Kosova

Hetimi në EULEX edhe një keqe që godet Kosovën

hetimi-n-euml-eulex-edhe-nj-euml-keqe-q-euml-godet-kosov-euml-n_hdHetimet në lidhje me dyshimet për korrupsion brenda misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, EULEX, mund të ndikojnë te institucionet kompetente për vazhdimin e luftës ndaj kësaj dukurie, thonë zyrtarët e lartë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Ata konsiderojnë se dyshimet për korrupsion në ketë mision ndërkombëtar, mund të ulin edhe besimin e qytetarëve në institucionet vendore.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni tha për Radion Evropa e Lirë se zhvillimet të cilat kanë ndodhur kohëve të fundit rreth misionit të EULEX-it, janë lajme të këqija për vetë misionin, por edhe për Kosovën.

“Është rrezikim i përgjithshëm i mendimit që do të krijojë publiku për mosbesueshmërinë për institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare. Mendoj që edhe kjo do të vështirësojë edhe më tutje perceptimin e përgjithshëm të publikut te besimi në institucionet vendore. Këto probleme që tani po dalin, tregojnë se nuk qenka gjithçka bardh edhe te institucionet ndërkombëtare”, tha Preteni.

Nga ana tjetër, ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të shtetit, Sylë Hoxha, tha për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht asaj se çka thuhet lidhur me dyshimet për korrupsion në EULEX, nuk mund të ketë kurrfarë ndikimi në përkushtimin e institucioneve për ta luftuar korrupsionin.

“Nuk do ta zbehë, përkundrazi prokurorët do të jenë të përkushtuar në luftën kundër korrupsionit. Mirëpo, do të ishte mirë këtu mos të pengohen prokurorët në hetime, pa marrë parasysh për cilat raste është fjala. Pra, me shkrime, me komunikata sigurisht që do të pengonin hetimet”, tha Hoxha.

Drejtoi i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni tha se në mënyrë që korrupsioni të luftohet duhet të zbatohen ligjet dhe se institucionet kosovare duhet të forcohen për ta luftuar korrupsionin.

“Detyrat për Kosovën janë për institucionet e Kosovës. Ne duhet të forcohemi. Ne duhet t’i kryejmë këto detyra dhe të mos presim që dikush nga jashtë që të vij dhe të na i kryejnë detyrat”.

“Institucionet e kanë brishtësinë e vet – por janë tonat dhe duhet t’i vejmë në funksion ato. Nuk duhet të kërkojmë përgjegjësi prej dikujt tjetër por vet nga institucioneve tonë”, tha Preteni dhe ka shtuar se deri më tash në Kosovës për shkak të përfshirjes në korrupsion prapa grilave është vetëm një person.

Ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Ann Jacobson dy ditë më parë, në një debat me shoqërinë civile ka folur edhe për korrupsionin dhe përfshirjen e liderëve politik në afera korruptive.

Ajo ka thënë se asnjë parti politike nuk mund të akuzohet si e vetme, qoftë ajo në pushtet apo partitë e bllokut, pasi që disa prej liderëve apo zyrtarëve të tyre janë të përfshirë në raste të dyshuara për korrupsion.

Ndryshe, Përfaqësuesja e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini, ka njoftuar se do të emërojë një ekspert të pavarur ligjor i cili do të merret me akuzat për korrupsion të lartë brenda EULEX-it në Kosovë.

“Eksperti ligjor do të merret me analizën e zbatimit të mandatit të EULEX-it në Kosovë, e në veçanti me mënyrën se si ky mision është përballur me akuza për korrupsion të lartë në radhët e veta”, ka thënë Mogherini.

Edhe Gabriele Meucci, shefi i Misionit të EULEX-it, ka thënë se do t’i ofrojë bashkëpunim të plotë ekspertit të pavarur ligjor, i cili do të jetë përgjegjës për të shqyrtuar zbatimin e mandatit, e në veçanti akuzat për korrupsion ndaj këtij misioni.

Rreth rastit që po hetohet nën dyshime për korrupsion në EULEX, gazeta Koha Ditore kishte raportuar se dy zyrtarë të EULEX-it kishin pranuar mito për të fshehur tri raste kriminale.

Në këto afera, përmenden se janë përfshirë edhe emra të zyrtarëve të Kosovës.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button