Kronika

Hetimi për “21 janarin”, pezullohet Burgaj

Ish-kreu i policisë: E prisja urdhrin, por kam besim se do të rikthehem në atë funksion

Nga Silvana Muça

Drejtori i Pergjithshem i Policise Hysni Burgaj,Ish-kreu i policisë shqiptare, Hysni Burgaj, i cili pas ndryshimit të qeverisë, zëvendësoi të gjithë drejtuesit e policisë në qarqe dhe më pas u emërua në krye të Shkollës së Policisë, është pezulluar nga detyra. Ky urdhër i është dhënë dje ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë nga vetë pasardhësi i tij, Artan Didi, për shkak të kallëzimit të bërë nga Ministria e Brendshme për hetimet e “21 janarit”. Megjithatë, Burgaj duket se e ka pritur këtë vendim të kreut aktual të policisë dhe shprehet se ai do të kërkonte vetë dorëheqjen nga drejtimi i Shkollës së Policisë, sapo të thirrej nga prokuroria për kallëzimin e bërë ndaj tij. Për vendin e lënë vakant nga Burgaj, Didi ka menduar menjëherë, duke emëruar “gjeneralin” Bilbil Mema, i rikthyer në polici pas krijimit të qeverisë së re.

Motivi i pezullimit

Sa i përket urdhrit të dhënë nga Didi për paraardhësin e tij, Hysni Burgaj, mësohet se pezullimi nga detyra do të jetë në fuqi deri në përfundim të hetimeve nga ana e prokurorisë për kallëzimin e bërë nga Ministria e Brendshme. Sipas të dhënave, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm pretendon se ish-kreu i Policisë së Shtetit ka shpërdorur detyrën, në lidhje me veprimet dhe mosveprimet pas vrasjeve. Hysni Burgaj dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, duke mos zbatuar urdhrin e Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, më 21 janar, për arrestimin e gjashtë punonjësve, pjesë e zinxhirit komandues të Gardës së Republikës. Urdhrat u lëshuan 48 orë pas vrasjes së katër demonstruesve në bulevard dhe plagosjen e shumë të tjerëve nga plumbat e efektivëve të Gardës së Republikës. Moszbatimi i kërkesave të prokurorisë është refuzuar me pretendimin se shkresat kishin gabime drejtshkrimore dhe lapsuse. Ndonëse organi i akuzës këmbënguli, ato nuk u ekzekutuan nga policia. Drejtuesit e Gardës u shoqëruan një javë pas 21 janarit, falë ndërhyrjes së negociatave me ambasadën e SHBA në Tiranë. SHKB-ja pretendon se ka gjetur shkelje detyre vetëm për Burgajn dhe Kuliçajn, ku ky i fundit ka qenë numri dy i Policisë së Shtetit. Burimet nga Prokuroria e Tiranës pohojnë se kanë regjistruar kallëzimin penal dhe kanë filluar verifikimet e para. Dy personat në fjalë ende nuk janë marrë në pyetje nga ana e prokurorisë, për të shpjeguar mosekzekutimin e urdhrave të ndalimit për gjashtë gardistët, në krye të të cilëve ka qenë Andrea Prendi, ish-kreu i Gardës së Republikës. Ndonëse ata u arrestuan disa ditë më vonë, gjykata i liroi pothuajse të gjithë, përveç Agim Llupos, i cili u kap duke qëlluar për vdekje mbi protestuesin Ziver Veizi. I ndjeri në momentet që është vrarë, ishte duke qëndruar në hyrjen veriore të Kryeministrisë, me duar në xhepa. Tashmë, të gjithë të akuzuarit për katër të vrarë para Kryeministrisë janë të lirë, ndërsa policia po heton edhe veprimet e forcave të rendit me protestuesit, ndërsa çështje e hapur është edhe vrasja e protestuesit nga Lezha. Kjo është akuza që SHKB ka ngritur ndaj Hysni Byrgajt, i cili që prej tetorit 2013, drejtonte Akademinë e Policisë. Me ardhjen e Saimir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme, Burgaj firmosi shkarkimin e 12 drejtorëve në qarqe. Pas kësaj ai u largua nga drejtimi i Policisë së Shtetit, post i cili u zëvendësua nga Artan Didi. Gjithashtu Burgaj u akuzua nga SHKB-ja së bashku me Rasim Borishin dhe tetë persona të tjerë, për abuzimet me reklamat, duke shkaktuar një dëm prej 3.1 milionë dollarësh. Sipas dosjes së formuluar, thuhet se të denoncuarit kanë paracaktuar fituesit e tenderëve për spotet televizive. Akuza që rëndon mbi dy ish-drejtuesit e policisë dhe tetë zyrtarët e tjerë, është ajo e shpërdorimit të detyrës, si edhe e shkeljes së barazisë në tenderë apo ankande publike. Pavarësisht kësaj, ky nuk ka qenë motivi që Hysni Burgaj është pezulluar një ditë më parë nga Akademia e Policisë. Në urdhrin që i është komunikuar dje, thuhet se shkaku është ngjarja e 21 janarit.

Reagon Burgaj

Ish-kreu i policisë, në një prononcim për gazetën “Shqip”, tha se urdhri i pezullimit nga detyra është një procedurë normale dhe se e ka pranuar pa bërë asnjë lloj kundërshtimi. Ai bën me dije se do ta jepte dorëheqjen nga posti drejtuesi i Shkollës së Policisë, sapo të thirrej në prokurori, për t’u marrë në pyetje. “Është një pezullim paraprak për ngjarjen e 21 janarit 2011. Disa ditë më parë, në Prokurorinë e Tiranës është regjistruar një çështje ndaj meje për atë ngjarje. Unë e kisha ndër mend që të jepja dorëheqjen, sapo prokurori të më thërriste për të më marrë në pyetje. Këtë veprim do ta bëja që të mos dëmtohej hetimi”, shprehet Hysni Burgaj. Fakti që urdhri i erdhi në tryezë, përpara procesit të marrjes në pyetje nga ana e prokurorisë për të nuk përbën asnjë problem. Gjithashtu ai thotë se pasi hetimet të përfundojnë, do të riemërohet sërish në krye të Shkollës së Policisë. “Kam besim absolut që do të rikthehem, kur e gjithë kjo të marrë fund”, e mbyll deklaratën ai.

Emërimi

Bilbil Mema do të drejtojë “Universitetin” e Policisë

Shkolla e Policisë, e cila pritet të rimarrë emrin e Akademisë së Policisë, pasi do të funksionojë sërish arsimi i lartë për uniformat blu, do të drejtohet nga Bilbil Mema, i ashtuquajturi “gjenerali i policisë”. Prej disa muajsh, ai ishte në krye të Drejtorisë së Studimeve Strategjike në Policinë e Shtetit. Edhe atij, dje i është komunikuar urdhri, por ndryshe nga Burgaj, i cili u pezullua, Mema është emëruar në krye të shkollës së policisë. Bilbil Mema ka qenë ndër personat e parë, që ka kërkuar ristrukturimin e shkollës së policisë, për të rikthyer arsimin e lartë dhe Akademinë e Policisë. Vite më parë hodhi idenë që akademia të kthehej në Universitetin e Sigurisë. Duket se dëshira e tij do të marrë jetë, pasi dy javë më parë, Kryeministri Rama tha se kanë nisur përpjekjet që akademia të kthehet në universitet. Paraprakisht është hedhur ideja që procesi akademik të jetë 3+2 ose 3+1. Kjo ende nuk është vendosur, pasi grupet e punës janë duke studiuar të gjitha mundësitë.

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button