Kronika

Helmohen 30 qytetarë, konsumonin ujë me krimba

Banorët e fshatit Shamoll, Korçë: E kullojmë me napë dhe e ziejmë, s’e blejmë dot

Nga Lediona Xheladinaj

korceNjë ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Shamoll të qytetit të Korçës, ku 30 persona, mes tyre fëmijë të grupmoshave të ndryshme, janë shtruar në spital, prej disa ditësh, në gjendje të rëndë shëndetësore. Siç pohojnë vetë banorët e zonës, shkak për këtë është bërë uji i pijshëm, që prej dy vjetësh është i ndotur, madje edhe me krimba, pavarësisht se konsumohet prej tyre rregullisht. Burime në Spitalin Rajonal të Korçës thonë për gazetën “Shqip”, se pacientët janë paraqitur në urgjencën e këtij institucioni shëndetësor me simptoma të ngjashme, si: diarre, të vjella, temperaturë të lartë dhe dridhje të trupit. Zyrtarisht mësohet se pacientëve u është dhënë fillimisht ndihma e parë mjekësore, ndërsa më pas është konstatuar se gjendja shëndetësore e tyre ishte serioze, për rrjedhojë qytetarët e intoksikuar duhej të qëndronin disa ditë të shtruar në spital, nën vëzhgimin dhe kujdesin intensiv të bluzave të bardha, derisa të ndiheshin më mirë. Edhe pse banorët e fshatit Shamoll, 20 kilometra larg qytetit, jetojnë nën kërcënimin e ujit të ndotur dhe me orar të reduktuar, prej rreth dy vjetësh, askush nuk interesohet për t’i dhënë zgjidhje problematikës së tyre. Asnjë instancë shtetërore, edhe pse në dijeni të situatës kritike, nuk ka denjuar të marrë masa për të mos rrezikuar shëndetin e banorëve, siç ndodhi ditët e fundit. Banorët e lidhin përkeqësimin e shëndetit të të afërmve të tyre me ujin e ndotur, që rrjedh në çezmat e tyre. Ata pohojnë se uji që rrjedh në çezmat e 450 familjeve është tërësisht i papastër, “i pushtuar” nga krimba me ngjyrë të kuqe dhe baktere të ndryshme. Në këto kushte, dhjetëra familje detyrohen që të konsumojnë ujin e ndotur, duke e kulluar dhe zier, ndërsa një pjesë tjetër udhëtojnë kilometra në ditë për të mbushur ujë në fshatin më të afërt. Mirëpo, ka edhe nga ata që në pamundësi ekonomike apo fizike detyrohen ta pinë. Të kërcënuar nga niveli i lartë i ndotjes së ujit të pijshëm, banorët shtojnë se jeta e tyre është në rrezik, pasi në çdo moment janë të rrezikuar nga shpërthimi i epidemisë, sepse çdo ditë ka raste të të infektuarve nga konsumimi i ujit të ndotur. “Viktima” e radhës, i prekur nga konsumimi i ujit të ndotur, është një 45-vjeçar nga fshati Shamoll, i cili në një gjendje të rëndë shëndetësore është detyruar të izolohet prej 10 ditësh në Spitalin e Korçës. “Kemi më se dy vjet që pimë ujë të papastër, plot me krimba dhe mbeturina. Vetëm ujë që nuk mund të quhet, por pisllëk. U sëmurëm, me dhembje barku dhe të vjella, marrim ilaçe çdo ditë dhe përsëri jetojmë me shqetësime shëndetësore. Uji vjen me orar të reduktuar, vetëm tri orë në ditë dhe aq sa vjen është i papastër. Ne e kullojmë me napë dhe më pas e ziejmë. S’kemi zgjidhje tjetër, e pimë ashtu siç është, i ndotur, duke rrezikuar seriozisht shëndetin tonë. Për shkak të ndotjes, unë kam qëndruar disa ditë në spital dhe përsëri jam i sëmurë, por nuk kam mundësi ta blej”, tregon për gazetën “Shqip”, Edmond Qyteza, banor i intoksikuar. Për sa u takon simptomave, ai tregon se më të zakonshmet janë: të vjellat, diarre, të dridhura trupi dhe temperaturë e lartë, ndërsa për gjendjen shëndetësore të tij, që është rënduar për shkak të konsumimit të ujit të ndotur, Qyteza thotë: “Kam shkuar menjëherë në Spitalin e Korçës dhe atje më kanë shtruar, pasi isha shumë rëndë. Kam qëndruar rreth 10 ditë i shtruar dhe kam marrë serume e medikamente, sepse nuk më lëshonin ethet dhe të vjellat. Kam qenë shumë keq dhe tani detyrohem të blej ujin me 100 halle, sepse nëse konsumoj ujë të ndotur jeta ime do të jetë në rrezik. Banorët e fshatit Shamoll shpjegojnë se problemi i tyre është dërguar edhe në institucionet përgjegjëse shtetërore, pavarësisht se halli i tyre nuk është marrë ndonjëherë në konsideratë prej tyre. Kemi më se dy vjet që na sorollatin sa në një zyrë te një tjetër, por askush nuk mban përgjegjësi. Kemi shkuar në Komunë, Shëndet Publik, prefekturë, por askujt nuk i intereson që ne të gjithë po helmohemi, edhe pse paguajmë rregullisht taksat. E çfarë marrim si shpërblim? Paguajmë taksa, fatura në mënyrë korrekte dhe në vend të ujit marrim krimba”, shprehet i prekur Edmondi.

Reagimet

Përgjegjësit i delegojnë fajin njëri-tjetrit

Mësohet se edhe Instituti i Shëndetit Publik ka arritur në konkluzionin se uji nuk mund të konsumohet për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, pasi ka marrë në analizë mostrat e tij. Përfaqësues të këtij institucioni kanë lëshuar ultimatum se kërkohet ndërhyrje e menjëhershme në rrjetin e ujësjellësit, pasi amortizimi i tij ka krijuar këtë nivel ndotjeje. Ndërkaq, pavarësisht kësaj, 450 familje të fshatit Shamoll vijojnë të konsumojnë ujin e ndotur, duke shtuar rastet e personave të intoksikuar. Nga ana tjetër, Komuna Bulgarec thotë për gazetën, se shkak i ujit të ndotur nuk është amortizimi i rrjetit të ujësjellësit, por prania e stallave afër tij, duke sjellë përzierjen e mbetjeve me ujin e pijshëm dhe duke ia pasuar shëndetit publik përgjegjësinë e problemit në fjalë, pasi, sipas komunës, nuk është kryer një verifikim siç duhet nga specialistët e higjienës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button