Teknologji

Hekurudha mes Everestit – megaprojekti kinez mes utopisë dhe realitetit

Lideri i revolucionit, Mao, dikur kishte thënë: Nuk ka asgjë që të na ndalë! – Por tashmë duket se realitetet të bëjnë të mendosh shtatë herë e të presësh një herë. Pasi të ndërtosh tunele mes lartësive më të mëdha në botë, ideja mund të mbesë edhe thjesht në letër. Përtej ambicies në kufijtë e ëndrrës, plani ka hasur edhe në kritika. Sidoqoftë, nëse ideja e inxhinierëve nga Pekini një ditë do të bëhet realitet, do të vendoste padyshim një rekord të ri jo vetëm teknologjik

hekurudhaLajmi i ka habitur të gjithë që e kanë dëgjuar: harrojeni tunelin 57 kilometra, më të gjatin në botë, i cili ndodhet në Gotthard në Zvicër! Në Tibet, kinezët duan të ndërtojnë një tunel, që nuk është vetëm më i gjati, por edhe i ndërtuar në një lartësi që nuk është arritur kurrë deri më tani. Mijëra inxhinierë dhe punëtorë thuhet se tashmë janë gati për t’ia hyrë punës për të shpuar malin e hapur, tunelin mbi “çatinë” e Himalajave.

Ky njoftim pati bërë xhiron e botës, pasi gazeta kineze në gjuhën angleze “China Daily” raportoi për “projektin e shekullit” të padëgjuar kurrë më parë. Gazeta në fjalë e cilësoi atë një zgjatim të hekurudhës tibetiane. Traseja e re e qytetit Shigatse, që të shpie deri në Nepal, do të jetë gati deri në vitin 2020. Artikulli fliste me ekspertin e famshëm kinez të hekurudhave, Wang Mengshu, të Akademisë së Pekinit për Shkencat Inxhinierike. Hekurudha do të kalojë nëpër Qomolangma, “e për këtë arsye punëtorët do të duhet të punojnë shumë për ta hapur tunelin”, tha Wang. “China Daily” e sqaronte kështu fjalën Qomolangma: “Në Perëndim flitet për malin Everest”.

“Asgjë e paarritshme për ne”

hekurudha1Zbulimi që Pekini do të çelte një tunel mes përmes maleve 8848 metra të larta, më të mëdhatë në botë, nuk bëri të habiteshin vetëm gazetat. Ai bëri të shpërthenin edhe të gjitha spekulimet e mundshme. Të gjithë i besuan projektit për tunelin e Republikës Popullore, 1956 kilometra të gjatë të hekurudhës malore Tibetiane të Qinghai-t drejt Lhasas (kryeqyteti i Tibetit). Disa nisën ta lëvdojnë Kinën për një arritje të re teknologjike. Të tjerë megjithatë nisën ta akuzonin atë se po kryente një sakrilegj, duke vënë dorë mbi bukuritë e fundmit natyrore të mbetura të paprekura dhe mbi Malin e Shenjtë të tibetianëve, duke e sakrifikuar atë, sipas tyre, për llogari të objektivave të saj në transport e rritje ekonomike.

Kështu, një blogere tibetiane, Tsering Woeser, shkruante se: Natyra e Tibetit do të prekej e rrënohej kaq shumë nga të tilla megaprojekte, saqë ajo nuk do ta merrte dot më veten. Shpimi mes përmes i Himalajave është vetëm një nga synimet që pritet të arrihen nga ky projekt. Kështu, në rrjedhën e lumit Yalu-Tsangbo do të ngrihet edhe një hidrocentral në formë tarracash dhe projekte gjigante malore do të rrënojnë kësisoj atdheun e mbretit tibetian, Songtsan Ganbu.

Mirëpo patriotët kinezë e shohin përmbushjen e ëndrrës së tyre një realitet falë potencës madhore të Republikës Popullore. E për këtë kanë sjellë ndër mend vargjet e një poeme të liderit Mao, të shkruar pikërisht 50 vjet më parë. Në maj 1965, lideri madhor kinez shkroi:Me këtë shtypje të gishtit tonë / ne po ulim hënën nga qielli me nëntë shtresa / dhe po tundim breshkat nga thellësia e pesë deteve/ nuk ka asgjë në botë, që nuk ne nuk e arrijmë.

Asnjë punëtor nuk vdiq nga sëmundja e lartësive

hekurudha-hartaMirëpo përtej vargjeve shpresëdhënëse e frymëzuese, duket se projekti ka edhe pikat e tij të dobëta. Kësisoj edhe Pekini zyrtar ka bërë një rishikim të tij, një tërheqje paraprake. Edhe eksperti i hekurudhave Wang, u desh t’i tërhiqte mendimet e tij të shprehura në një artikull të “China Daily”. Ai thotë se është keqkuptuar plotësisht. Projekti, sipas tij, sigurisht se në aspektin teknik është i realizueshëm, por deri më tani, ai mbetet jo më shumë sesa thjesht një vizion. Tej kësaj, afati i dhënë aty për vitin 2020, është i pamundur, nëse plani nuk testohet e verifikohet edhe një herë nga e para.

Reaksioni megjithatë erdhi vetëm pasi gazetari Han Liang i portalit zyrtar të lajmeve “Pengpai” kishte pyetur Wang-un, nëse atij nuk i dukej i gjithë ky projekt spektakolar, si shumë utopik. Njoftimi ishte përgatitur si një “benzinë që i hidhet zjarrit”, kritikoi Wang, nga agjencia franceze AFP deri te “Reuters”, nga “Guardian” deri tek “Independent”.

“Në fakt, ndërtimi i tuneleve në lartësi të mëdha si Everesti, është realisht shumë më i komplikuar teknikisht për t’u realizuar sesa hekurudha tibetiane”, thotë Wang. Ai dikur ka qenë pjesëmarrës në projektimin e ndërtimin e “mrekullisë moderne” të botës, hekurudhës Tibetiane, e cila shtrihet në një lartësi prej më shumë se 4500 metrash e që u vu në funksion në vitin 2006.

140 000 punëtorë morën pjesë në ndërtimin e saj. Wang është krenar gjithsesi që në fund bilanci nuk shënoi asnjë të vdekur nga sëmundjet e lartësive, por sidoqoftë, më shumë se 100 persona gjetën vdekjen në aksidente. Kjo, pasi, për shkak të ndryshimit të presionit nga lartësia gomat çaheshin dhe automjetet dilnin nga rruga e rrëzoheshin.

Ndërtimi i një tuneli kushton shumë

Vështirësitë në ndërtimin e tunelit të malit Everest, do të ishin si pasojë shumë të mëdha: kështu së pari, paralel me të do të duhej të ndërtohej një rrugë, për të bërë të mundur furnizimin me logjistikë të veprës. Mirëpo nga 3000 metra lartësi, ajri bëhet më i hollë, duke bërë që punëtorët të kërkojnë më shumë oksigjen. Edhe në tunelin e ardhshëm, furnizimi me oksigjen do të përbëjë pra një sfidë më vete.

Përveç kësaj, temperaturat e ulëta dhe sipërfaqet e ngrira, do të pengojnë me shumë gjasa punimet, duke pasur parasysh masat e mëdha të gurëve që duhet të lëvizen e zhvendosen. Edhe kostot akoma nuk mund të përllogariten dot me saktësi. Me një vlerësim paraprak, eksperti Wang thotë se do të duhen 100 milionë juan (thuajse 15 milionë euro) për çdo kilometër tunel të ndërtuar. Projekti do të duhej si pasojë të zgjaste 10 vjet për t’u përfunduar. Wang e cilësoi këtë ndërmarrje “si shumë të kushtueshme”.

Edhe aktualisht, në mbarë Kinën po ndërtohen trase e hekurudha, akoma pa u siguruar mirë nëse për to ekzistojnë paratë për t’i përfunduar.

Me gjithë pengesat në dukje, megaprojekti i Republikës Popullore vijon të shkojë përpara – “vetëm si studim”, thekson Wang. “Projekti për tunelin nuk duket se përbën axhendën ditore askund në Kinë”, thotë Wang. Këtë e pohoi edhe ambasadori gjerman në Pekin, Michael Clauss, që u kthye nga një vizitë në Tibet. Ai udhëtoi nëpër Shigatse, ku do të duhej të ndërtohej edhe hekurudha për në Nepal. Autoritetet vendore i thanë atij se, për sa i përket projektit që po përflitet tashmë ngado, kishin marrë vesh vetëm nga gazeta.

Deri më tani, tuneli nën këmbët e malit Everest pra, duket se është vetëm një ëndërr. Dhe, megjithatë, jo i vetmi në kuadër të të ashtuquajturave megaprojekte: qysh në vitin 2013, koncerni i madh ndërtimor kinez, “Broad Sustainable Building” (BSB), bëri bujë në mbarë botën, kur njoftoi se një qiellgërvishtëse prej 838 metrash lartësi, nën emrin “Qyteti i qiellit” do të ndërtohej në një mënyrë të shpikur prej tyre brenda dhjetë muajve, çka do të përbënte një rekord botëror në llojin e vet në këtë rast. E kështu që guri i themelit u vendos. Por tashmë, në atë vend akoma gjen vetëm atë. A. P.

*Marrë nga “Die Welt” – Shënim: Titulli është redaksional

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button