Politika

Heqja e 312 njësive vendore shkurton 80% të punonjësve të tyre

Ministri-per-Ceshtjet-Vendore-Bledi-Cuci-dhe-deputeti-i-PS-Bashkim-Fino-1-320x233Shkurtimet e pritshme

312 kryetarë njësish vendore

312 nënkryetarë njësish vendore

312 sekretarë të kryetarëve

312 sekretarë të këshillave

50% e 6 500 këshilltarëve

80% e 4500 punonjësve të administratës së 312 njësive

Vendet e reja

1-2 punonjës për çdo sektor shërbimi në njësitë e reja

Nuk do të preken

Punonjësit e shërbimeve që nuk mund të ofrohen në mënyrë qendrore, siç janë; gjendja civile, shpërndarja e ndihmës ekonomike, mbledhja e taksave, inspektimi i territorit, mirëmbajtja dhe grumbullimi i tarifave për shërbimin Ujësjellës-Kanalizime

Reforma territoriale

Funksionet që shkurtohen dhe vendet e reja të punës me ndarjen e re

Nga Bledi Gilaj

Reforma territoriale do të shoqërohet me shkurtime drastike të vendeve të punës për punonjësit e administratës vendore, megjithëse qeveria pretendon se me strategjinë për ndarjen e re do të kursehen rreth 30-60 milionë dollarë për çdo vit në buxhetin e shtetit. Rreth 4 mijë punonjës të administratës së njësive vendore, të cilët do të pushojnë së ekzistuari pas hyrjes në fuqi të hartës së re territoriale, do të mbeten pa një vend pune, megjithëse me këtë reformë, pritet të hapen vende të reja në njësitë që do të fuqizohen. Këto mësohen nga raporti përfundimtar i qeverisë shqiptare, e cila ia ka bashkëngjitur hartës së re të dërguar për votim në Kuvendin e Shqipërisë. Në relacionin zyrtar të siguruar nga gazeta “Shqip”, janë përcaktuar qartë të gjitha lëvizjet që pritet të bëhen në një hark të shkurtër kohor dhe se cilat institucione vendore do të vazhdojnë punën e tyre, pavarësisht se njësia vendore do të pushojë së ekzistuari.

Administrata vendore

Sipas analizës së kryer nga ekspertët, të cilët janë angazhuar për reformimin administrativo-territorial, pjesa më e madhe e shpenzimeve të buxhetit vendor janë shpenzime për personelin, pra vendet e punës që ndiqen nga shpenzime operative dhe mirëmbajtja. Shpenzimet e personelit në nivel mesatar të qeverisjes vendore zënë 37 për qind, por në pjesën dërrmuese të njësive vendore, kjo shifër i kalon 60 për qind, ndërsa ka raste që shkon në 80 për qind. Siç dihet, me ndarjen aktuale administrativo–territoriale, ne kemi 12 qarqe, 65 bashki dhe 308 komuna, pra 373 njësi vendore, nga të cilat, sipas propozimit të dërguar në Kuvendin e Shqipërisë, do të mbeten vetëm 61 të tilla. “Kjo ka sjellë një moseficencë të theksuar kryesisht të administratave në nivel komune, për shkak qartazi të fragmentarizimit. Kostoja e lartë e shpenzimeve të personelit administrativ mbështetës është e shoqëruar edhe me kosto të lartë të shpenzimeve operative për funksionimin e zyrave. Kostoja për njësi në këto raste është dy herë më e lartë se në njësitë e mëdha”, thuhet në relacionin e qeverisë.

Nga statistikat e qeverisë mësohet se komunat, mesatarisht kanë 12 persona personel, nga të cilët rreth 80% janë staf administrativ që kryejnë shërbime mbështetëse dhe vetëm 20% janë staf që janë të punësuar në shërbime publike direkte për qytetarët. Me ndarjen e re, pothuajse të gjitha këto komuna do të shkrihen, por bashkë me to do të pushojnë së ekzistuari edhe disa bashki të vogla. Por, duke pushuar së ekzistuari këto njësi vendore, pothuajse së gjithë administratës së tyre do t’u shkrihen vendet e punës. Nga përllogaritja rezulton se në 312 njësitë vendore, të cilat do të pushojnë së ekzistuari, janë të punësuar rreth 4 mijë e 500 veta, pjesë e administratës dhe pjesë e shërbimeve ndaj qytetarit. Por, duke qenë se 80 për qind e këtyre punonjësve janë staf administrativ, shifrat e shkurtimeve arrijnë afërsisht në të njëjtën përqindje, megjithëse qeveria ka plan të ruajë nivelin e punësimeve në masën 40 për qind.

Shkurtimi i punonjësve

Qeveria e ka cilësuar pozitive çështjen e shkrirjes së vendeve të punës, për faktin se bashkimii njësive të qeverisjes vendore në një zonë funksionale të vetme do të rezultojë veçanërisht në optimizimin e shpenzimeve administrative dhe atyre operative. Por, cilat janë ato funksione që do të shkurtohen. Në nivel funksionesh administrative parashikohet të shkohet drejt qendërzimit të funksioneve mbështetëse si financë, jurist, topograf, inxhinier etj., Në njësinë qendër të njësisë së re vendore, nëpërmjet parimit të ekonomisë së shkallës, do të kryhet i njëjti shërbim në qendër, por me një numër shumë më të vogël punonjësish se sa totali i këtyre punonjësve në çdo njësi vendore ekzistuese.

Qendërzimi i këtyre funksioneve mund të përballohet nga zyrat aktuale të njësive që do të fuqizohen, duke maksimizuar eficiencën e stafit ekzistues të tyre ose me shtesa, një ose dy punonjësish për njësi në varësi të ngarkesës së re. Më tej, do të shikohet edhe mundësia për reduktimin e një kategorie pozicionesh mbështetëse si shoferë, pastrues, roje, etj. Rritje eficence administrative pritet edhe në zyrat e planifikimit urban dhe të administrimit të territorit. Me qendërzimin e këtij funksioni në qendrën e zonës së re funksionale do të shfrytëzohet përvoja më e mirë dhe do të shmanget dublikimi me staf në këto funksione në Njësitë e Qeverisjes Vendore.

Vendet e reja të punës

Nga ana tjetër, mendohet se do të rishikohen mundësitë edhe për vende të reja pune. Sipas strategjisë për reformën administrative mësohet se bashkitë e reja do të detyrohen me ligj që të sigurojnë ofrimin në territoret e bashkive/komunave ekzistuese disa nga shërbimet, të cilat nuk mund të ofrohen në mënyrë qendrore si p.sh. gjendja civile, shpërndarja e ndihmës ekonomike, mbledhja e taksave, inspektimi i territorit, mirëmbajtja, grumbullimi i tarifave për shërbimin ujësjellës- kanalizime atje ku nuk ka SHAUK, etj. Këto shërbime do të ofrohen në ambientet aktuale të godinave ekzistuese të zyrave të komunës apo bashkisë. Përllogaritjet janë kryer që administrata e mbetur në këto zyra të jetë rreth 30-40% të administratës aktuale vendore.

Kryetarët dhe sekretarët

Por, shkurtimet e funksioneve të njësive territoriale nuk përfundojnë me kaq. Në nivel funksionesh drejtuese politike për njësitë e suprimuara parashikohet të pushojnë së ekzistuari pozicionet e Kryetarit dhe N/kryetarit të Bashkisë/Komunës, Sekretarët e Kryetarëve për NJQV dhe Sekretarët e Këshillave të Bashkive/Komunave për NJQV. Duke pasur parasysh se do të shkrihen 312 njësi vendore dhe suprimimin e katër funksioneve të lartpërmendura, rezulton se vetëm nga këto, do të mbeten pa rroga 1248 persona, të cilët aktualisht paguhen nga buxheti i shtetit.

Anëtarët e Këshillit

Po ashtu, në 373 njësitë vendore që Shqipëria ka aktualisht, siç është cilësuar edhe më parë, do të ketë shkurtime edhe për anëtarët e këshillave të Bashkisë dhe Komunës. Aktualisht, në të gjitha njësitë vendore përllogariten rreth 6500 anëtarë këshilli, të cilët paguhen me 10 për qind të pagës së kryetarit të njësisë për çdo mbledhje. Ky numër do të reduktohet ndjeshëm, mendohet në masën 50 për qind, megjithëse ende nuk është vendosur përfundimisht.

Rritja e buxhetit

Megjithatë, lajmi i mirë për qeverinë në të gjitha këto shkurtime është fakti se në total, nga aplikimi i masave të mësipërme dhe nga optimizimi i kostove administrative dhe operative pritet një efekt financiar pozitiv në periudhën afatmesme me vlerën 3 deri në 6 miliardë lekë në vit në buxhetin vendor.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button