po shfrytëzohet aq sa duhet; pse  është kaq i ulët volumi i shkëmbimeve tregtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, në një moment që kjo rrugë u krijua me idenë për të bashkuar shqiptarët jo vetëm shpirtërisht por edhe ekonomikisht.  Kur do të nis të zbatohet sistemi i ri i patentave me pikë, dhe cilat janë masat e qeverisë për të rritur sigurinë rrugore, dhe për të ulur numrin e aksidenteve.

Më poshtë intervista e plotë e Ministrit Haxhinasto:

  1. Kosovapress:Haxhinasto sa të sigurta janë rrugët tona, e kam fjalën këtu për mënyrën se si janë ndërtuar, cilësia e punimeve, sinjalistika e duhur, të cilat janë të rëndësishme për të shmangur deri diku aksidentet apo fatkeqsi natyrore siç ishte dhe rrëshqitja e dherave që ndodhi pak kohë më parë në Ibë? Çfarë masash po merren në këtë drejtim?

Haxhinasto: Rrugët e Shqipërisë në fakt kanë një bilanc sigurie që ka qenë shumë problematik vitet e shkuara, me nurmin e aksidenteve në përgjithësi; të rënda ose me vdekje. Në detyrat e Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës siguria rrugore u vu si prioritet që në fillim të këtij mandati, dhe efektet janë të menjëhershme, kemi arritur të ulim me 20 % numrin e aksidenteve me vdekshmëri, dhe aksidenteve të rënda. Këtë objektiv e kemi mbështetur me masat që kemi marrë me reformat që po realizojmë, duke filluar që nga standardi i rrugëve gjë që është e domosdoshme për tu miratuar. Kemi vazhduar më tej me investime specifike për sinjalistikën  veçanërisht, ku një segment i rëndësishëm ka qenë ai i Rrogozhinës dhe Sarandës. Për të ardhmen kemi planifikuar ndërhyrje shumë serioze në sinjalistikë, si në segmentin Tiranë-Kashar-Rinas dhe Kashar-Durrës më pas segmentin Plepa-Rrogozhinë. Por do të kemi dhe dy projekte të reja sinjalistike; Rrogozhinë-Korçë dhe Fushë-Krujë, Hani Hotit. Shumë e rëndësishme është gjithashtu mirëmbajtja e rrugëve, e cila për hir të së vërtetës ka qenë në nivele krejtësisht të papranueshme. Ku kështu mund të  them se jemi në fazën përfundimtare të një projekti me Bankën Botërore, projekt i cili do të jap mundësinë e riorganizimit të mirëmbajtjes së rrugëve kombëtare, do të jetë një investim prej rreth 120 milionë dollarë për 5 vitet e ardhshme. Sigurisht që disa ngjarje të papritura kanë ndodhur siç është rrëshqitja në Ibë, kemi disa rrëshqitje të tjera në zonën e Dukatit, për të cilat janë bërë projektet përkatëse dhe janë duke u trajtuar aktualisht nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.

  1. Kosovapress:Z.Haxhinasto ka kohë që po flitet për vendosjen e një takse mirëmbajtje në Rrugën e Kombit, tarifë që do të prek kryesisht qytetarët shqiptarë dhe ata kosovarë që lëvizin më shpesh në këtë rrugë. Kur do të vendoset dhe sa do të jetë kjo tarifë? Pse po zvarritet dhënia me koncesion e mirëmbajtjes kësaj rruge?haxhinasto foto 2

Haxhinasto: Në fakt kjo është përpjekja e dytë për ta dhënë Rrugën e Kombit me koncesion. Arsyeja pse e kemi shtyrë nga angazhimi i parë ka qenë, është sepse ka pasur nevojë për disa ndryshime ligjore të rëndësishme, pasi një procedurë e tillë në formën që ishte ligji për koncesionet ishte e pamundur të bëhej, po më datën 23 mars ne do kemi hapjen e ofertave të kompanive për këtë rrugë. Në fakt vendosja e pagesave në disa nga segmenet e sistemit tonë rrugor do të vazhdojë, është pjesë e një projekti gjithashtu që jemi duke kryer dhe realizuar së afërmi, dhe besoj që do të vendoset, pra një sistem i tillë një regjim i tillë do të vendoset dhe në akse të tjera me qëllim që të garantojmë pikërisht një mirëmbajtje shumë më cilësore se aktualisht. Gjithçka që do fitohet do shkojë për t’i mirëmbajtur këto rrugë për t’i risjellë ato me standarde më të  larta, me qëllim që t’u ofrohet qytetarëve dhe ekonomisë një cilësi më e lartë. Është në disktutim për një tarifë rreth 5 euro për këtë rrugë, dhe besoj se tarifa që kemi vendosur për këtë segment është nën mesataren e rajonit.

  1.  Kosovapress:Është folur shumë herë për këtë çështje, por asnjëherë nuk është kuptuar drejt se si qëndron e vërteta në dhënien me konçesion të Portit të Shëngjint. Pati një kohë pak muaj më parë kur u tha se do t’i jepej me koncesion investitorëve kinezë, ndërkohë që më herët i ishte premtuar palës kosovare, në të vërtetë çfarë do të bëhet me Portin e Shëngjinit, a ekziston ndonjë kërkesë apo marrëveshje që këtë Port ta menaxhojnë investitorë kosovarë?

Haxhinasto: Nuk kam asnjë kërkesë nga investitorët kosovarë, do isha shumë i lumtur po të kisha një kërkesë nga investitorët kosovarë. Unë jam takuar disa herë me përfaqësuesit më të lartë, homologun Mujota, Zharka, me kryeministrin e mëparshëm dhe kryeministrin aktual të Kosovës, dhe asnjëherë nuk më kanë shprehur ndonjë kërkesë për t’u angazhuar me investime në Portin e Shëngjinit. Fakti është se nuk ka asnjë kërkesë të tillë as në Ministri dhe arkivin e saj, gjithçka do të thoja unë duket të jetë një legjendë urbane.

Ajo që kemi ofruar ne është që të përgatisim një paketë së bashku me homologët e Kosovës, që biznesi kosovar të ketë të gjithë lehtësitë e mundshme për të përdorur jo vetëm Portin e Shëngjinit, por të gjithë portet e Shqipërisë, me qëllim që ansjë nga këto porte të mos jetë pengesë për një qarkullim apo shërbim normal ndaj këtij biznesi. Biznesi i Kosovës të trajtohet apsolutisht njësoj si biznesi shqiptar pa asnjë cent kosto shtesë.

  1. Kosovapress:E nëse nuk ka asnjë kërkesë nga Kosova siç edhe e pohoni ju, kush është interesuar për Portin e Shëngjinit?

Haxhinasto: Për Portin e Shëngjinit mund të them që deri më sot është paraqitur një kërkesë nga një kompani kineze, e cila ka paraqitur një projekt-ide për të investuar në Port (por jo aty ku është Porti  i vjetër i Shëngjinit, flitet për një port të ri në tjetër zonë me në veri të Shqipërisë).

Përgjigja e Ministrisë ka qenë që kjo projekt-ide të mbështetet dhe të plotësohet dhe në aspektet financiare të realizimit të këtij projekti, gjë që nuk ka ndodhur akoma. Sigurisht kur të paraqitet ne do të jemi shumë të gatshëm ta vlerësojmë dhe të shikojmë se sa vizibël dhe sa ekonomik do të jetë propozimi që do të na ofrohet.

  1. Kosovapress:Z. Ministër para disa javësh së bashku me kryeministrin Rama dhe ministrin Ahmetaj,   ju ishit pjesë e një forumi ekonomik të organizuar në Serbi.  Sa të rëndësishme janë evenimente të tilla për Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe për vendet e tjera Ballkanit? Mund të na detajoni disa projekte të rëndësishme rajonale për të cilat u ra dakord në këtë aktivitet, si për shembull hekurudhat, dhe kur do të vihen në jetë këto projekte rajonale?

Haxhinasto: Jemi në një moment pozitiv sa i takon lidhshmërisë së sistemeve  tona  të transportit në Rajon. Procesi i Berlinit i filluar në fund të vitit të kaluar i  ka dhënë një impuls të ri koordinimit më të mirë midis vendeve të rajonit, dhe mbështetjes nga ana e BE. Sigurisht që i gjithë rrjeti i vendeve të rajonit, rrjeti kombëtar, rrjeti rajonal, të jetë i përputhur dhe i përfshirë në rrjetet europiane , dhe në funksion të korridoreve të rëndësishme europiane. Nëpër vendet tona kalojnë rrugë të rëndësishme europiane siç është korridori i 8-të. Hapa konkrete janë bërë pa diskutim, lidhja hekurudhore me Kosovën është një nga çështjet që ne jemi duke e trajtuar. Korridori i i tetë gjithshtu, kemi pasur vitin e kaluar një takim të rëndësishëm në Sofje të Bullgarisë me homologët nga Maqedonia dhe Bullgaria, për ta promovuar më tej këtë korridor dhe për ta sjellë atë në tërësinë e vet, duke shtuar edhe elementin e lidhjes hekurudhore, por edhe elementë të tjerë siç mund të ishin fibrat optike. Pra që të jetë vërtet një korridor konektiviteti, lidhje, midis vendeve tona, veçanërisht për të lidhur zonën e Adriatikut me zonën e Detit të Zi. Po kështu projekte të rëndësishme janë edhe lidhjet me Veriun e Shqipërisë, lidhjet me Malin e Zi, lidhjet me Serbinë, me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, me Bosnje-Hercegovinën; me Kroacinë. Por për ne hekurudha qëndron si prioritare pasi ajo është në mungesë për shumë vite dhe ka një potencial të madh, nëse vlerësohet në aspektin rajonal të saj, të lidhjeve rajonale pasi dihet se çfarë shërbimi ofron ajo, dhe çfarë kosto ofron ajo për ekonominë dhe për biznesin. Shumë e rëndësishme që këto plane që kemi ti konsolidojmë, ti miratojmë dhe ti programojmë në planet tona buxhetore.

  1. Kosovapress:E në fakt deri më tani sa ka bashkëvepruar rajoni mes vetes, sa ka ecur ai me këto projekte të përbashkëta për të cilat po flasim?

Haxhinasto: Një drejtim ku ka ecur rajoni, dhe është do të thoja një objektiv i vazhdueshëm është liberalizimi i shërbimeve të transportit të rajonit, me qëllim që të kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve, lëvizjen e lirë të mallrave. Për këtë sigurisht që ka pasur disa hapa të mirë. Shumë mirë që më në fund u iniciua projekti i doganës së Morinës, me përpjekje të përbashkëta të dy qeverive, por na mbetet që të përmirësojmë dhe të heqim shumë nga barrierat jofizike siç i quajmë ne, të lehtësojmë procedurat doganore; të lehtësojmë procedurat e kontrollit në kufi me qëllim që kjo të jetë një regjim i tillë siç e ka Europa, që është i liberalizuar, pa pengesa, dhe kështu ti kontribuojmë ekonomisë dhe në fund të fundit mirëqenies së qytetarëve.

  1. Kosovapress:Ju  së fundmi keni pasur edhe një takim në Prishtinë me kryeministrin Mustafa dhe homologun tuaj kosovar, dhe është bërë publike ndërtimi i hekurudhës Kosovë-Shqipëri. Ky është një projekt i rëndësishëm që bashkon edhe më shumë dy vendet tona, pas Rrugës së Kombit, ndaj mund të na tregoni diçka më shumë rreth konkretizimit të këtij projekti; janë hedhur hapat e parë?

Haxhinasto: Ne një vit më parë kemi realizuar një marrëveshje midis dy ministrive, e cila parashikonte gjithashtu edhe një studim fizibiliteti edhe për lidhjen hekurudhore midis Kosovës dhe Shqipërisë dhe më tej kemi përgatitur një aplikim në kuadër të investimeve për Ballkanin Perëndimor, një kërkesë të përbashkët midis Shqipërisë dhe Kosovës, për të bërë një studim pra për lidhjen hekurudhore, gjë që tani e kemi futur në proces. Por sigurisht ne kemi mjaft interesa të përbashkëta në të gjithë aspektet; planifikimit të zhvillimit të infrastrukturës, të realizimit konkret të veprave të ndryshme, por edhe të mirëmbajtjes. Konkretisht ne kemi  një arterie të rëndësishme kombëtare siç është Rruga e Kombit, të cilën ne duhet ta mirëmbajmë së bashku, ti japim jetë së bashku, pasi akoma kjo rrugë është nën kapacitetin e saj me qëllim që edhe investimi i jashtëzakonshëm që është bërë të kthehet por mbi të gjitha rruga, ky investim ti shërbejë ekonomisë, ti shërbejë,  rritjes së qarkullimit, ti shërbejë të dy vendeve, shkëmbimeve midis dy vendeve që në fakt nuk ka ndodhur akoma. Në funksion të këtij qëllimi patjetër që kemi shumë për të bërë. Unë kam shprehur mirënjohjen time për kontributin që është dhënë nga Ministria e Infrastrukturës së Kosovës, për sigurinë e kësaj rruge, janë sjellë disa elementë të rëndësishëm për të kontrolluar trafikun në disa zona të rrezikshme të saj. Ne aktualisht jemi duke vazhduar me investime në atë projekt, por besoj se koncesioni që jemi duke realizuar do sjellë një cilësi të re të standardit të kësaj rruge. Por gjithashtu ka vend për të bashkëpunuar edhe në fusha të tjera, edhe në transportin ajror gjithashtu. Ne jemi optimistë që së shpejti edhe aeroporti i Kukësit të jetë funksional dhe i hapur edhe për fluturime ndërkombëtare , por sigurisht të planifikojmë së bashku dhe të realizojmë vepra të cilat na integrojnë, pasi të dy vendet jemi në procesin e integrimit europian dhe patjetër që duhet të ndërtojmë infrastrukturë europiane.

  1. Kosovapress:Duke qenë se përmendëm pak aeroportet, ju keni folur krahas Kukësit edhe për nevojën e ndërtimit të një aerporti në jug të vendit, Sarandë, për ti dhënë kështu edhe një hov më të madh zhvillimi turizmit, në këtë zonë. Sa të afërta janë këto projekte?

Haxhinasto: Po ky është objektivi i përpjekjeve tona si Ministri që të kemi mundësi të ndërtojmë infrastrukturën e cila më pas të ofrojë shërbime të fluturimeve ndërkombëtare, veçanërisht në zonën e jugut që është edhe zonë me potencial turistik të madh, por që për momentin është përtej një rreze të pranueshme po themi nga aeroporti kryesor, dhe i vetëm ndërkombëtar i vendit që është aeroporti i Rinasit.

  1. Kosovapress:Kodi i ri rrugor tashmë ka hyrë në fuqi në muajin janar, megjithëse qytetarët nuk kanë qenë plotësisht dakord pasi gjobat ju duken shumë të larta për ekonominë e tyre; janë pothuajse të barabarta me një rrogë mujore. Pse u përzgjodh ky model ndëshkimi për shkeljet e rregullave të qarkullimit rrugor dhe a mendoni se do të funksionojë?

Haxhinasto: Mendoj se jeta e shqiptarëve është shumë më e rëndësishme dhe më e shtrenjtë se çdo gjobë që është vënë, dhe këtu është një zgjedhje shumë e thjeshtë; do të shkelësh rregullat dhe do të marrësh gjobën apo nuk do shkelësh rregullat. Pra gjithçka është në dorën e drejtuesit të mjetit, nëse ai zgjedh të shkel rregullat pastaj nuk duhet të pyes për nivelin e gjobës që duhet të marrë. Për ne e rëndësishme është që të dekurajojmë shkeljet e rregullave pasi këto shkelje rregullash sjellin pastaj dëme të pariparueshme që janë humbjet e jetëve.

  1. Kosovapress:Pjesë e këtij kodi të ri janë edhe patentat me pikë kur do të nis aplikimi i tyre? Është e vërtetë se kursi i patentës do të dyfishohet në çmim, aktualisht që flasim ka një dyndje të kursantëve, si asnjëherë më parë, që janë të frikësuar nga tarifat e reja që mund të shkojnë dri në 60 mijë lekë kursi i patentës?

Haxhinasto: Për shtetin shqiptar nuk do të rritet, nuk ka asnjë vendim të tillë, pwr kwtw lwshuam dhe njw deklaratw publike rreth 2 muaj më parë.

Çështja e tarifave që vendosin autoshkollat është një çështje e tregut, është e liberalizuar, megjithatë tendencat  tona janë që të mos ketë rritje tarifash, për të shtuar koston ndaj qytetarëve.

Sigurisht  ne jemi në procesin e përmirësimit të dhënies së lejeve të drejtimit; të sigurimit që ky proces të jetë imun ndaj ndërhyrjeve korruptive, ta përmirësojë ata, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me çështje patente ose jo patente, por me jetën e njerëzve.

Përsa i takon patentave me pikë është një nga amendimet e fundit të Kodit Rrugor dhe besoj që po marrim masat e duhura  që të zbatohet sa më shpejt, dhe si objektiv kemi vënë fundin e muajit mars.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button